Dhoma e Përfaqësuesve në SHBA bllokon përpjekjen për shkarkimin e sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth
Dhoma e Përfaqësuesve në SHBA ka bllokuar, të paktën për momentin, përpjekjen për shkarkimin përmes procedurës së impeachment të sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth, i cili akuzohet se ka zhvilluar luftë kundër Iranit pa autorizimin e Kongresit. Shumica e ligjvënësve votuan që rezoluta për shkarkimin e tij t’i kalojë Komitetit të Drejtësisë të Dhomës […]

Dhoma e Përfaqësuesve në SHBA ka bllokuar, të paktën për momentin, përpjekjen për shkarkimin përmes procedurës së impeachment të sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth, i cili akuzohet se ka zhvilluar luftë kundër Iranit pa autorizimin e Kongresit.
Shumica e ligjvënësve votuan që rezoluta për shkarkimin e tij t’i kalojë Komitetit të Drejtësisë të Dhomës së Përfaqësuesve, një veprim që praktikisht i jep fund nismës së paraqitur nga republikani Thomas Massie, të paktën në këtë sesion të Kongresit.
Nisma u rrëzua me 211 vota kundër dhe 204 pro. Massie ishte i vetmi republikan që votoi kundër dërgimit të rezolutës në komitetin e kontrolluar nga republikanët, ndërsa në votim munguan më shumë se një duzinë ligjvënësish, përfshirë 11 demokratë.
Përpjekja për shkarkimin e Hegseth ishte konsideruar që në fillim me pak gjasa për sukses, pasi do të kërkonte që një numër republikanësh të dilnin kundër presidentit Donald Trump.
Në tetë nenet e aktakuzës së paraqitur në Kongres të hënën, Massie argumentonte se Hegseth kishte shkelur ligjin duke vijuar luftën kundër Iranit për më shumë se 90 ditë pa marrë miratimin e ligjvënësve amerikanë.
Ai e akuzonte gjithashtu sekretarin e Mbrojtjes për mbikëqyrjen e vrasjeve jashtëgjyqësore gjatë operacioneve amerikane kundër anijeve të dyshuara për transportimin e drogës në Oqeanin Paqësor dhe Detin e Karaibeve.
Vetë Hegseth reagoi ashpër ndaj nismës, duke e cilësuar atë si një “farsë” dhe një përpjekje për sabotim politik.
Gjatë konferencës së tij të parë për shtyp në Pentagon pas gjashtë muajsh, ai deklaroi se rezoluta rrezikonte sigurinë kombëtare, pasi, sipas tij, u dërgonte kundërshtarëve të SHBA-së mesazhin se vendi mund të ndëshkojë drejtuesit e tij ushtarakë dhe civilë për operacione që i konsideron të ligjshme.
“Kjo nuk është patriotizëm. Ky është sabotim”, u shpreh Hegseth.
Ai akuzoi Massie-n se ishte i motivuar nga mosmarrëveshjet politike dhe jo nga shkelje të rënda që mund të justifikonin shkarkimin.
Nga ana e tij, kongresmeni republikan tha se nuk ishte i surprizuar nga rezultati i votimit, por shprehu zhgënjimin për vendimin e kolegëve të tij.
Presidenti Donald Trump përshëndeti rezultatin përmes një postimi në rrjetin e tij social Truth Social, duke deklaruar se përpjekja për shkarkimin e Hegseth kishte dështuar plotësisht. Ai e cilësoi sekretarin e Mbrojtjes si një “patriot të madh amerikan” dhe vlerësoi drejtimin e tij në operacionet ushtarake.
Megjithatë, e ardhmja e Hegseth në administratën Trump mbetet objekt diskutimi në qarqet politike amerikane. Disa ligjvënës, përfshirë edhe republikanë, kanë ngritur pikëpyetje për qëndrimin e tij në detyrë.
Senatori republikan Ted Cruz deklaroi të martën se pret që Hegseth të japë dorëheqjen ose të shkarkohet nga presidenti Trump.
Ndërkohë, demokratët pritet të marrin kontrollin e të dyja dhomave të Kongresit në janar, pas fitores në zgjedhjet e mesmandatit, duke pasur mundësinë të rikthejnë në vëmendje procedurën e shkarkimit vitin e ardhshëm.
Lexo edhe
BOTA
Elektrifikimi, në qendër të konferencës së OKB-së për klimën, Guterres: Ka ardhur koha të hiqet dorë nga lëndët djegëse fosile

Zelensky sfidon Putinin për një takim në Antarktidë

VIDEO tronditëse/ Ushtari ekzekuton me armë shokun e tij të plagosur

Ukraina i kërkon SHBA-së të përshpejtojë dërgimin e raketave për mbrojtjen ajrore

Krimet e Epstein mund të ishin parandaluar, raporti i republikanëve zbulon dështimet e drejtësisë





