Editorial Emisione Investigime Aktualitet Sociale Politikë Kosova Bota Showbiz Lifestyle Sport
TË FUNDIT
Shqipëria ndan më pak të ardhura për më të varfrit se i gjithë rajoni Horoskopi/ Surpriza në dashuri për disa shenja, vështirësi financiare për të tjerat! Taksë qarkullimi apo rritje taksës së makinës, ku është pagesa më e drejtë? Shqipëria mbyll llogaritë, ngjitet në Ligën B, triumf me zemër ndaj Bjellorusisë Gazeta amerikane shpjegon pse u shty Samiti i NATO-s në Tiranë Rrjetet kineze të pastrimit të parave në shërbim të karteleve meksikane, si bashkëpunojnë me mafian shqipta... Ndjekja nga policia/ 40-vjeçari shqiptar gëlltit kokainën, në gjendje kritike në spital Kremlini: Nëse nuk do të ketë marrëveshje me Evropën, do të përdorim forcën! Vranë barbarisht studenten, mbrojtja rikthen çështjen në Gjykatën e Lartë. Ja prova për të riun shqiptar ... “Më kthe 5 eurot ose…”/ Zbardhet e vërteta mbi fatin e Artjol Ramajt. Trupin autori e hodhi në pyll për…... Rruga në Mallakastër e pakalueshme prej 8 vitesh/ Banorët denoncojnë dëmtimet nga transporti i druve Kishte ikur në mëngjes nga banesa - Gjendet pa shenja jete në lumin Devoll e moshuara
AKTUALITET

Shqipëria ndan më pak të ardhura për më të varfrit se i gjithë rajoni

Shqipëria ka nivelin më të ulët të të ardhurave që përfiton shtresa më e varfër e popullsisë në krahasim me të gjitha vendet

P
Piranjat16 November 2026, 07:08 · 4 min lexim
Shqipëria ndan më pak të ardhura për më të varfrit

Shqipëria ka nivelin më të ulët të të ardhurave që përfiton shtresa më e varfër e popullsisë në krahasim me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në vitin 2025, 20% e popullsisë me të ardhurat më të ulëta përfitonte vetëm 3.6% të totalit të të ardhurave pas taksave, sipas të dhënave krahasuese rajonale nga Instituti i Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare (wiiw).

Kjo është pesha më e ulët në rajon dhe dëshmon një shpërndarje më të pabarabartë te të ardhurave në dëm të shtresës më të varfër.

Treguesi mat se çfarë pjese te të ardhurave totale të popullsisë merr një e pesta e individëve me të ardhurat më të ulëta, pasi janë zbritur taksat dhe janë përfshirë transfertat sociale. Sa më e ulët të jetë kjo përqindje, aq më e vogël është pjesa e të ardhurave që përfiton grupi më i varfër në raport me pjesën tjetër të shoqërisë.

Në Shqipëri, për çdo 100 lekë të ardhura të disponueshme që siguron e gjithë popullsia, vetëm 3.6 lekë u takojnë 20% të individëve me të ardhurat më të ulëta, ndërsa 96.4 lekët e tjera shpërndahen te pjesa tjetër e popullsisë.

Diferenca është veçanërisht e madhe me Kosovën, ku një e pesta e popullsisë me të ardhurat më të ulëta përfiton 6.6% të totalit të të ardhurave pas taksave. Pesha e të ardhurave të kësaj shtrese në Kosovë është gati 1.8 herë më e lartë se në Shqipëri.

Edhe vendet e tjera të rajonit kanë një shpërndarje më të favorshme për grupin me të ardhurat më të ulëta. Në Malin e Zi, 20% e popullsisë më të varfër përfiton 4.4% të të ardhurave totale, në Bosnjë-Hercegovinë 4.3%, në Serbi 4.1% dhe në Maqedoninë e Veriut 4%.

Megjithëse diferencat me disa prej vendeve janë më të vogla se me Kosovën, Shqipëria mbetet e fundit në rajon për pjesën e të ardhurave që shkon te shtresa më e varfër.

Pesha e ulët e të ardhurave të 20% të popullsisë më të varfër është një tregues i rëndësishëm i pabarazisë ekonomike dhe i pozitës së dobët financiare të kësaj shtrese në raport me pjesën tjetër të shoqërisë.

Një vend mund të ketë një pjesë më të ulët të të ardhurave për shtresën më të varfër, por një nivel më të lartë të ardhurash mesatare. Për të vlerësuar varfërinë reale duhen marrë në konsideratë edhe të ardhurat konkrete të familjeve, kostoja e jetesës dhe përqindja e popullsisë që jeton nën pragun e varfërisë.

Për Shqipërinë, të dhënat e vitit 2025 evidentojnë se grupi me të ardhurat më të ulëta merr një pjesë më të vogël të të ardhurave totale se në çdo vend tjetër të rajonit. Kjo e bën këtë shtresë veçanërisht të ndjeshme ndaj rritjes së çmimeve dhe shpenzimeve të domosdoshme, pasi familjet me të ardhura të pakta kanë më pak hapësirë financiare për të përballuar kostot e ushqimeve, banesës dhe shërbimeve bazë.

Treguesi ngre gjithashtu çështjen e efektivitetit të politikave të rishpërndarjes së të ardhurave, përfshirë sistemin e taksave dhe transfertat sociale, pasi diferenca mbetet e lartë edhe pas përfshirjes së tyre në të ardhurat e disponueshme të popullsisë./Monitor 

SHPËRNDAJE

Lexo edhe

AKTUALITET

Me rëndësi

Ndiqni Piranjat kudo.

Investigime, denoncime dhe satirë — zëri që nuk hesht.