Paketa fiskale për vitin 2027 synon të bëjë diçka që qeveritë zakonisht e kanë të vështirë: të ulë barrën për disa kategori, ndërsa rrit të ardhurat e shtetit. Në letër, formula duket e njohur. Ushqimet bazë tatohen më pak, pagat e mesme lehtësohen dhe ata me të ardhura më të larta paguajnë më shumë. Por bilanci bëhet më pak i qartë sapo hyn në llogari pjesa tjetër e paketës.
TVSH-ja për 54 produkte bazë ushqimore do të ulet nga 20% në 6%, ndërsa norma standarde do të rritet në 21%. Për biznesin e vogël, pragu i regjistrimit në TVSH përgjysmohet nga 10 milionë në 5 milionë lekë, duke përfshirë rreth 17,5 mijë subjekte të reja në skemë. Ndërkohë, tatimi mbi dividendin rritet nga 8% në 15%, ndërsa tatimi mbi fitimin për biznesin e madh nga 15% në 17%.
Ndryshimet në tatimin mbi pagat parashikojnë lehtësim për një pjesë të punonjësve me të ardhura të mesme dhe rritje të normës për pagat më të larta. Sipas përllogaritjeve të institucioneve, rreth 26 mijë të punësuar do të përfitojnë nga ndryshimet, ndërsa rreth 1 300 do të paguajnë më shumë. Në sektorin e turizmit, TVSH-ja rritet nga 6% në 10%, ndërsa taksa e qarkullimit do të hiqet nga çmimi i karburantit dhe do të shndërrohet në një detyrim vjetor për automjetet.
Qeveria argumenton se ndryshimet synojnë formalizimin e ekonomisë dhe parashikon që ato t’i sjellin buxhetit rreth 150 milionë euro të ardhura shtesë në vit. Por Banka e Shqipërisë, ekspertët ekonomikë dhe organizatat e biznesit kanë ngritur shqetësime për efektet e mundshme në çmime, kostot administrative, konkurrueshmërinë dhe investimet. Zëvendësguvernatorja e Bankës së Shqipërisë, Natasha Ahmetaj, ka paralajmëruar se ndryshimet në TVSH mund të ushtrojnë presion mbi inflacionin, ndërsa ekspertët e ALTAX vënë në dukje rrezikun që zgjerimi i detyrimeve fiskale të mos shoqërohet me formalizim efektiv.
Kundërshtimet nuk vijnë vetëm nga sipërmarrja, por edhe nga opozita, e cila e konsideron paketën një rritje të barrës tatimore për qytetarët dhe bizneset. Dhoma Amerikane e Tregtisë, Confindustria Albania dhe Shoqata e Investitorëve të Huaj kanë kritikuar rritjen e taksave dhe mungesën e konsultimit paraprak. Ndërkohë, propozimet kanë rihapur debatin për përputhjen e politikës së re me premtimet e mëparshme të qeverisë, veçanërisht atë për taksa zero për biznesin e vogël deri në vitin 2029.
TVSH-ja, lehtësim për shportën, rritje për pjesën tjetër të konsumit
Një nga masat kryesore të paketës fiskale është ulja e TVSH-së për 54 produkte bazë të shportës ushqimore, nga 20% në 6%. Në të njëjtën kohë, norma standarde e TVSH-së për produktet dhe shërbimet e tjera rritet nga 20% në 21%.
Dhoma Amerikane e Tregtisë, në një deklaratë publike, argumenton se këto masa të kundërta do të rëndojnë konsumatorët dhe familjet. Edhe Dhoma Britanike e Tregtisë ka shprehur shqetësim për efektet negative që ndryshimet mund të kenë te qytetarët dhe investimet afatgjata.
