Wall Street Journal: Çfarë mund të nënkuptojë për ekonominë kolapsi i sektorit të inteligjencës artificiale?

Rritja e vrullshme e inteligjencës artificiale është kthyer në një nga motorët kryesorë të ekonomisë amerikane, por investimet gjigante në këtë sektor po shtojnë shqetësimet për krijimin e një flluske financiare, e cila në rast shpërthimi mund të shkaktojë pasoja të rënda për tregjet dhe ekonominë globale.
Frika kryesore lidhet me mundësinë që shpenzimet marramendëse të kompanive të teknologjisë të mos përkthehen në fitimet e pritshme. Sipas një analize të *Wall Street Journal*, investimet në inteligjencën artificiale kontribuuan me rreth 25% në rritjen ekonomike të Shteteve të Bashkuara gjatë vitit të kaluar, sipas vlerësimeve të Barclays. Për këtë arsye, një ngadalësim i sektorit mund të prekë jo vetëm kompanitë teknologjike, por edhe ekonominë amerikane në tërësi.
Shqetësimet rikthejnë në vëmendje krizën e flluskës së internetit në fillim të viteve 2000, kur pritshmëritë e ekzagjeruara për kompanitë dot-com çuan në humbje të mëdha për investitorët. Edhe pse teknologjia e internetit ndryshoi rrënjësisht botën, kjo nuk i shpëtoi kompanitë nga kolapsi financiar.
Dallimi këtë herë është se familjet amerikane kanë një ekspozim edhe më të madh ndaj tregut të aksioneve. Ato përbëjnë rreth 35% të pasurisë së tyre neto, krahasuar me 26% në kulmin e flluskës dot-com. Një rënie e zgjatur e bursave mund të ndikojë drejtpërdrejt në konsumin e qytetarëve, të cilët mund të kufizojnë shpenzimet për shkak të zhvlerësimit të pasurisë së tyre.
Pasojat mund të përhapen edhe në sektorë të tjerë, si shitja me pakicë, industria e automobilave, shërbimet ushqimore, turizmi dhe tregu i pasurive të paluajtshme.
Investimet prej 4.2 trilionë dollarësh në qendrat e të dhënave
Një nga pikat më të ndjeshme të kësaj situate janë investimet masive në ndërtimin e qendrave të të dhënave, të cilat përbëjnë infrastrukturën kryesore për zhvillimin e inteligjencës artificiale.
Shpenzimet kapitale të pesë gjigantëve të teknologjisë, Alphabet, Amazon, Meta, Microsoft dhe Oracle, parashikohet të arrijnë në 4.2 trilionë dollarë deri në fund të vitit 2029.
Këto investime përfshijnë jo vetëm ndërtimin e qendrave të të dhënave, por edhe prodhimin e energjisë, sistemet e ftohjes, pajisjet elektrike dhe gjysmëpërçuesit. Megjithatë, nëse kompanitë vlerësojnë se të ardhurat nga inteligjenca artificiale nuk justifikojnë kostot, ato mund të pezullojnë ose anulojnë projekte të mëdha. Një vendim i tillë do të prekte zinxhirin e furnizimit, kompanitë e ndërtimit, sektorin energjetik dhe mijëra punonjës.
Shqetësim shtesë përbën edhe mënyra e financimit të këtyre projekteve. Përdorimi në rritje i borxhit, kapitalit privat dhe marrëveshjeve komplekse mes kompanive krijon një rrjet lidhjesh financiare, rreziqet e të cilit mund të jenë të vështira për t’u parashikuar.
Humbjet mund të arrijnë deri në 2 trilionë dollarë
Një vlerësim që ka tërhequr vëmendjen është ai i profesorit të Shkollës së Biznesit të Columbia-s, Stein van Nyenburgh. Sipas llogaritjeve të tij, nëse tregu i inteligjencës artificiale do të shembej sot, humbjet nga kreditë e lidhura me qendrat e të dhënave mund të arrinin në 50 miliardë dollarë.
Por nëse investimet vijojnë me të njëjtin ritëm dhe kriza shpërthen pas rreth dy vitesh, dëmet mund të arrijnë deri në 2 trilionë dollarë. Kjo shifër nuk përfshin humbjet e menjëhershme që mund të shkaktohen nga rënia e tregjeve të aksioneve.
Megjithatë, jo të gjithë ekonomistët ndajnë të njëjtin skenar pesimist. Profesori i Harvardit, Jason Furman, vlerëson se edhe një rënie prej 30% e tregjeve të aksioneve, e shoqëruar me ndërprerjen e projekteve për ndërtimin e qendrave të të dhënave, nuk do të çonte domosdoshmërisht SHBA-në në recesion.
Ai argumenton gjithashtu se një pjesë e konsiderueshme e pajisjeve të nevojshme për këto infrastruktura importohet nga jashtë, duke kufizuar ndikimin e drejtpërdrejtë të investimeve në Prodhimin e Brendshëm Bruto amerikan.
Megjithatë, një rënie e kërkesës mund të godasë rëndë ekonomitë aziatike, veçanërisht Tajvanin dhe Korenë e Jugut, të cilat kanë një rol të rëndësishëm në prodhimin e gjysmëpërçuesve dhe pajisjeve elektronike.
Borxhi publik, një tjetër rrezik për ekonominë amerikane
Situata ndërlikohet edhe nga niveli i lartë i borxhit publik të SHBA-së, i cili ka kaluar 100% të PBB-së, krahasuar me rreth 35% përpara krizës financiare të vitit 2008.
Ky nivel borxhi mund të kufizojë mundësitë e qeverisë për të ndërhyrë me paketa të mëdha mbështetëse në rast të një recesioni. Njëkohësisht, mund të mbajë të larta kostot e huamarrjes, edhe nëse Rezerva Federale vendos të ulë normat e interesit.
Në këtë klimë pasigurie, presioni mbi aksionet e kompanive të mëdha të teknologjisë, si Nvidia, Broadcom dhe Micron, po shton dyshimet e investitorëve për kthimin që do të sjellin shpenzimet e mëdha në inteligjencën artificiale.
Në thelb, debati nuk lidhet me rëndësinë e kësaj teknologjie dhe potencialin e saj për të ndryshuar ekonominë dhe jetën e përditshme, por me aftësinë e kompanive për të gjeneruar fitime që justifikojnë trilionat e dollarëve të investuar.
Nëse pritshmëritë rezultojnë të ekzagjeruara, një korrigjim i fortë i tregut mund të mos kufizohet vetëm në Silicon Valley, por të përhapet në ekonominë amerikane dhe më gjerë, duke shkaktuar një tronditje me pasoja për tregjet globale.
Lexo edhe
BOTA
Vrasja e “Papagallit” në Greqi, zbardhet dëshmia e bashkëpunëtorit: Kisha frikë t’i thoja jo

17 orë pengmarrje në një supermarket/ Forcat Speciale shpëtojnë 70 persona, 1 i vrarë

Ekziston një rrezik i madh që kërcënon botën dhe nuk është Inteligjenca Artificiale

Momenti kur babai me të bijën transportojnë me karrocë gruan e vdekur për ta hedhur në kanal

Autoboti përmbyset dhe shpërthen në flakë në Egjipt, 30 të vdekur dhe 15 të plagosur





