Buxheti 2027/ Tedi Blushi: Të rriten me 35% pagat për zjarrfikësit dhe Policinë e Burgjeve, si detyrim ndaj sakrificës së tyre në mbrojtje të jetës, pronës dhe sigurisë sonë
Grupi Parlamentar i Partisë së Lirisë ka depozituar dy amendamente në Projektbuxhetin e vitit 2027, për t’i dhënë fund braktisjes dhe nënvlerësimit të dy kategorive që kryejnë një shërbim jetik për sigurinë e qytetarëve. Për vite me radhë, zjarrfikësit dhe punonjësit e Policisë së Burgjeve janë lënë në harresë nga shteti, të keqpaguar, me paga […]

Grupi Parlamentar i Partisë së Lirisë ka depozituar dy amendamente në Projektbuxhetin e vitit 2027, për t’i dhënë fund braktisjes dhe nënvlerësimit të dy kategorive që kryejnë një shërbim jetik për sigurinë e qytetarëve.
Për vite me radhë, zjarrfikësit dhe punonjësit e Policisë së Burgjeve janë lënë në harresë nga shteti, të keqpaguar, me paga skandaloze dhe kushte pune edhe më skandaloze.
Ndërsa qeveria u kërkon të përballen çdo ditë me rrezikun, sakrificën dhe përgjegjësi të jashtëzakonshme, nuk u garanton as trajtimin financiar dhe as kushtet minimale që meritojnë.
Amendamenti i parë parashikon rritjen me 35% të fondit të pagave për punonjësit e Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, në Programin 10910 të Ministrisë së Mbrojtjes, nga 261,8 milionë lekë në 353,43 milionë lekë. Rritja prej 35% propozohet të përfshijë edhe pagesat e tyre për orët shtesë, shpërblimet dhe dietat.
Zjarrfikësit janë ndër punonjësit më të braktisur të shërbimit publik.
Ata përballen me flakët, përmbytjet dhe emergjencat, shpesh pa mjete profesionale, pa pajisjet e duhura dhe në kushte që rrezikojnë drejtpërdrejt jetën e tyre.
Mjafton të kujtojmë sakrificat e tyre të jashtëzakonshme vetëm vitin e fundit, duke rrezikuar jetën për të shpëtuar qytetarët, pronat e tyre dhe pasuritë publike, për të kuptuar se sa e domosdoshme është kjo nisëm ligjore veçanërisht në kushtet kur Qeveria që i përdor zjarrfikësit vetëm për propagandë, kur vjen çështja te trajtimi financiar edhe për vitin e ardhshëm i ka lënë të përballen me paga të ulta dhe kushte të papranueshme pune.
Amendamenti i dytë parashikon rritjen me 35% të fondit të pagave për punonjësit e Sistemit të Burgjeve, në Programin 03440 të Ministrisë së Drejtësisë, nga 5 miliardë e 635,54 milionë lekë në 7 miliardë e 607,98 milionë lekë. Edhe kjo rritje prej 35% propozohet të përfshijë pagesat për orët shtesë, shpërblimet dhe dietat.
Punonjësit e Policisë së Burgjeve përballen prej vitesh me të njëjtën braktisje institucionale.
Janë mijëra punonjës të ndershëm të shtetit, që për vite e vite me radhë punojnë në mjedise me rrezikshmëri të lartë, nën presion të vazhdueshëm fizik dhe psikologjik, me turne të zgjatura, shërbim natën, fundjavave dhe festive, por që vëmendja ndaj të cilëve ka qenë zero.
Mbipopullimi i burgjeve dhe ngarkesa e shtuar e punës ka rënduar edhe më shumë mbi ta, ndërsa pagat dhe kushtet e punës mbeten shumë larg përgjegjësive që mbartin.
Partia e Lirisë e konsideron të papranueshme që këta punonjës heronj të shtetit të trajtohen si të harruar nga shteti, ndërkohë që prej tyre kërkohet gatishmëri dhe sakrificë e pakufizuar.
Nuk mund të kërkosh heronj në çdo emergjencë, ndërsa për vite me radhë t’i paguash me paga skandaloze dhe t’i lësh në kushte edhe më skandaloze.
Rritja me 35% e pagave për zjarrfikësit dhe Policinë e Burgjeve nuk është favor, por një detyrim ndaj nëpunësve të shtetit që rrezikojnë jetën për të mbrojtur jetën, pronën dhe sigurinë e qytetarëve.
Partia e Lirisë kërkon miratimin e këtyre dy amendamenteve, për t’i dhënë fund një padrejtësie të zgjatur ndër vite dhe për të garantuar dinjitetin e atyre që shteti nuk duhet t’i kujtojë vetëm kur ka nevojë për ta, por t’i mbështesë çdo ditë.
Lexo edhe
POLITIKE
Postimi në rrjetet sociale i Taulant Ballës, reagon Mitropoliti Anastas: Mos i përdhosni klerikët ortodoksë me filma të realizmit sociali...

‘Përmes aktit normativ, qeveria futet në xhepin e qytetarëve’, Grimçi: Qëllimi të sfumohet e shpërbëhet protesta

Veliaj do të dalë me kandidat të tij për Bashkinë e Tiranës? Plarent Ndreca: Të gjitha mundësitë janë të hapura

“PS ka vetëm një pronar”, Nesho: Rama i trajtoi socialistët si ushtarë të pushtetit të tij

Vangjeli: Në PS nuk ka më njerëz me autoritet moral, Rama ka krijuar Republikën e Drejtorëve





