Artistët e “atyre” dhe të “këtyre”

Monolog nga Rita Gjeka
Mirëmbrëma.
Jam Rita Gjeka, aktore.
Kam 40 vjet në teatër dhe prapë nuk di t'ju them çfarë profesioni kam. Sepse profesioni i aktorit sot nuk është më aktrimi.
Është përkatësia. Shumë vetë mendojnë se aktorët nuk kanë kurajë të kenë një qëndrim politik. Unë besoj të kundërtën. Aktorët sot nuk e kanë luksin të mos kenë një qëndrim politik. Ata janë të detyruar të kenë një, të vetëm: me ata që qeverisin. Cilëtdo qofshin. Te ne ka dy lloj aktorësh: aktorët e “atyre” dhe aktorët e “këtyre”.
Aktorët e “këtyre” marrin projektet. Duket sikur nuk mund të bëhet projekt pa ta.
Po qëllove që je aktore e “atyre”?
Të fshijnë me gomë!
Por harrojnë që goma nuk mund të funksionojë njësoj për gjithkënd. Ka goma që, sado të përdoren, nuk të fshijnë dot nga mendja e spektatorit. E kur spektatori nuk të harron, nuk të duhen as medaljet. Pastaj ndërrohet pushteti. Gomën e marrin të tjerët. Ndërrojnë rolet – vetëm se jo në skenë, por në jetë. Fshihen këta dhe ata që ishin të fshirë fillojnë të jetojnë si artistë. Deri në rrokadën e radhës.
Edhe një punëtore fabrike ka të drejtën e një vlerësimi në fund të karrierës. Aktorja, nëse është e “atyre”, jo. As një faleminderit. As një lule, qoftë edhe e shtrembër.
Pauzë. Ndërron gjendja.
Ne jemi një familje me dy vetë që jetojmë në dy shtëpi, në dy shtete. Unë në Shkodër, vajza në Padova. Kur flasim në telefon, ndonjëherë e pyes: "Kur po kthehesh?" Por ajo e lë pyetjen në ajër. Sepse përgjigjen unë e di. "Mamë, harroje që vij." Ajo studion psikologji dhe nuk i duhet shumë me e lexue Shqipërinë. Mjafton të lexojë mosmirënjohjen e antivlerave karshi vlerave. Që është në thelb fati i aktorit. I çdo aktori. Çfarë zgjedhjeje do të bëjnë aktorët që po vijnë? Ne po u mësojmë që artist je, nëse u thur lavde “këtyre”, nëse bën lajka e sharje me detyrim. Dhe pastaj, kur ndërrohen pushtetet, “atyre”.
Por gomën nuk e mban dikush i plotfuqishëm. E mbajmë ne. Sa kohë që aktorët e “atyre” dhe aktorët e “këtyre” i pranojnë këto dy role si diçka normale, asgjë nuk do të ndryshojë kurrë. Sepse rolet i ndajnë ata. E heshtjen e zgjedhim ne.
Unë kam qëlluar të jem aktore “e atyre”.
Dhe pres vetëm një gjë: nëse një ditë më shohin thjesht si aktore dhe jo si kolateral i luftës së tyre për pushtet, ndoshta… ndoshta vajzës sime do t’i mbushet mendja të kthehet.
Dhe rolin e nënës që e pret, e di përmendësh.
“Ta dish se nana po ju pret.”
Eja./ piranjat news
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Piranjat.al sipas ligjit Nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi pa autorizimin e Piranjat.al në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi.
Lexo edhe
INVESTIGIME
Shqipëria, portë e hapur pa asnjë kontroll / Emigrantët nga Lindja shtojnë radhët e kriminalitetit

Buxheticidi!

Laboratorët pa mjekë të specializuar/ Pas denoncimit të Piranjave, Ministria ndryshon rregulloren

Një histori mbijetese që preku gjithë shqiptarët/ Rrëfimi ekskluziv i Alvin Berishës





