VIDEO/ Kaos në seancën e parë të Parlamentit të ri në Izrael

Seanca e parë e parlamentit të ri izraelit, deputetët e të cilit u betuan sot (11/9), u karakterizua nga kaosi, pasi u dominua nga tensionet, debatet, ndërprerjet dhe përplasjet verbale mes politikanëve.
Situata nxori në pah sfidat me të cilat pritet të përballet udhëheqësi i opozitës, Gadi Eisenkot, në përpjekjen për të formuar një qeveri të re.
Presidenti Isaac Herzog, i cili hapi seancën inauguruese, u bëri thirrje forcave të ndryshme politike të gjejnë gjuhën e përbashkët dhe të bëjnë kompromis për formimin e një qeverie të re në Izrael. Megjithatë, përçarjet e thella politike u bënë menjëherë të dukshme gjatë fjalimeve të drejtuesve të partive.
Pak para seancës inauguruese të parlamentit izraelit, Eisenkot u zotua se do të formojë një qeveri të re sa më shpejt të jetë e mundur, duke zëvendësuar qeverinë në largim të rivalit të tij politik, Benjamin Netanyahu.
Në fjalimin e tij pas inaugurimit të Knesetit të ri, Netanyahu përsëriti thirrjen për formimin e një qeverie të unitetit kombëtar. Në të njëjtën kohë, ai ndërmori një tjetër sulm të ashpër ndaj partive arabe Raam dhe Lista e Përbashkët, duke i akuzuar se synojnë shkatërrimin e Izraelit. Ai paralajmëroi gjithashtu kundërshtarët e tij politikë që të mos mbështeten te votat e tyre për formimin e një qeverie të re.
Netanyahu deklaroi se “Irani po punon për të ringjallur kërcënimin bërthamor”, duke shtuar se “e vetmja mënyrë për ta eliminuar përfundimisht këtë kërcënim ekzistencial është rrëzimi i regjimit të ajatollahëve”.
“Përballë këtyre kërcënimeve, duhet të bëjmë një gjë në këtë sallë: të lëmë mënjanë të gjitha konsideratat e tjera dhe të formojmë një qeveri të unitetit kombëtar”, theksoi ai.
Më pas, Netanyahu iu drejtua kundërshtarëve të tij politikë, duke kritikuar ata që po shqyrtojnë mundësinë e krijimit të një qeverie koalicioni me mbështetjen e deputetëve arabë, të cilët i cilësoi si “mbështetës të terrorizmit që e urrejnë Izraelin”.
Eisenkot e cilësoi fjalimin e kryeministrit në largim si “të turpshëm”.
“E dëgjova me kujdes fjalimin mashtrues, përçarës, plot urrejtje dhe të turpshëm të kryeministrit në largim, i cili keqpërdori një ngjarje zyrtare, betimin e Knesetit të 26-të, për qëllime politike”, deklaroi Eisenkot, sipas një komunikate të partisë së tij.
Ai shtoi se “qëndrimi i vazhdueshëm i Netanyahut në pushtet e përçan Izraelin dhe vë në rrezik sigurinë e tij”.
Kryetari i partisë Yisrael Beiteinu, Naftali Bennett, si dhe ligjvënës të tjerë të opozitës, e ndërprenë vazhdimisht Netanyahun gjatë fjalimit të tij, duke kërkuar përgjigje për lidhjet e dyshuara të bashkëpunëtorëve të tij me Katarin, si dhe për refuzimin e tij për të ngritur një komision shtetëror hetimor lidhur me sulmin e udhëhequr nga Hamasi më 7 tetor 2023.
Ndërsa Netanyahu akuzonte partitë arabe se synonin shkatërrimin e Izraelit, Bennett e ndërpreu duke bërtitur:
“Po hetimi për ngjarjet e 7 tetorit? Po këshilltarët tuaj nga Katari? Pse nuk e shpallni Katarin shtet armik?”
Kreu i grupit parlamentar të Likud-it, Ofir Katz, iu përgjigj ashpër Bennettit: “Hetojeni këtë me Tibin dhe Abbasin tuaj”, duke iu referuar deputetit të Listës së Përbashkët, Ahmed Tibit, dhe kreut të partisë Raam, Mansur Abbas.
Ndërkohë, kryetari i Partisë Demokratike, Yair Golan, dhe anëtarë të tjerë të partisë së tij u larguan nga salla plenare në shenjë proteste, ndërsa deputeti Gilad Kariv bërtiti: “Sa para keni marrë nga Katari?”
Edhe gjatë ceremonisë së betimit pati përplasje. Ministri në largim i së djathtës ekstreme, Itamar Ben-Gvir, ndërmori një sulm verbal ndaj deputetit Yousef Jabarin, kreut të fraksionit kryesor arab, Lista e Përbashkët, duke e akuzuar për mbështetje të Hamasit. “Kujt i betohesh për besnikëri, Hamasit?”, e pyeti Ben-Gvir Jabarinin menjëherë pas betimit të këtij të fundit. /PiranjatNews/
בושה! אסור להקים ממשלה מסוכנת עם תומכי הטרור של רע״מ והמשותפת! https://t.co/WeFe49Dsfi
— Benjamin Netanyahu - בנימין נתניהו (@netanyahu) November 10, 2026
Lexo edhe
BOTA
Oficeri i lartë amerikan arrestohet në Britani për spiunazh

Aferë dashurie, spiunë dhe miliarda/ A do çojë drama e jetës së drejtorit të Nvidia në divorcin më të shtrenjtë në histori?

Dy ushtarë në minutë/ Rusia pëson humbje rekord trupash në një ditë

Rusi-Ukrainë, katër orë bisedime/ Rubio: U bënë hapa konstruktivë. Lavrov: Nuk do ulim armët siç kërkon Europa

Zelensky zbardh detajet nga takimi në Abu Dhabi: Prioritet lirimi i pengjeve





