"E dimë kush humbi në Serbi, por jo kush fitoi", Kurti për "Le Monde": Kërkojmë anëtarësim me meritë në BE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Kosova nuk kërkon përshpejtim artificial të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por një vlerësim të drejtë të përparimit të saj në përmbushjen e kritereve evropiane. Në një intervistë për gazetën franceze Le Monde, gjatë vizitës së tij në Paris, Kurti ka theksuar se Prishtina nuk kërkon trajtim të veçantë nga institucionet evropiane.
“Ne nuk duam rrugë të shkurtra, proces të përshpejtuar apo hyrje nga dyert e pasme në Bashkimin Evropian, por një proces të bazuar në meritë”, ka deklaruar ai.
Megjithatë, rruga e Kosovës drejt BE-së vazhdon të përballet me një pengesë politike: pesë shtete anëtare të Unionit, Spanja, Greqia, Qiproja, Rumania dhe Sllovakia, ende nuk e njohin pavarësinë e saj. Sipas Kurtit, Sllovakia paraqet kundërshtimin më të fortë ndaj përparimit të Kosovës në procesin e integrimit evropian.
Gazeta franceze vë në dukje edhe qëndrimet politike të kryeministrit sllovak Robert Fico, i cili ka mbajtur marrëdhënie të afërta me presidentin rus Vladimir Putin dhe ka mbështetur politikisht presidentin serb Aleksandar Vuçiç. Për shkak të këtyre kundërshtimeve, Kosova ende nuk ka marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, megjithëse ka paraqitur kërkesën për anëtarësim në dhjetor të vitit 2022.
Kurti ka bërë të ditur se gjatë katër viteve të ardhshme qeveria e tij do t'u japë përparësi reformave në drejtësi, administratën publike dhe arsim.
Në intervistë, kryeministri kosovar ka komentuar edhe zhvillimet politike në Serbi, pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme të tetorit, ku sipas raportimit, presidenti Aleksandar Vuçiç pësoi një humbje politike përballë Listës Studentore.
“Ne e dimë se kush humbi, por ende nuk e dimë se kush fitoi”, ka deklaruar Kurti, duke shprehur kujdes në vlerësimin e pasojave politike të rezultatit zgjedhor.
Ai foli gjithashtu për ndikimin e luftës në Ukrainë mbi sigurinë evropiane.
“Agresioni rus ndaj Ukrainës tregon se historia po rikthehet në skenën botërore me më shumë forcë se kurrë në këtë shekull”, është shprehur Kurti.
Sipas Le Monde, zhvillimet në Ukrainë dhe tensionet ndërkombëtare kanë shtuar rëndësinë e çështjeve të sigurisë për Kosovën.
Gjatë qëndrimit treditor në Paris, ku merr pjesë në Forumin e Paqes, Kurti ka zhvilluar takime me presidentin francez Emmanuel Macron. Një nga temat e diskutimeve ka qenë mbështetja franceze për organizimin e Lojërave Mesdhetare të vitit 2030 në Prishtinë.
Sipas gazetës franceze, Kosova ka siguruar një kredi prej 60 milionë eurosh nga Agjencia Franceze për Zhvillim për projektimin e fshatit të sportistëve. Në fushën ekonomike, Kurti po kërkon të tërheqë investime të huaja, veçanërisht në sektorët e energjisë, infrastrukturës dhe transportit.
Le Monde raporton se më 10 nëntor kompania franceze Akuo Energy fitoi një tender publik për ndërtimin e një projekti të energjisë së erës me kapacitet prej 98 megavatësh. Kosova po kërkon gjithashtu rreth 500 milionë euro për ndërtimin e pesë digave, të cilat do të shërbenin për furnizimin me ujë të industrisë, bujqësisë dhe familjeve.
Një tjetër përparësi e qeverisë së Kosovës është zhvillimi i transportit hekurudhor. Kurti ka paraqitur planet për ndërtimin e tri linjave të reja hekurudhore dhe modernizimin e një linje ekzistuese, duke kërkuar mbështetjen e Francës për integrimin e Kosovës në Rrjetin Trans-Evropian të Transportit. Sipas tij, hekurudhat nuk janë vetëm një mundësi për zhvillimin ekonomik, por edhe një element i rëndësishëm për sigurinë kombëtare.
“Shikoni Ukrainën, atje shkohet me tren, jo me aeroplan. Prandaj, ky është mjeti më rezistent i transportit”, ka deklaruar kryeministri kosovar.
Pavarësisht pengesave politike që lidhen me mosnjohjen e pavarësisë nga pesë vende të BE-së, Kurti këmbëngul se Kosova duhet të përparojë drejt anëtarësimit përmes reformave dhe përmbushjes së kritereve, pa kërkuar përjashtime nga procesi.
Lexo edhe
KOSOVA
Lodra të ndaluara në Kosovë, 150 mijë copë do të kthehen në Kinë ose do të shkatërrohen

Kush është Michael Bogachek, i nominuari i Trumpit për ambasador të SHBA-së në Kosovë?

U përfshi në aksident gjatë garës ilegale, zyrtari shqiptar shkarkohet nga detyra

U dënua me burg në Shqipëri, politikani malazez Vladislav Dajkoviç: Nuk dorëzohem, kam frikë se…

Kosovë/ Të shtëna me armë zjarri në Gjakovë, plagosen dy persona, arrestohet autori i dyshuar i ngjarjes





