Editorial Emisione Investigime Aktualitet Sociale Politikë Kosova Bota Showbiz Lifestyle Sport
TË FUNDIT
EMRI/ U ekzekutua në Spanjë, kush është 39-vjeçari shqiptar i vrarë me armë zjarri  PS i përgjigjet Veliajt për mbledhjen e Asamblesë: Merru me organet e drejtësisë, jo të partisë! Larje hesapesh/ Detaje të reja nga ekzekutimi i shqiptarit në Spanjë, autori ikën me skuter Aksident i rëndë në aksin Gjirokastër-Kakavijë, përplaset për vdekje 64-vjeçari Eurodeputeti gjerman, Michael Gahler: Qeveria teknike do t’u japë shpresë qytetarëve shqiptarë për zgjedhje... Vrasja e Ardian Nikulajt/ Nis gjyqi në Apel për portugezin Ruben Saraiva, kërkohet rrëzimi i burgimit të pë... Xhixho: Buxheti 2027 për Arsimin, prova se kjo qeveri nuk ka reflektuar ndaj protestës 'Nga Blloku luksoz te perandoria e kokainës në Britani'/ Si u pasuruan bandat shqiptare dhe si paratë e dro... Noizy në GJKKO: Edhe para dy muajsh më vunë eksploziv në një karton pice Viola Haxhiademi largohet nga drejtimi i KESH, ja kush emërohet Hetimet për “Albanian Files”, Lubonja: Janë formale, s’kam parë që të thirret Rama 80 miliardë dollarë në lojë! A rrezikon CEO i Nvidia-s divorcin më të shtrenjtë në histori pas tradhtisë nd...
POLITIKE

Ish-ministri i Ramës ngre alarmin për SHISH: Gjëmë e madhe, inteligjenca kombëtare jashtë kontrollit

P
Piranjat28 September 2026, 21:06 · 8 min lexim
Ish-ministri i Ramës ngre alarmin për SHISH: Gjëmë e madhe,

Ish-ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ka kërkuar një reformim të thellë të Shërbimit Informativ të Shtetit, duke deklaruar se ndërhyrja në këtë institucion duhej të ishte bërë që 30 vite më parë.

Duke folur në emisionin “Off the Record” të Andrea Dangllit në A2CNN, Lleshaj u ndal te ndalimi i drejtueses së Shërbimit Informativ, të cilin e cilësoi një zhvillim të paprecedentë që nuk mund të trajtohet si një ngjarje e zakonshme.

Sipas tij, pavarësisht interpretimeve të ndryshme që po i bëhen çështjes, fakti që drejtuesja e institucionit kryesor të inteligjencës është vendosur nën akuzë për lidhje me krimin kërkon një reagim serioz të shtetit.

“Ne nuk duhet ta marrim lehtë këtë që po shohim, këtë që po zhvillohet ndërkohë që ne flasim. Pavarësisht se zëra të ndryshëm e përkthejnë në trajta nga më të ndryshmet. Disa e përkthejnë si një fitore të madhe, si një arritje të madhe; disa e përkthejnë si një gjëmë të madhe; disa ndoshta e shohin sikur nuk ka ndodhur gjë. Por kjo është një situatë e cila nuk mund të neglizhohet si zakonisht. Është një situatë e veçantë, sepse kemi të bëjmë me diçka të paprecedentë”, tha Lleshaj.

Ish-ministri përdori tone edhe më të forta kur foli për përplasjen mes drejtueses së Shërbimit dhe SPAK-ut. Për Lleshajn, vetë fakti që sistemi ka arritur në këtë pikë tregon se kemi të bëjmë me një ngjarje shumë më të madhe sesa një procedim penal individual.

“Ndalimi i Shefit të Shërbimit Informativ është një ngjarje e paprecedentë. Ngado që ta marrësh, diçka është çmendur këtu: ose është çmendur shefja e Shërbimit Informativ ose është çmendur SPAK-u, ose janë çmendur të dy. Por kjo gjë nuk është diçka që mund të kalojë me fjali të thjeshta dhe të përsëritura. Është një gjëmë e madhe. Shefi i Shërbimit Informativ të Shqipërisë është arrestuar për bashkëpunim me banda kriminale. Të paktën ky është dyshimi i Prokurorisë së shtetit shqiptar dhe i një gjykate shqiptare”, deklaroi ai.

Lleshaj kërkoi që çështja penale të ndahet nga problemi institucional. Sipas tij, me përgjegjësinë penale duhet të merren Prokuroria dhe Gjykata, ndërsa shteti duhet të përqendrohet menjëherë te pasojat që ngjarja mund të ketë shkaktuar brenda sistemit të inteligjencës.


