Editorial Emisione Investigime Aktualitet Sociale Politikë Kosova Bota Showbiz Lifestyle Sport
TË FUNDIT
Artistët e “atyre” dhe të “këtyre” Shqipëria, portë e hapur pa asnjë kontroll / Emigrantët nga Lindja shtojnë radhët e kriminalitetit Buxheticidi! Laboratorët pa mjekë të specializuar/ Pas denoncimit të Piranjave, Ministria ndryshon rregulloren Kërkesë kundër ekstradimit/ Gjykata Supreme e Brazilit vendos për narko-trafikantin Ervin Mata Berisha: Protestat e qershorit, uragani më i fuqishëm i lirisë së shqiptarëve! Studentët e rinia, të gatshë... EMRI/ Dhunoi policin dhe gëlltiti kokainën, kush është 40-vjeçari shqiptar që përfundoi në gjendje të rëndë... Nis protesta e 174 kundër qeverisë para Kryeministrisë, protestuesit përplasen me policinë Merret vendimi për kryebashkiakun, Erion Veliaj do t’i nënshtrohet operacionit më 23 nëntor, Drejtoria e Bu... Gjeti 12 mijë euro në koshin e plehrave dhe i dorëzoi në polici, ndershmëria i siguron punë të përhershme n... Kishte shkuar për azil, 28-vjeçari shqiptar humb jetën në kampin e refugjatëve në Berlin VIDEO/ Qielli i Kievit në flakë, del momenti kur mbrojtja ukrainase rrëzon dronin rus gjatë sulmit masiv të...
INVESTIGIME

Shqipëria, portë e hapur pa asnjë kontroll / Emigrantët nga Lindja shtojnë radhët e kriminalitetit

P
Piranjat20 November 2026, 21:36 · 10 min lexim
Shqipëria, portë e hapur pa asnjë kontroll / Emigrantët nga

Vitet e fundit, migrimi masiv i të rinjve nga të ashtuquajturat vende të botës së tretë, kryesisht Afrika dhe vendet e Lindjes, është kthyer në një fenomen shumë të përhapur, i nxitur kryesisht nga luftërat, varfëria dhe mungesa e stabilitetit politik. Pjesa më e madhe e këtyre personave synojnë vendet e Bashkimit Evropian, atje ku u garantohet një jetë më e sigurt dhe me standarde më të mira.

Por, kufizimet ligjore për hyrjen në territorin e BE-së kanë shtyrë një pjesë të emigrantëve të përdorin rrugë të paligjshme, duke u bërë shpesh viktima të rrjeteve të trafikimit të emigrantëve.

Në këtë kontekst, Shqipëria është shndërruar në një vend tranzit, që emigrantët e përdorin si trampolinë për të mbërritur në vendet ku ata dëshirojnë. 

Nisur nga kjo rëndësi që merr vendi ynë si portë hyrëse në shtetet evropiane, individë të paskrupullt, por edhe grupe të mirëorganizuara trafikantësh, shpesh të fshehur pas agjencive të punësimit, sjellin persona në Shqipëri me premtimin se do t’i dërgojnë më pas në Evropë, por i lënë në mëshirë të fatit, rrugëve të Shqipërisë.

Megjithatë, ka edhe një kategori tjetër emigrantësh që po shtohen dita-ditës për shkak të politikave nxitëse të qeverisë ndaj emigracionit.

Ju kujtojmë se disa ditë më parë, teksa flisnim për premtimet e pambajtura të Edi Ramës në vitin 2018, lidhur me Paktin për Universitetin, mësuam se dy rezidenca studentore të Universitetit Bujqësor të Tiranës ishin mbushur me shtetas të huaj, kryesisht nga India. Këta persona janë akomoduar dhe punojnë me dokumente të rregullta në Tiranë, e megjithatë përbëjnë një problem vërtet serioz për të rinjtë dhe të rejat që bashkëjetojnë me ta në këto rezidenca.

“Fillimisht lidhen me trafikun e paligjshëm të qenieve njerëzore, me mashtrimin, me vjedhjet, me shpërndarjen e lëndëve narkotike, me çështjen e prostitucionit dhe kanë bërë që Policia t'i ketë target tani, sepse këto vepra penale janë kryer, kanë tendencën për t'u kryer dhe janë rrezik për sigurinë”, thotë ish-efektivi i RENEA-s, Gert Metani.

“Një pjesë e përdorin për bërjen e dokumenteve, duke e quajtur Shqipërinë një vend transit, kalimtar, ose një trampolinë, për të kaluar në vendet e BE-së, ose persona të tjerë që bëjnë biznese fiktive dhe nuk dihet se për çfarë janë realisht në këtë territor”, shton eksperti i sigurisë Fatjon Softa.

Sipas ekspertëve të sigurisë, kur shqetësimi është real ndaj atyre që disponojnë dokumente të rregullta, çfarë mund të themi për ata që kanë hyrë në mënyrë të paligjshme?

“Është e rrezikshme, sepse janë njerëz të paidentifikuar. Kryesisht flas për ata që vijnë nga vende që kanë eksperienca ose mbartin rreziqe të personave që nuk krijojnë vetëm dhunë, por mund të jenë pjesë edhe të akteve terroriste.

