Tjetërsimi i tokave në Dhërmi, GJKKO e njeh si “viktimë” kompaninë e Gaçit
Gjykata e Posaçme vendosi të mërkurën të pranojë kërkesën e shoqërisë “AG.TCC" sh.p.k. të zotëruar nga Artan Gaçi, bashkëshorti i

Gjykata e Posaçme vendosi të mërkurën të pranojë kërkesën e shoqërisë “AG.TCC” sh.p.k. të zotëruar nga Artan Gaçi, bashkëshorti i ish-ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka dhe e thirri atë në cilësinë e viktimës në rigjykimin e pjesshëm të çështjes penale në ngarkim të ish-kryetarit të Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, lidhur me tjetërsimin e tokave në bregdet.
Vendimi i ndërmjetëm u mor nga gjyqtarja Irena Gjoka, e cila argumentoi se kjo bazohet në një vendim të Gjykatës së Lartë, që e çmoi pjesërisht të gabuar vendimarrjen e Gjykatës së Apelit për shkak se kompania e Gaçit nuk ishte konsideruar si viktimë.
Gjykata e Lartë vendosi mospranimin e rekursit të Goros, i cili u dënua me 2 vjet e 20 ditë burg për veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Në anën tjetër, Gjykata e Lartë prishi vendimin e Apelit lidhur me konfiskimin e tokës në Dhërmi dhe e dërgoi çështjen për rigjykim në shkallë të parë, me një trupë tjetër gjykuese.
Ish-kryetari i Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro u shpall fajtor së bashku me vartës të tij dhe zyrtarë të Kadastrës, pasi mundësuan kalimin e një sipërfaqe tokë shtet në pronësi të privatëve, përmes dokumenteve të falsifikuara. Toka u ble më pas nga kompania e Gaçit, e cila fitoi statusin e investitorit strategjik për ndërtimin e një hoteli në Dhërmi.
Sipërfaqja e tokës ku Gaçi do të ndërtonte u sekuestrua dhe më vonë u konfiskua. Por kjo çështje është rikthyer tashmë në gjykim, pasi shumica e Kolegjit të Gjykatës së Lartë e përbërë nga gjyqtarët Ilir Panda dhe Genti Shala, vlerësoi se shoqëria “AG.TCC” konsiderohet viktimë e veprës penale, pasi ka pësuar një dëm ekonomik si rrjedhojë e veprës penale të kryer nga Goro.
Gjyqtarja Albana Boksi doli në pakicë, duke argumentuar se në këtë rast, viktimë e veprës penale mund të cilësohet shteti shqiptar si pronar legjitim i pasurive objekt konfiskimi. Sipas gjyqtares Boksi, shoqëria AG.TCC sh.p.k. e zotëruar nga Gaçi, jo vetëm që nuk ka pozitën e viktimës së veprës penale, por nga aktet ka rezultuar se ndaj shoqërisë dhe pronarit janë kryer hetime në raport me faktin penal, ndonëse nuk është shënuar emri në regjistrimin përkatës.
Në seancë, u paraqitën edhe përfaqësuesit ligjorë të shoqërisë Generate shpk, të cilët pretenduan se kishin tokë në bashkëpronësi me AG.TTC sh.p.k., duke kërkuar që të njiheshin në cilësinë e viktimës në gjykim. Kërkesa u pranua nga gjykata dhe seanca e radhës u shty për në datën 18 nëntor, ora 13:00. /Reporter/
Lexo edhe
AKTUALITET
Protesta/ Arrestohen Goxhaj dhe Edison Lika, policia spërkat qytetarët me spraj me piper në fytyrë

EMRI/ E fshehur brenda çantës në derën e pasme të furgonit, kapet 1 kg kokainë në Muriqan

“Mos i prek gocat! Terroristë!”/ Tensionet para Kryeministrisë, qytetarët bllokojnë furgonin e policisë, efektivët shtyjnë qytetarët...

Shpërthimi në pallatin 5-katësh në Elbasan, identifikohet viktima! Mister fati i 69-vjeçarit të mbetur mes rrënojave

“U dogjën të gjitha, u bënë shkrumb”, banorët rrëfejnë momentet e tmerrit nga shpërthimi në Elbasan