“Paketa fiskale e shpallur me nxitim nga Kryeministri synon t’i japë buxhetit të vitit 2027 një fytyrë sociale, por edhe një kosto reale që mbetet e fshehur: ulja e TVSH-së për 54 produkte bazë ushqimore nga 20% në 6% është një masë e mirëseardhur, por mbulohet pothuajse plotësisht nga rritja e normës standarde në 21% dhe rritjet e tjera të taksave”, deklaron eksperti i ekonomisë, Zef Preçi.
Edhe Banka e Shqipërisë ka paralajmëruar për ndikimin e ndryshimeve tatimore në çmime. Zëvendësguvernatorja Natasha Ahmetaj u shpreh se rritja e përgjithshme e TVSH-së dhe ulja e pragut të regjistrimit për bizneset e vogla mund të ushtrojnë presion në rritje mbi çmimet.
“Ndikimi i drejtpërdrejtë i ndryshimeve të taksave në inflacion ka natyrë të përkohshme. Megjithatë, efekte më të qëndrueshme mund të shfaqen nëse këto ndryshime ndikojnë pritjet për inflacionin, kërkesat për paga apo sjelljen e bizneseve në përcaktimin e çmimeve”, deklaroi Ahmetaj, duke theksuar se mundësia e rritjes së informalitetit do të varet nga menaxhimi administrativ.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është ulja e pragut të regjistrimit në TVSH për biznesin e vogël dhe profesionet e lira. Nga viti 2027, detyrimi do të zbatohet për subjektet me xhiro vjetore mbi 5 milionë lekë, nga 10 milionë lekë që ishte deri më tani. Sipas përllogaritjeve të qeverisë, rreth 17,5 mijë biznese të tjera do të përfshihen në skemë.
Për deputeten e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ky vendim do të rëndojë bizneset e vogla dhe do të favorizojë përqendrimin e tregut në duart e kompanive më të mëdha.
“Kjo do të sjellë përqendrimin në rrjetet më të mëdha të supermarketeve duke kontrolluar të gjithë zinxhirin e transportit të këtyre produkteve, por njëkohësisht duke komanduar edhe shitjen e tyre në pak supermarkete. Kjo do të sjellë një rritje të përgjithshme të çmimeve, do të jetë një pengesë e barrë mbi biznesin dhe do të krijojë njëkohësisht një frymë kundër investimeve, kundër eksporteve dhe kundër zgjerimit të bizneseve”, shprehet Tabaku.
Në një reagim, Aleanca e Profesionistëve të Lirë argumenton se ulja e pragut, pa kapacitete të mjaftueshme administrative, rrezikon të rrisë kostot e pajtueshmërisë pa garantuar formalizim efektiv.
Edhe ekspertët e qendrës kërkimore ALTAX paralajmërojnë se zgjerimi i bazës së tatimpaguesve nuk garanton automatikisht uljen e informalitetit.
“Pragu i ri prej 5 milionë lekësh mund të zgjerojë gjurmën fiskale, por regjistrimi në TVSH nuk garanton formalizim të plotë. Nëse detyrimet administrative rriten më shpejt se kapacitetet e bizneseve për t’i përballuar, një pjesë mund të reagojë me nënraportim të xhiros, ndarje artificiale të aktivitetit ose zhvendosje të transaksioneve jashtë faturimit”, thuhet në analizën e ALTAX.
Paketa parashikon rritjen e tatimit mbi dividendin nga 8% në 15%, ndërsa tatimi mbi fitimin për biznesin e madh propozohet të rritet nga 15% në 17%.
Sipas zëvendësguvernatores së Bankës së Shqipërisë, Natasha Ahmetaj, rritja e tatimit mbi dividendin mund të ndikojë në mënyrën se si bizneset financojnë aktivitetin e tyre, duke rritur peshën e huamarrjes në raport me kapitalin.
“Rritja e tatimit mbi dividendin mund të ndikojë strukturën e financimit të bizneseve në drejtim të rritjes së peshës së borxhit. Kjo pasi investimet mund të orientohen drejt financimit përmes borxhit dhe jo kapitalit, i cili pritet të bëhet më i shtrenjtë”, u shpreh Ahmetaj.
