Pas vitesh përplasjesh, Brad Pitt dhe Angelina Jolie arrijnë marrëveshje jashtë gjykatës

Brad Pitt dhe Angelina Jolie kanë arritur një marrëveshje jashtë gjykatës, duke i dhënë fund përplasjes së tyre të gjatë ligjore për pronësinë dhe shitjen e vreshtarisë franceze Château Miraval. Ish-çifti ka kërkuar të mërkurën të tërheqë paditë e ngritura kundër njëri-tjetrit, duke shmangur kështu një gjyq të bujshëm që ishte parashikuar të zhvillohej në Los Angeles në fillim të vitit të ardhshëm.
Detajet dhe kushtet e marrëveshjes nuk janë bërë publike. Megjithatë, përfaqësuesit e të dy aktorëve konfirmuan arritjen e një zgjidhjeje dhe publikuan një deklaratë të përbashkët, ku theksuan se vendimi është marrë në interes të familjes.
“Kemi arritur një zgjidhje jashtë gjykatës në interesin më të mirë të familjes sonë dhe nuk do të bëjmë asnjë koment tjetër”, thuhet në deklaratë. Përfaqësuesit shtuan gjithashtu se komentet e publikuara në media, të cilat u atribuohen burimeve pranë çiftit, nuk vijnë nga asnjëri prej tyre apo nga njerëz të afërt.
Përplasja nisi pas shitjes së pronës në Francë
Beteja ligjore mes Pitt dhe Jolie për Château Miraval zgjati disa vite dhe u shoqërua me akuza të rënda nga të dyja palët. Konflikti nisi pas vendimit të aktores për të shitur pjesën e saj në pronën franceze, ndërsa më vonë në proces u përfshinë edhe pretendime për dhunë në familje.
Pitt, 62 vjeç, dhe Jolie, 51 vjeçe, kanë gjashtë fëmijë: Maddox, Pax, Zahara, Shiloh dhe binjakët Knox e Vivienne. Sipas raportimeve në media, aktori është i larguar nga fëmijët e tij, ndërsa katër prej tyre kanë nisur zyrtarisht procedurat për të hequr mbiemrin e tij.
Historia e çiftit nisi në vitin 2005, kur ata u njohën gjatë xhirimeve të filmit “Mr. & Mrs. Smith”. Pas disa vitesh lidhjeje, u martuan në vitin 2014, por u ndanë dy vite më vonë, në vitin 2016.
Pitt dhe Jolie blenë Château Miraval në vitin 2008, për rreth 28.4 milionë dollarë. Prona, e shtrirë në rreth 1,200 akra në jug të Francës, përfshin edhe një vreshtari të njohur. Në vitin 2021, vlera e saj raportohej të ishte rreth 164 milionë dollarë.
Pas ndarjes, Jolie thuhet se kishte planifikuar t’ia shiste pjesën e saj ish-bashkëshortit, por negociatat dështuan. Sipas raportimeve, një nga pikat e mosmarrëveshjes ishte kërkesa e pretenduar e Pitt që aktorja të nënshkruante një marrëveshje konfidencialiteti, e cila do ta pengonte të fliste publikisht për akuzat e saj ndaj tij.
Në vitin 2021, Jolie ia shiti aksionet e saj në Château Miraval biznesmenit miliarder Yuri Scheffler, për rreth 64 milionë dollarë. Pitt e paditi më pas ish-bashkëshorten, duke pretenduar se ajo kishte shkelur një marrëveshje mes tyre, sipas së cilës asnjëri nuk mund të shiste pjesën e vet pa miratimin e tjetrit.
Padia u pasua nga një kundërpadi e Jolie, e cila e akuzoi aktorin për dhunë fizike dhe emocionale ndaj saj dhe njërit prej fëmijëve të tyre gjatë një fluturimi me avion në vitin 2016.
Në dokumentet gjyqësore të paraqitura në vitin 2022, Jolie pretendonte se gjatë udhëtimit Pitt kishte ushtruar dhunë ndaj saj dhe fëmijëve, të cilët në atë kohë ishin nga 8 deri në 15 vjeç. Sipas versionit të saj, aktori e kishte kapur nga koka dhe supet, e kishte tundur dhe më pas e kishte shtyrë drejt murit të banjës së avionit. Dokumentet përmbanin gjithashtu pretendime se ai kishte mbytur njërin prej fëmijëve dhe kishte goditur një tjetër në fytyrë.
Lexo edhe
SHOWBIZ
“Përshëndetje shqiptarë, ju dua shumë”, grimeri Kevin Kodra takohet me Bebe Rexhën

Akuza për materiale p*rnografike me të mitur/ Gjykata urdhëron transferimin e Thomas Markle në Kaliforni, rrezikon deri në 40 vite burg

Prezantuesja televizive humb jetën në një aksident tragjik, vetëm pak pasi festoi ditëlindjen

Sot nëna e saj do të festonte ditëlindjen, ish-banorja e “Big Brother”-it rrëqeth me dedikimin: Urime në parajsë mami jem

Dyshja e bashkëshortëve me kërkesë të pazakontë në BBVK: Vëllai i Madh, na lejo të bëjmë marrdh*nie intime





