Editorial Emisione Investigime Aktualitet Sociale Politikë Kosova Bota Showbiz Lifestyle Sport
TË FUNDIT
Situata e tensionuar në vend/ Shtyhet Panairi i 29-të i Librit në Tiranë, ja kur do të zhvillohet BIRN: Gazetarët përballen me dhunë dhe abuzime policore gjatë protestave në Shqipëri Nuk mori pjesë në seancë, Gjykata e Posaçme e Apelit jep nesër vendimin për Vlora Hysenin Trump u bën thirrje amerikanëve: Duhet ta mbajmë Amerikën të madhe. Sulmon edhe kandidatin demokrat në Mich... Protestuesit mblidhen para Ministrisë së Arsimit, bllokohet qarkullimi në Rrugën e Durrësit Buxheti 2027, Prokuroria e Përgjithshme kërkon dy punonjës IT dhe zgjidhje për mungesën e ambienteve Përplasja Rama-Veliaj/ Lubonja: Si në kohën e Enver Hoxhës! Mund të bëhet edhe më i rrezikshëm Prej disa orësh marshojnë në rrugët e Tiranës, studentet protestë te Ministria e Arsimit Aksident në autostradën Rrogozhinë-Lushnjë, Benz-i godet kamionçinën nga pas, një pasagjer i plagosur Ishte në intubim te “Trauma”, ndërron jetë avokati Saimir Vishaj Studentët rrëzuan Vuçiçin pas 12 vitesh në pushtet/ Gazetarja i kujton editorialin me ish-presidentin serb,... Avokati i Vlora Hysenit paraqitet në GJKKO, ish-drejtuesja e SHISH refuzon të marrë pjesë në seancë
EDITORIAL

Mbretit s’ka kush t’i shkruajë, në vetminë e tij

N
NGA ILIR CIKO 9 September 2026, 11:03 · 8 min lexim
Mbretit s’ka kush t’i shkruajë, në vetminë e tij

“…sepse fiseve të dënuar me njëqind vjet vetmi nuk u jepej më asnjë shans tjetër përmbi Tokë”.

Kjo është fjalia monumentale që përfundon romanin me të cilin Markesi fitoi famë botërore e më pas çmimin Nobel, shqipëruar me mjeshtëri nga Robert Shvarci në kohën e krismave të largëta të vitit 1997.

Romani mbyllet aty ku historia mbaron dhe ora, për një qytet të tërë, ndalet përgjithmonë. Pergamenët dergjen përdhe, të deshifruara e pa vlerë; stuhia më pas fshin krejt qytetin nga faqja e dheut dhe askush nuk kthehet më ta rindërtojë atë. Makondoja e Markesit, simbol i vendlindjes së tij dhe i vuajtjeve të shumë popujve të tjerë, nuk shkatërrohet nga vetmia, por nga harresa.

Libri tregon se gjithçka kishte nisur me një koncesion dhe një ligj të posaçëm nga shteti për kompaninë e huaj të bananeve. Së pari shfaqen arkitektët dhe inxhinierët. Më pas policia private, telat me gjemba, fushat e tenisit dhe pishinat brenda tyre, mijëra punëtorë të huaj që ndërtojnë qytetet e kompanisë. Dhe më pas, një shtet brenda shtetit, që zapton tokat, ndërtimin, tregtinë, infrastrukturën. Gjithçka.

Rebelimi i mëpasshëm, që Markesi huazoi nga historia e vërtetë, daton, për ironi të fatit, thuajse njëqind vjet më parë, në vitin 1928. Kërkesat e rebelëve nuk ishin për revolucione, por për kushte njerëzore pune, shëndeti dhe strehimi. Por kompania i refuzoi ato dhe qeveria, siç ndodh shpesh për të zgjidhur problemet, dërgoi ushtrinë. Vijimi dihet nga lexuesit e romanit, ndërsa historia dhe romani divergojnë mes tyre: në roman flitet për mijëra të vrarë, në një masakër që endet si një ëndërr e keqe mes kujtesës kolektive dhe rrënimit të një qyteti.

Historia nuk përsëritet, por shpesh rimon, na kujton Mark Tueini. Te popujt e varfër ca më shumë, te popujt e varfëruar, edhe më shumë. Të hënën, në bulevardin kryesor të Tiranës, një djalosh që pak e njohin dhe që nuk lodhet në asnjë mbrëmje të protestës, do të ngrejë mbi kokë, në ballë të protestuesve, një poster të bardhë me numrin e ditës, ku do të shkruhet shifra njëqind. Jo vite, por ditë.