Ndryshimet kanë sjellë reagime nga organizatat që përfaqësojnë sipërmarrjen. Dhoma Amerikane e Tregtisë ka paralajmëruar se rritja e barrës tatimore mund të ndikojë në tërheqjen e investitorëve të huaj, të pakësojë fondet e disponueshme për riinvestim dhe të ulë kthimin nga kapitali.
Edhe Confindustria Albania, që përfaqëson interesat e industrisë italiane në vend, ka kundërshtuar paketën, duke kujtuar zotimin e mëparshëm të qeverisë për të mos ndryshuar tatimin mbi fitimin gjatë mandatit.
“Qeveria u zotua publikisht se norma 15% e tatimit mbi fitimin për biznesin e madh do të mbetej e pandryshuar gjatë mandatit. Sot propozon ta rrisë në 17%, së bashku me rritjen e tatimit mbi dividendët nga 8% në 15% dhe të TVSH-së standarde nga 20% në 21%. Një ndërhyrje e tillë ndryshon ndjeshëm kthimin neto nga kapitali”, thuhet në njoftimin e Confindustria Albania.
Shoqata e Investitorëve të Huaj (FIAA) ka shprehur gjithashtu shqetësim për prezantimin e përshpejtuar të masave dhe mungesën e një konsultimi të konsideruar të mjaftueshëm me bizneset dhe investitorët, të cilët kanë nevojë për kohë për të përshtatur planet financiare dhe të investimeve.
Ndryshimet në tatimin mbi pagat janë pjesa tjetër e paketës që qeveria e paraqet si masë me karakter social.
Sipas propozimit, individët me paga bruto nga 200 mijë deri në 300 mijë lekë do të tatohen me 13%, nga 23% që ishte norma e mëparshme. Për pagat mbi 300 mijë deri në 700 mijë lekë parashikohet një normë prej 23%, ndërsa për pagat mbi 700 mijë lekë tatimi do të jetë 32%.
Nga përllogaritjet e institucioneve, rreth 26 mijë të punësuar do të përfitojnë nga ndryshimet, ndërsa rreth 1 300 do të paguajnë më shumë.
Eksperti Zef Preçi i konsideron këto ndryshime një përpjekje për t’i dhënë paketës një karakter social, ndërsa argumenton se rritja e taksave mbi konsumin dhe ndryshimet e tjera fiskale e dobësojnë këtë qëllim.
“Në thelb, rritja e TVSH-së si taksë mbi konsumin dhe zgjerimi i fashës së pagave deri në 700 mijë lekë në muaj me tatim të lehtësuar e rrëzojnë gjithë propagandën sociale, sepse dëshmojnë logjikën e mbushjes me çdo kusht të arkës së shtetit – në kushtet e një administrate publike të zgjeruar, të superndërmarrjeve shtetërore që gëllasin buxhetin dhe të kontratave grabitqare të partneritetit publik-privat”, argumenton Preçi.
Turizmi, TVSH-ja rritet nga 6% në 10%
Një tjetër ndryshim i paketës fiskale prek sektorin e turizmit, ku TVSH-ja për subjektet përkatëse propozohet të rritet nga 6% në 10%.
Unioni Turistik nuk e kundërshton domosdoshmërisht nivelin e ri të taksës, duke argumentuar se një normë e unifikuar do të thjeshtonte procedurat për bizneset dhe do të rriste konkurrueshmërinë e sektorit në rajon.
“Ne, si Union Turistik, kemi kërkuar që para 3 vitesh të kemi një TVSH prej 10% për të gjitha shërbimet që përfshijnë sektorin e turizmit, sepse kjo do ta thjeshtonte procedurën dhe do të na bënte më konkurrues me vendet e tjera të rajonit tonë”, thuhet në deklaratën e shoqatës.
Për ekspertët e ALTAX, rritja e numrit të tatimpaguesve mund të sjellë gjithashtu vështirësi në zbatimin e njëtrajtshëm të legjislacionit nga administrata tatimore, nëse kapacitetet e saj nuk janë të mjaftueshme për të përballuar volumin e shtuar.
