Kishte marrë detyrën vetëm një vit më parë! Ndërron jetë ambasadori rus në SHBA, Alexander Darchiev

Ambasadori i Rusisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Alexander Darchiev, ka ndërruar jetë papritur këtë të mërkurë, në moshën 66-vjeçare. Lajmi është konfirmuar nga Ministria e Jashtme ruse, e cila nuk ka dhënë detaje mbi shkaqet e vdekjes së diplomatit veteran.
Përmes një deklarate të publikuar në platformën X, diplomacia ruse njoftoi se Darchiev ishte ndarë papritur nga jeta, duke e cilësuar humbjen e tij si një goditje për shërbimin diplomatik të vendit.
“Kemi humbur një diplomat të shquar, një drejtues me përvojë, një koleg të mirë dhe një mentor”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme ruse.
“Shprehim ngushëllimet tona më të thella dhe më të sinqerta për familjen dhe të afërmit e Alexander Darchiev”, vijon reagimi zyrtar.
Darchiev ishte emëruar ambasador i Rusisë në Uashington në fillim të vitit 2025, pas rikthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë. Ai zëvendësoi Anatoly Antonov, duke marrë drejtimin e përfaqësisë diplomatike ruse në një periudhë tensionesh të thella mes Moskës dhe Uashingtonit.
Diplomati 66-vjeçar kishte një karrierë të gjatë në Ministrinë e Jashtme ruse, ku kishte mbajtur disa poste të rëndësishme. Në fund të viteve 2000, ai kishte shërbyer në ambasadën ruse në Uashington, ndërsa nga viti 2014 deri në vitin 2021 kishte qenë ambasador i Rusisë në Kanada.
I emëruar nga presidenti Vladimir Putin, Darchiev njihej për qëndrimet e tij kritike ndaj politikave perëndimore dhe mbrojtjen e vazhdueshme të pozicioneve të Kremlinit në çështjet ndërkombëtare.
Ai kishte mbështetur gjithashtu vendimin e Moskës për pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022, duke e cilësuar atë në atë kohë si një “masë të nevojshme”.
Vdekja e ambasadorit rus vjen në një moment delikat për marrëdhëniet mes dy fuqive, të cilat po përpiqen të gjejnë rrugë për rivendosjen e dialogut diplomatik, pas përkeqësimit të thellë të raporteve që pas nisjes së luftës në Ukrainë.
Rikthimi i Donald Trump në presidencën amerikane kishte hapur një kapitull të ri për komunikimin mes Uashingtonit dhe Moskës, por mosmarrëveshjet për Ukrainën, sigurinë evropiane dhe sanksionet ndaj Rusisë vazhdojnë të rëndojnë mbi marrëdhëniet dypalëshe.
Në këtë kontekst, Darchiev kishte marrë përsipër një nga detyrat më të ndjeshme të diplomacisë ruse, përfaqësimin e Moskës në kryeqytetin amerikan në një periudhë përplasjesh dhe negociatash të vështira.
Deri më tani, autoritetet ruse nuk kanë bërë të ditur rrethanat e vdekjes së tij dhe as emrin e diplomatit që mund ta zëvendësojë në krye të ambasadës ruse në Shtetet e Bashkuara.
Lexo edhe
BOTA
Mbi 770 shkolla në Britani morën kërcënime me bomba përmes email-it: Do t’ju shkatërrojmë

Spanja paralizohet nga greva të përgjithshme 3 javë para zgjedhjeve

Arrestimet në Serbi, mediat: Biznesmeni serb me ndikim në veri të Kosovës, Zvonko Veselinoviçi, largohet drejt Turqisë

VIDEO/ Arratisje spektakolare me litar e të arrestuarit

Ndërron jetë në rrethana të paqarta ambasadori rus në SHBA, ishte emëruar nga Putin në vitin e shkuar