Historia e Kolumbisë rimon në sintoni të plotë në romanin e Markesit. Kujtesa e saj, sot pas afro 100 vitesh e plot 100 ditësh protestë, tingëllon po aq bukur e ëmbël në zërat e bulevardit. Prej njëqind ditësh ai ka marrë jetë si një filiz që nis prej zemrës së vendit, mes brengës shumëvjeçare e zullumeve të panumërta që kanë pllakosur Shqipërinë, mes një klase politike amorfe që vegjeton në ujërat e qelbura të korrupsionit e të krimit, mes delenxhinjve servilë të pushtetit dhe politikës që kanë zaptuar zyrat dhe hapësirën publike të çdo qytetari; krejt njësoj si ato kulla e ndërtime që na ngulen pa na pyetur kudo ku ka pak dritë, për të lënë pas errësirë, shëmti, zhurmë, ndotje, vetmi.

Po, romani i Markesit rimon sot me Shqipërinë me ligjet e shkruara posaçërisht e fshehurazi për kompani që privilegjohen haptazi në dëm të konkurrencës së tregut të lirë, në kurriz të taksapaguesve e pronarëve shqiptarë dhe që na shpien në një drejtim krejt të mbrapshtë prej atij europian ku duam të shkojmë. Rimon në telat me gjemba që rrethojnë resorte e pishina aty ku duhet të ecin të lirë të gjithë shqiptarët e të fluturojnë të lira flamingot. Në përdorimin e dhunës ndaj qytetarit dhe lirisë. Në nëpërkëmbjen e mospërfilljen e përditshme të asaj që i jep kuptim e vlerë të qenurit pjesë e një shoqërie.

Vetmia e Makondos nuk është Mungesa e njerëzve. Është pamundësia për të folur me njëri-tjetrin për atë që ka rëndësi. Vetmia nuk është as Izolimi, dhe as Arratia, por Dështimi i plotë i komunikimit sy më sy me njerëzit për atë që ata i prek, e jo për atë që i shkon për shtat algoritmit të radhës. Vetminë nuk ka Diellë, Besë apo Pasqyrë në botë që ta zëvendësojë. Koloneli Buendía bëri tridhjetë e dy luftëra, pati mijëra ndjekës dhe përfundoi në vetmi, duke skalitur peshq të vegjël ari të cilët të nesërmen i shkrinte, për të rifilluar të njëjtën gjë nga e para. Mbretit s’ka kush t’i shkruajë, në vetminë e tij.

Rima, sikurse historia, kumbon edhe aty ku pena e Markesit rreh më fortë. Masakra nuk përbën episodin më mizor të librit. Mohimi i saj nga shteti: asgjë nuk ka ndodhur, dhe pas pak kohe askush nuk do të kujtojë dot ndryshe, mesazhi se harresa shpie në vetmi, e vetmia çon në shkatërrim, përbën thelbin e tij. Dhuna mund të vrasë njerëzit, harresa mund të vrasë ngjarjen. Njëqind ditë protestë në Tiranë sot na japin një version bashkëkohor të këtij episodi. Numri i protestuesve është tentuar më se njëherë të zvogëlohet zyrtarisht përmes dronëve dhe mediave të blera apo të shitura, ndërkohë që fajtorët ndërrohen sipas javës: në fillim grekët dhe serbët, pastaj iranianët, më pas lufta hibride, deri te armiku që Markesi nuk do ta kishte imagjinuar dot kurrë: algoritmi.

Protesta ka treguar qartazi se vëmendja dhe mbështetja janë dy monedha të ndryshme që nuk këmbehen me njëra-tjetrën, edhe pse vetëm njëra mund të sjellë ndryshim politik. Makondoja digjitale, tashmë e shtrirë gjerë e gjatë mes flamingove në bulevardin e Tiranës, ka pamje krejt të mrekullueshme. Dhe, për fat, pa kurrëfarë qasjeje për të negociuar mbi të ardhmen.

Njëqind ditë nuk janë njëqind vjet. Qyteti i Markesit e mori dënimin sepse e lexoi historinë e tij vetëm në fund, kur ishte tepër vonë për ta ndryshuar. Lëvizja qytetare, e po aq rinore, që na tregon çdo mbrëmje atë që ndodh për ditë e për natë me absurdin e pushtetit që më kot xhiron bosh mes grahmash të pafuqishme e shterpë, i dëshmon sot vendit dhe botës se vendimmarrja e vetmuar publike, rëndom e gabuar dhe me kosto, nuk mund të vazhdojë të merret lehtësisht pa pyetur e pa përfillur, pa pjesëmarrje, pa diskutime, pa kundërshtime, pa tendera të hapur, pa leje mjedisore, pa të drejta pronësie.

Lëvizja, nuk është kronikë e një humbjeje të paralajmëruar. Ajo është pjesë e historisë së vendit.

Dhe sot, shpresë e së ardhmes për të.

SHPËRNDAJE

Lexo edhe

EDITORIAL

Me rëndësi

Ndiqni Piranjat kudo.

Investigime, denoncime dhe satirë — zëri që nuk hesht.