Nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë, protesta studentore ndryshon axhendën e Kombëtares në prag të ndeshjes me Finlandën

Protesta studentore e paralajmëruar për nesër, duke nisur nga ora 14:00, ka detyruar Federatën Shqiptare të Futbollit të ndryshojë axhendën e Kombëtares shqiptare në prag të përballjes me Finlandën.
Përmes një njoftimi në faqen zyrtare, FSHF ka bërë të ditur se kuqezinjtë do të zhvillojnë seancën zyrtare stërvitore në orët e paradites, duke shmangur kështu orarin e zakonshëm. Një vendim i pazakontë, që vjen në një situatë të veçantë dhe që përbën një precedent të rrallë në organizimin e ndeshjeve të Kombëtares. E njëjta masë është marrë edhe për përfaqësuesen finlandeze.
Sipas programit të publikuar, Shqipëria do të zbresë në fushë në orën 11:00, ndërsa 15 minutat e para të stërvitjes do të jenë të hapura për mediat.
Ndërkohë, në orën 16:00, në stadiumin “Air Albania”, do të mbahet konferenca zyrtare për shtyp e trajnerit Maran, i shoqëruar nga një prej futbollistëve të skuadrës.
Edhe Finlanda ka përshtatur programin e saj: konferenca për media do të zhvillohet në orën 11:30, ndërsa seanca zyrtare stërvitore është planifikuar për në orën 12:30.
Ky nuk është rasti i parë kur protesta studentore ndikon drejtpërdrejt në organizimin e aktiviteteve futbollistike në vend. Pak ditë më parë, protesta solli ndryshime edhe në axhendën e Egnatias për përballjen europiane në shtëpi ndaj Midtjylland.
Ndeshja, e cila fillimisht ishte parashikuar të luhej në stadiumin “Air Albania”, u zhvendos në “Elbasan Arena”. Por situata nuk u ndal me kaq: edhe seanca stërvitore e danezëve në kryeqytet u ndërpre për shkak të përdorimit të gazit lotsjellës.Pikërisht për të shmangur përsëritjen e një situate të ngjashme, FSHF ka vendosur të riorganizojë paraprakisht programin e dy përfaqësueseve, duke zhvendosur stërvitjet në orët e paradites.
Kështu, protesta studentore pritet të ketë ndikim edhe në përgatitjet e fundit për duelin Shqipëri-Finlandë.
Lexo edhe
SPORT
Ndërprerja për Kombëtaren, futbolli kthehet në mesjavë me Kupën e Shqipërisë

Një xhudist për Pallatin Elysee, çfarë e shtyn kampionin olimpik Teddy Riner të kandidojë në presidencialet e Francës

Fazliji dhe Hajrizi të lumtur me rikthimin në Kombëtare, Dardanët vazhdojnë përgatitjet pa Dellovën

Pau Cubarsi fiton “Golden Boy 2026”/ Mbrojtësi i Barcelonës shpallet talenti më i mirë i Evropës

Spalletti, një start i vështirë: A mundet Juventusi të rikthehet?





