Thatësira dhe probleme me furnizimin me ujë, Fixhi shpall gjendje katastrofe kombëtare për shkak të El Niño

Fixhi ka shpallur gjendje katastrofe kombëtare për shkak të një thatësire të rëndë, e lidhur me fenomenin klimatik El Niño, e cila ka arritur nivele kritike dhe po kërcënon rezervat ujore, bujqësinë dhe blegtorinë në arkipelagun e Paqësorit Jugor.
Mungesa e zgjatur e reshjeve ka shkaktuar një situatë emergjente në disa zona të vendit, ku rezervat e ujit kanë rënë në nivele alarmante. Autoritetet janë detyruar të mobilizojnë cisterna për furnizimin e fshatrave që po përballen me mungesa të mëdha të ujit të pijshëm.
Thatësira lidhet drejtpërdrejt me fenomenin El Niño, i cili shkakton rritjen e temperaturave të ujërave sipërfaqësore në Oqeanin Paqësor dhe sjell ndryshime në modelet e erërave, temperaturat dhe reshjet në pjesë të ndryshme të globit. Në ishujt e Paqësorit, ky fenomen kufizon reshjet tropikale, duke përkeqësuar kushtet për furnizimin me ujë dhe zhvillimin e bimësisë.
Ekspertët paralajmërojnë se fenomeni aktual El Niño mund të jetë ndër më të fuqishmit e regjistruar ndonjëherë.
Kryeministri i Fixhit, Sitthiveni Rambukka, tha se situata ka shkaktuar shqetësim të madh te banorët, të cilët po përballen me pasigurinë për furnizimin me ujë dhe pasojat e thatësirës në jetën e përditshme.
“Familjet në të gjithë Fixhin janë të shqetësuara për disponueshmërinë e ujit dhe ndikimin që thatësira e zgjatur po ka në jetën e tyre të përditshme”, deklaroi ai të mërkurën.
Kreu i qeverisë theksoi gjithashtu vështirësitë e fermerëve, të cilët po përballen me rrezikun e dëmtimit të të korrave dhe humbjes së bagëtive.
“Prodhuesit janë të shqetësuar për të korrat dhe kafshët e tyre. Këto shqetësime janë reale”, u shpreh Rambukka.
Shpallja e gjendjes së katastrofës kombëtare i mundëson qeverisë të ndërmarrë masa të jashtëzakonshme për përballimin e krizës, përfshirë kufizimin e konsumit të ujit, evakuimin e detyrueshëm të zonave më të prekura dhe rialokimin e fondeve publike për operacionet e ndihmës.
Përballë situatës, kryeministri u bëri thirrje qytetarëve të kursejnë ujin, të përdorin me përgjegjësi burimet e disponueshme dhe të bashkëpunojnë për të përballuar pasojat e ndryshimeve klimatike.
“Ne nuk mund ta kontrollojmë klimën, por mund të veprojmë menjëherë, të përdorim burimet tona me përgjegjësi dhe të qëndrojmë të bashkuar kundër ndikimeve të saj”, deklaroi ai.
Lexo edhe
BOTA
Sulmet ruse godasin infrastrukturën energjetike në Ukrainë, pesë rajone mbeten pa energji elektrike

Anthropic thyen rekordin e SpaceX, mbledh 107.3 miliardë dollarë në IPO dhe arrin vlerësimin 1.5 trilionë dollarë

Deklaratë e përbashkët SHBA-Kinë-Rusi pas takimit të liderëve, çfarë u dakordësua për armët bërthamore, energjinë dhe Gjykatën Penale Ndë...

Konflikti mes të dënuarve në burgun e Shkodrës, një i arrestuar dhe një tjetër nën hetim, gjendet telefon në qeli

Harrojeni “123456”, një fjalë e pazakontë është fjalëkalimi më i përdorur në Zvicër