Pra, mund të jenë të stimuluar, mbas disa vitesh ata mund të bëhen aktivë dhe mund të përdoren në territor për qëllimet e tyre”, deklaron z. Softa, dhe lind pyetja, a duhet të përbëjë ky fluks emigrantësh, ku gjysma janë të paidentifikuar, një shqetësim real për qytetarët shqiptarë?

“Meqë ka një kaos dhe një hyrje ndonjëherë të pakontrolluar të të huajve, patjetër që bëhet dhe ngrihet një shqetësim për sigurinë kombëtare, jetët e qytetarëve dhe pronën e tyre”, thotë ai.

“Ky kriminalitet i theksuar te këto grupe, me patjetër do të jetë në rritje, sepse vetë personat që janë rezidentë këtu, mund të punojnë ligjërisht ose në mënyrë të paligjshme, kanë tendencën ta njohin vendin më me detaje. Fitimi i shpejtë është tendenca globale e kapitalizmit, kështu që ata do të shkojnë drejt një fitimi të shpejtë që vjen nga shpërndarja e narkotikëve, ushtrimi i prostitucionit, aktivitetet e tjera të paligjshme që kanë të bëjnë me mashtrimin, me bursat, edhe me trajtimin e shërbimit të klientit që është akoma i pranishëm edhe në territorin shqiptar nga grupet shqiptare, por mund t'i kalojë shumë shpejt personave që vijnë nga këto grupe, siç ka ndodhur me persona nga India, nga Pakistani, nga Bangladeshi”, deklaron Metani.

“Qytetari nuk duhet të merakoset vetëm nga të huajt, duhet të merakoset nga çdo gjë. Pra, kur themi siguria e jetës, siguria e pronës, siguria e banesës, duhet të jetë një siguri totale, sepse nuk është e thënë nacionaliteti apo ngjyra e personit që mund të ketë synime ndaj tyre. Por sigurisht ndaj të huajve, jo për racizëm, duhet të kemi një kujdes të shtuar për faktin se janë persona të paidentifikuar dhe si të tillë mund të futen dhe të dalin nga territori për të ushtruar dhe për të kryer krime”, sqaron eksperti i sigurisë Fatjon Softa.

Duhet ta theksojmë se kur flitet për këto krime të vogla, bëhet fjalë për individë dhe jo për masën e madhe të emigrantëve, shumica të sistemuar me punë dhe pa asnjë problem me qytetarët dhe autoritetet, por sidoqoftë, për të parandaluar një tendencë në rritje të kësaj kategorie, ndoshta një plan masash është i nevojshëm. Për të evituar më të keqen.

“Shqipëria duhet të ketë politika edhe më shtrënguese, jo vetëm në kuptimin e hyrjes, por edhe të identifikimit. Dhe nuk është mirë që Shqipëria, për një vend të vogël që ne e njohim njëri-tjetrin, kur në pamundësi për të frenuar këtë fenomen që mund të bëhet si një fenomen shqetësues pastaj për qytetarët, shkojnë në vetëgjyqësi.

Sepse shqiptarët në momentin që i prek nderin, i prek familjen, i prek pronën, patjetër kalojnë pastaj në vetëgjyqësi. Prandaj të mos shkojmë në këto pika, kontrolli duhet të jetë i madh”, sqaron Softa, pa harruar pikat kufitare.

“Dhe duke qenë se këto pika mund të fuqizohen, pa diskutim që Policia e Shtetit ka për detyrë vetëm ngritjen e kapaciteteve, që punonjësit e saj sot të jenë akoma më tepër, pra, të mos jenë 3000 në policinë kufitare, por të jenë akoma më shumë, të jenë më të përgatitur, të kenë logjistikë dhe pajisje më të mira dhe t'i shërbejnë qëllimit që është qëllimi i parandalimit dhe evidentimit të çdo elementi që rrezikon territorialitetin dhe sigurinë tonë kombëtare”, përfundon Gert Metani.

Sipas ekspertit Softa, veprimet e shtetasve të huaj në Shqipëri mund të kthehen në diçka më serioze dhe më të madhe se krimet ordinere që ata bëjnë.

“Prirja dhe kujdesi ndaj vendeve të origjinës nga ata vijnë duhet të jetë gjithmonë objektiv kryesor për sigurinë kombëtare, jo thjesht për akte dhune apo grabitjesh, por nëse ata mund të aktivizohen ose mund të financohen nga shtete terroriste për t’i përdorur ata në momente të caktuara si kamikazë për të krijuar problematika në një vend anëtar të NATO-s, por njëkohësisht dhe kandidat për t’u anëtarësuar në BE”, përfundon ai./ piranjat news

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Piranjat.al sipas ligjit Nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi pa autorizimin e Piranjat.al në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi.

 

 

SHPËRNDAJE

Lexo edhe

INVESTIGIME

Me rëndësi

Ndiqni Piranjat kudo.

Investigime, denoncime dhe satirë — zëri që nuk hesht.