“Kjo nuk sjell automatikisht më shumë korrupsion, por mund të shtojë rrezikun e trajtimit selektiv, interpretimeve të ndryshme dhe presionit informal, nëse kontrollet, gjobat dhe procedurat e ankimit nuk zbatohen në mënyrë të njëtrajtshme. Digjitalizimi, udhëzimet e qarta dhe publikimi i praktikave administrative janë elemente thelbësore mbrojtëse”, thotë ALTAX.
Kryeministri Edi Rama njoftoi gjithashtu se taksa e qarkullimit do të hiqet nga çmimi i karburantit dhe do të kthehet në një detyrim vjetor për automjetet. Sipas njoftimit të qeverisë, çmimi i naftës në pompë pritet të ulet me të paktën 32,4 lekë për litër, sa është vlera e taksës.
Kryeministri njoftoi edhe vendosjen e një “supertakse” për influencerët, banesat bosh dhe vilat në bregdet.
Në relacionet përkatëse, qeveria e argumenton pjesën më të madhe të ndryshimeve me nevojën për formalizimin e ekonomisë. Sipas përllogaritjeve të prezantuara, masat pritet t’i sjellin buxhetit të shtetit rreth 150 milionë euro të ardhura shtesë në vit.
Përtej ndryshimeve konkrete, paketën fiskale e shoqëron një kundërshtim i gjerë nga organizatat e biznesit. Kritikat përqendrohen te rritja e barrës tatimore, ndikimi mbi konkurrueshmërinë dhe mundësia që kostot shtesë të përkthehen në çmime më të larta për konsumatorët.
Shoqatat e biznesit kanë kërkuar rishikimin e propozimeve, duke pretenduar se nuk janë konsultuar paraprakisht për ndryshimet.
Dhoma Amerikane e Tregtisë ka paralajmëruar se masat mund të ndikojnë negativisht në klimën e investimeve, ndërsa Confindustria Albania ka vënë në dukje ndryshimin e politikës së qeverisë për tatimin mbi fitimin. FIAA, nga ana tjetër, ka kërkuar më shumë kohë dhe konsultim përpara zbatimit të ndryshimeve.
Kritikat janë përforcuar edhe nga opozita. Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e ka cilësuar paketën si një goditje ndaj biznesit, pasojat e së cilës, sipas tij, do të përhapen te konsumatorët përmes rritjes së çmimeve.
“Kjo rritje taksash shënon një falimentim të mëtejshëm, por dhe rritje të mëtejshme të çmimeve për shqiptarët. Dhe kur mendon se të gjitha këto përfundojnë në xhepat dhe llogaritë bankare të një organizate kriminale, krimi bëhet monstruoz.”
Paketë fiskale apo elektorale?
Eksperti i ekonomisë Zef Preçi e sheh paketën si një nismë me motiv politik dhe elektoral më shumë sesa fiskal. Sipas tij, lehtësimet e prezantuara nga qeveria për konsumatorët dhe pagat shoqërohen me rritje të tjera tatimore, të cilat kompensojnë një pjesë të përfitimeve.
“Para zgjedhjeve qeveritë normalisht shpërndajnë lehtësime me dorën e djathtë dhe i marrin me të majtën përmes çmimeve, akcizave e TVSH-së – dhe kjo paketë ndjek pikërisht atë model. Pra po, ky është një paketë fiskale me funksion politik e elektoral dhe duhet lexuar me rezervë”, thotë eksperti.
Preçi e lidh rishfaqjen e paketës me klimën e tensionuar politike dhe protestat e fundit, duke argumentuar se mënyra se si janë prezantuar masat krijon perceptimin se qeveria po mbron shtresat më vulnerabël dhe po rrit barrën për kategoritë me të ardhura më të larta.
