Një izraelit problematik dhe një ish-kancelar nën hetim për korrupsion pas monopolit të IT-s në Tiranë?
Pas skandalit korruptiv të Agjencisë Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit – që çoi nën masë sigurie ish-drejtuesen Mirlinda Karçanaj dhe një numër të madh biznesmenësh – zgjidhja e gjetur nga qeveria për të reformuar prokurimet e teknologjisë së informacionit ngre më shumë pikëpyetje sesa jep përgjigje

Pas skandalit korruptiv të Agjencisë Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit – që çoi nën masë sigurie ish-drejtuesen Mirlinda Karçanaj dhe një numër të madh biznesmenësh – zgjidhja e gjetur nga qeveria për të "reformuar" prokurimet e teknologjisë së informacionit ngre më shumë pikëpyetje sesa jep përgjigje.
Kalimi i kompetencave për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve digjitale, përfshirë ato me karakter sekret shtetëror, tek një Shoqëri Aksionere, ku deri në 49% e aksioneve mund t'i kalojnë privatit, është hapi i parë i krijimit të një monopoli të përbindshëm, këtë herë i blinduar ligjërisht.
Por, kush do të jetë partneri privat që po përgatitet të ulet në tryezën e vendimmarrjes për infrastrukturën më kritike të shtetit shqiptar?
Krijuesi i "Pegasus"-it, lista e zezë e SHBA-së dhe ortakëria me Kurz-in
Në rrethet shumë të ngushta të Tiranës, prej javësh qarkullojnë emrat e një dyshe sa të njohur ndërkombëtarisht, aq edhe të ngarkuar me skandale, të cilët Edi Rama ka piketuar për t'i dhënë çelësat e infrastrukturës kritike të vendit. Këta janë ish kancelari austriak Sebastian Kurz dhe një izraelit që quhet Shalev Hulio.
Për publikun ndërkombëtar, Shalev Hulio është një emër që ndez menjëherë alarmin e sigurisë. Ai është bashkëthemeluesi dhe ish-drejtuesi i NSO Group, kompanisë izraelite që krijoi softuerin famëkeq të përgjimit Pegasus – programin që u përdor masivisht për të infiltruar telefonat dhe për të regjistruar në fshehtësi mijëra njerëz, gazetarë, aktivistë të shoqërisë civile dhe politikanë në mbarë botën.
Për shkak të këtyre skandaleve dhe kërcënimit që paraqiste për sigurinë kombëtare, qeveria amerikane e futi kompaninë e tij në listën e zezë (blacklist).
Pas largimit nga NSO nën peshën e skandaleve, Hulio nuk u tërhoq nga tregu i sigurisë, por themeloi kompaninë e re Dream Security, duke marrë si ortak kryesor pikërisht ish-kancelarin e Austrisë, Sebastian Kurz.
Ky i fundit u detyrua të largohej me turp nga politika austriake pasi u vu nën hetim për korrupsion dhe shpërdorim të fondeve publike – një dosje e hapur nga prokuroria e Vjenës mbi dyshimet se Kurz përdori paratë e taksapaguesve për të paguar sondazhe të manipuluara dhe artikuj të favorshëm në media.
Sot, kjo dyshe menaxhon Dream Security, një kompani që shet sisteme të sigurisë kibernetike të bazuara në Inteligjencën Artificiale dhe që ka një objektiv të qartë: kontrata ekskluzive me qeveritë për të administruar të dhënat kombëtare.
Intrigat shqiptare
Ndonëse në regjistrat publikë shqiptarë nuk figuron ende asnjë gjurmë zyrtare e kësaj kompanie, këta dy personazhe rezultojnë të lidhur fort me rrethin e pushtetit në Tiranë. Sebastian Kurz është drejtpërdrejtë shumë i afërt me Edi Ramën. Ish kryeministri austriak ka qenë shpesh i ftuar në takime private me Edi Ramën, nga vilat qeveritare të Dhërmiut e deri tek rezidencat e Tiranës.
Por Shqipëria nuk është e panjohur as për Shalev Hulion. Në dosjet hetimore të AKSHI-t dhe SHISH, SPAK ka zbardhur komunikime mes Ergys Agasit me një kontakt të regjistruar në telefonin e tij si "Shalev Israel".
Ky detaj hedh dritë mbi faktin se urat e komunikimit mes personazheve të botës izraelite të inteligjencës dhe sektorit të IT-së në Shqipëri kanë ekzistuar, duke treguar se ky nuk është një interes i rastësishëm.
Errësirë
Me skemën e vjetër të tenderave të AKSHI-t tashmë të ekspozuar dhe të bllokuar nga hetimet e SPAK-ut, arkitektura e re ligjore duket sikur është ndërtuar enkas për t'u hapur rrugën këtyre aktorëve dhe për të betonuar një monopol të ri.
Kalimi i kompetencave te modeli i Shoqërive Aksionere (Sh.A.) – ku duke marrë deri në 49% të aksioneve partneri privat shmang procedurat klasike të prokurimit dhe fiton akses të drejtpërdrejtë në sistemet shtetërore – po plotësohet me një tjetër goditje ndaj transparencës.
Së fundmi, përmes një projektligji me vetëm dy nene të depozituar në Kuvend nga deputetja socialiste Briseida Çakërri për ndryshimin e ligjit për Qeverisjen Elektronike, synohet që ligji i prokurimit publik të nxirret plotësisht jashtë loje për blerjen e softuerëve, licencave dhe mirëmbajtjes së sistemeve.
Nën petkun e "urgjencës" dhe "sigurisë kibernetike", kjo nismë u jep dorë të lirë operatorëve të TIK-ut të bëjnë prokurime direkte dhe pagesa miliona euro pa garë.
Kur kësaj i shtohen edhe klauzolat e rrepta të konfidencialitetit që mbulojnë sistemet kritike, sekreti shtetëror kthehet në mburojën perfekte, duke e lënë publikun në errësirë të plotë mbi faktin se sa para po paguhen dhe kush i kontrollon realisht serverat dhe të dhënat e qytetarëve shqiptarë./ Kapitali
Lexo edhe
AKTUALITET
Shumë turistë, pak para

Fatura e shtrenjtë e mbrojtjes/ Si po e gëlltit ushtria buxhetin e Shqipërisë

Reshjet e shiut rrisin nivelin e liqenit të Fierzës, rrënojat e qytetit të vjetër të Kukësit mbulohen nga uji

Moti i keq, Karakaçi: 52 fidera jashtë pune, pesë avionë devijojnë nga Rinasi

11 të burgosur në Shqipëri me HIV/AIDS, Burgjet: Janë infektuar jashtë sistemit, trajtohen falas