“Kjo nuk është vetëm çështje penale. Është reduktim deri në nivelin e papërgjegjshmërisë ta quajmë vetëm penale. Kjo është në radhë të parë një çështje e shtetit, e politikës, e administratës, e moralit politik, e moralit shoqëror. Ka shumë dimensione të cilat duhen marrë në konsideratë. Më imediatja është të ruajmë Shërbimin. Rëndësia e dorës së parë sot është që të ndalojmë dëmin e mëtejshëm, sepse është konstatuar një çarje e madhe në sistemin e inteligjencës kombëtare”, u shpreh ish-ministri.

Një prej pikave më alarmante të ngritura prej tij lidhet me informacionet që mund të kenë dalë nga SHISH. Lleshaj tha se duhet përcaktuar menjëherë shkalla e dëmit, pasi funksionimi i një shërbimi inteligjent mbështetet pikërisht mbi sekretin dhe besimin.

“Pastaj duhet verifikuar deri ku ka shkuar dëmi. Duhet të dimë që Shërbimi jeton nga konfidenca, nga sekreti. Në qoftë se ne kemi pasur një shërbim prej të cilit kanë rrjedhur informacionet, besoj mund të kenë rrjedhur dhe informacionet për bashkëpunëtorët e tij, që do të ishte një goditje fatale për gjithë sistemin e sigurisë dhe të inteligjencës kombëtare. Duhet parë niveli i dëmit dhe duhet filluar puna për riparimin e tij”, deklaroi Lleshaj.

Por për ish-ministrin problemi shkon përtej ngjarjes së fundit. Ai argumenton se vetë baza ligjore mbi të cilën funksionon SHISH është e vjetruar dhe se reforma e Shërbimit është vonuar për dekada.

Sipas tij, ligji për SHISH është miratuar në vitin 1998, përpara Kushtetutës aktuale, dhe mbështetet te dispozitat kushtetuese të vitit 1991.

“Duhet një reformim dhe është dashur jo sot, por është dashur para 30 vitesh. Nuk është bërë. Shërbimi Informativ i shtetit shqiptar është themeluar me një ligj në vitin 1998, përpara se Shqipëria të bëhej me Kushtetutën që ka sot. Ligji i Shërbimit Informativ të Shtetit bazohet në dispozitat kushtetuese të 1991, që ishin rrënojat e Kushtetutës së 1976-ës të Enver Hoxhës. Ky ligj i Shërbimit nuk ka lidhje me Kushtetutën tonë. I referohet një Kushtetute tjetër, të rrëzuar, dhe nuk është prekur kurrë”, tha ai.

Lleshaj ngriti gjithashtu alarmin për mungesën e kontrollit mbi SHISH, duke deklaruar se ligji aktual i jep institucionit kompetenca që mund të bëhen të rrezikshme për të drejtat dhe liritë e qytetarëve.

“Shërbimi ynë Informativ praktikisht është një shërbim që nuk kontrollohet nga askush. Ndërkohë që një shërbim inteligjent i një vendi normal demokratik, aq më tepër të një vendi të NATO-s, është institucioni më i kontrolluar i vendit, që kontrollohet nga disa nivele dhe nga disa këndvështrime. Madje, edhe publiku në shërbimet moderne ka të drejtën e kontrollit përmes përfaqësuesve publikë, sigurisht të aprovuar nga Kuvendi”, theksoi Lleshaj.

Ai kërkoi ngritjen e disa niveleve të kontrollit mbi Shërbimin, nga Parlamenti te administrata dhe përfaqësuesit e publikut, me qëllim që veprimtaria e inteligjencës të qëndrojë brenda kufijve ligjorë.

“Modelet e vendeve demokratike janë njëlloj dhe parimi numër një i tyre është përgjegjshmëria, llogaridhënia, kontrolli parlamentar, kontrolli administrativ, kontrolli publik. Pra, disa nivele kontrolli në mënyrë që Shërbimi të qëndrojë brenda hullive ligjore dhe të mos kompromentojë të drejtat e njeriut në funksion të sigurisë, sepse gjithmonë ka një balancë midis sigurisë dhe lirisë individuale”, tha ish-ministri.

Në fund, Lleshaj paralajmëroi se rasti i fundit mund të jetë vetëm një episod i zbuluar i një problemi shumë më të madh, pikërisht për shkak të mungesës së mekanizmave të fortë të kontrollit.

“Këto gjëra nuk janë trajtuar dhe është nevojë imediate, kombëtare që këto gjëra të zgjidhen, sepse ajo që ndodhi është vetëm një episod i radhës që është kapur, që mund të ketë ndodhur dhe 100 herë të tjera dhe nuk është kapur”, përfundoi Lleshaj.

SHPËRNDAJE

Lexo edhe

POLITIKE

Me rëndësi

Ndiqni Piranjat kudo.

Investigime, denoncime dhe satirë — zëri që nuk hesht.