“Lidhja është e pakapërcyeshme për këdo që ndjek kronologjinë: paketa u riprezantua nga kryeministri pikërisht pas valës së protestave, me dhjetë masa të punësuara si reagim social – “do zbusim hendekun mes të pasurve dhe të varfërve” – ku ulja e TVSH-së për ushqimet dhe heqja e taksës së karburantit shiten si lehtësim, ndërsa rritja e dividendit dhe taksimi i pagave mbi 700 mijë lekë prezantohen si goditje ndaj “të mëdhenjve”. Është retorikë që kërkon të qetësojë rrugën, por nuk prek strukturat e favorizimit dhe të shpenzimit joproduktiv”, përfundon eksperti.
Nga ana tjetër, qeveria e prezanton paketën si një reformë progresive, ku ata që fitojnë më shumë paguajnë më shumë. Por kritikat e ekspertëve, biznesit dhe opozitës përqendrohen te mundësia që një pjesë e barrës së re fiskale të përfundojë te konsumatorët, përmes çmimeve dhe kostove më të larta.
Në ekonomi, ky fenomen njihet si “iluzioni fiskal”, ku retorika politike ndikon në perceptimin e qytetarëve për barrën reale të taksave që paguajnë./ Gisela Troplini, shteg.org
Artikuj te sugjeruar
SOCIALE
2 November12:34
Del renditja botërore e performancës së nxënësve për vitin 2026, ja në cilin vend pozicionohet Shqipëria
Shqipëria renditet në vendin e 47-të në klasifikimin ndërkombëtar të performancës së nxënësve 15-vje&cce...
SOCIALE
2 November07:39
Mungesa e barnave me rimbursim në 2025, KLSH: Pacientët paguan miliona lekë nga xhepi
Pacientët shqiptarë janë përballur me rreth 11.3 milionë lekë kosto shtesë për barnat, për shkak të munges&eum...
SOCIALE
30 October22:00
Tabelat/ Dyfishohet taksa vjetore e makinave. Automjetet e vjetra dhe ato me naftë do paguajnë më shumë
Sa më i madh motori dhe sa më e vjetër makina, aq më e lartë do të jetë pagesa e taksës vjetore që do të shly...
SOCIALE
29 October07:15
Buxheti 2027, fondet shtesë për pensionet dhe bonusin mundësojnë 1,500 lekë më shumë në muaj
Fondet shtesë që qeveria parashikon për politikat e reja të pensioneve dhe bonusin e pensionistëve në vitin 2027 përfaqë...
SOCIALE
28 October23:02
“I dërrmon profesionet e lira, dëmton shtresën e mesme”, Tomorri dhe Sejamini rendisin gabimet e paketës fiskale
Gazetari i njohur Klodian Tomori tha se ndryshimet në paketën fskale që prezantoi sot kryeministri Edi Rama janë “dërrmuese&rdquo...
SOCIALE
26 October18:30
Të rinjtë shqiptarë, të fundit në Europë për të ardhurat sipas fuqisë blerëse
Të rinjtë shqiptarë janë ndër më të varfrit në Europë për sa u përket të ardhurave të familjeve...
SOCIALE
26 October12:59
Fëmijët, më të rrezikuarit nga varfëria në Shqipëri, gati dyfish më shumë se të moshuarit
Fëmijët janë grup-mosha më e rrezikuar nga varfëria në Shqipëri, me një probabilitet pothuajse dy herë më t&...
SOCIALE
23 October20:34
Protestat pezullojnë shfaqjet në institucionet kulturore në Tiranë
Aktivitetet kulturore janë ndikuar nga protestat që u përshkallëzuan me përplasje të dhunshme në Tiranë.
Të pakt&e...
SOCIALE
23 October20:13
Qytetarët që zotërojnë automjetet e dala jashtë përdorimit do t’i dorëzojnë pa pagesë për shkatërrim dhe riciklim
Qytetarët që zotërojnë automjete të dala jashtë përdorimit do të mund t’i dorëzojnë ato pa pagesë p...