Tradhtia shkak i vrasjes së 61-vjeçarit? Pas krimit, nënë e bir hodhën rrobat në tualet
Detaje tronditëse janë zbardhur nga vrasja e Urim Fikut në fshatin Godvi të Bulqizës, ku bashkëshortja dhe djali i tij

Detaje tronditëse janë zbardhur nga vrasja e Urim Fikut në fshatin Godvi të Bulqizës, ku bashkëshortja dhe djali i tij dyshohet se kanë tentuar të fshihnin gjurmët e krimit, duke e paraqitur ngjarjen fillimisht si një sulm fatal nga një ari.
Sipas të dhënave të bëra publike nga hetimet dhe raportimit të mediave, 61-vjeçari dyshohet se është qëlluar fillimisht me pistoletë pas shpine, me plumbin që ka përshkuar trupin dhe ka dalë në pjesën e gjoksit. Përveç plagës së shkaktuar nga arma e zjarrit, ekspertët mjekoligjorë kanë konstatuar edhe një dëmtim të rëndë në kokë, që dyshohet se është shkaktuar me sëpatë.
Por ajo që e bën edhe më tronditëse ngjarjen janë veprimet që dyshohet se kanë kryer familjarët pas vrasjes. Për të fshehur plagën e shkaktuar nga arma e zjarrit, bashkëshortja dhe djali dyshohet se i kanë hequr rrobat viktimës dhe e kanë veshur me të tjera.
Sipas hetimeve të raportuara, djali ka prerë me gërshërë rrobat që i kishin hequr të atit dhe më pas i ka hedhur në tualetin e banesës, me qëllim zhdukjen e tyre. Megjithatë, këto veshje janë gjetur dhe sekuestruar nga policia në cilësinë e provës materiale.
Ngjarja dyshohet se ka ndodhur në orët e para të mëngjesit. Fillimisht, familjarët kanë raportuar se Urim Fiku ishte sulmuar nga një ari. Ata e kanë transportuar më pas në spitalin e Bulqizës, me pretendimin se kishin nevojë për ndihmë mjekësore, por bluzat e bardha kanë konstatuar se ai kishte mbërritur pa shenja jete.
Sipas të njëjtit raportim, bashkëshortja dhe djali kanë kërkuar të tërheqin trupin për të vijuar me ceremoninë mortore, por njoftimi i policisë nga mjekët ka bërë që të nisin verifikimet dhe ekspertizat që zbuluan se vdekja nuk kishte ardhur nga sulmi i një kafshe të egër.
Gjatë marrjes në pyetje, bashkëshortja Sadete Fiku dyshohet se ka treguar se motivi i ngjarjes lidhej me xhelozinë, pasi bashkëshorti kishte krijuar një lidhje tjetër jashtëmartesore. Ajo ka pretenduar gjithashtu se arma e përdorur në krim ishte fshehur fillimisht prej saj, ndërsa më pas djali e kishte marrë dhe e kishte çuar në një tjetër vend, pa dijeninë e saj.
Pistoleta është sekuestruar nga policia, pasi vendndodhja e saj është treguar nga djali i viktimës. Në cilësinë e provës materiale janë marrë edhe veshjet që dyshohet se janë përdorur në përpjekjen për të zhdukur gjurmët e krimit.
Për ngjarjen janë arrestuar bashkëshortja dhe djali i 61-vjeçarit, ndaj të cilëve rëndojnë dyshimet për veprat penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit dhe municionit”.
Lexo edhe
AKTUALITET
VIDEO/ Pallati 5 katesh në Elbasan thuajse i shkatërruar! Djali shpëtoi fëmijët po s’mundi të shpëtonte nënën

Tragjike në Itali/ E zuri poshtë porta metalike, ndërron jetë biznesmeni shqiptar (EMRI)

Shpërthimi në apartamentin e fqinjit i mori jetën, kjo është 82-vjeçarja që vdiq në Elbasan

“Dëgjoja djalin që thërriste ‘o ba’ dhe s’e ndihmoja dot!”/ Banori rrëfen tmerrin nga shpërthimi në Elbasan: Më ra dera në kokë...

Aksident në aksin Levan–Vlorë, makina përplas 74-vjeçarin





