AKTUALITET

“Lista e zezë” e protestuesve, ekspertët: Shkel Kushtetutën dhe synon të frenojë protestat

Piranjat Përditësimi i fundit 30 October 2026, 19:07
“Lista e zezë” e protestuesve, ekspertët: Shkel

Një vendim i qeverisë shqiptare, që i jep Policisë së Shtetit kompetenca për të kufizuar daljen jashtë vendit të personave të dyshuar për përfshirje në akte dhune gjatë protestave, edhe pa një vendim gjykate, u publikua të enjten në Fletoren Zyrtare, duke ngritur shqetësime për cenimin e të drejtave kushtetuese dhe anashkalimin e gjyqësorit.

Vendimi i Këshillit të Ministrave, i miratuar javën e kaluar me propozim të Ministrisë së Brendshme dhe i firmosur nga kryeministri Edi Rama, parashikon krijimin e një regjistri të posaçëm elektronik për personat e referuar nga Policia e Shtetit në prokurori për vepra penale kundër autoritetit shtetëror, rendit dhe sigurisë publike, të dyshuara se janë kryer gjatë tubimeve.

Regjistri do të administrohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe do të përmbajë të dhëna personale dhe procedurale për personat e identifikuar në materialet e referuara në prokurori.

Por vendimi shkon përtej regjistrimit të të dhënave, duke autorizuar Policinë Kufitare t’u refuzojë në rrugë administrative daljen nga Shqipëria personave të përfshirë në regjistër, edhe kur ndaj tyre nuk ka një masë sigurimi të vendosur nga gjykata që ua ndalon largimin jashtë shtetit.

Dy juristë të intervistuar nga BIRN e cilësojnë mekanizmin në kundërshtim me Kushtetutën dhe Kodin e Procedurës Penale, duke paralajmëruar se ai krijon një formë ndëshkimi administrativ mbi bazën e dyshimeve policore, përpara se këto të shqyrtohen nga drejtësia.

Sipas tyre, regjistri rrezikon të shndërrohet në një “listë të zezë” për protestuesit, me pasoja që shtrihen nga kufizimi i lirisë së lëvizjes deri te njoftimi i autoriteteve të huaja dhe subjekteve private.

“Nëse zbatohet, do të ketë pasoja të rënda për njerëzit, shumë të rënda, pasi mungon kontrolli gjyqësor”, tha për BIRN avokati Julian Mërtiri.

Nga bllokimi në kufi te njoftimi i hoteleve dhe shteteve të huaja

Vendimi vjen pas një vale protestash masive kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama, të shoqëruara në me përplasje të dhumshme mes protestuesve dhe policisë, përdorim të forcës dhe arrestime të shumta.

Sipas tekstit të aktit, në regjistrin e ri do të përfshihen personat e identifikuar në materialet që policia i ka referuar prokurorisë për vepra penale kundër autoritetit shtetëror, rendit dhe sigurisë publike, kur dyshohet se gjatë tubimeve kanë kryer veprime të dhunshme kundër jetës, shëndetit ose pronës publike dhe private.

Regjistri do të ndërveprojë me Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile dhe sistemin policor “ADAM”, duke krijuar një profil me të dhëna personale dhe procedurale për çdo person të përfshirë.

Dispozita më e debatueshme lidhet me kufizimin e daljes nga territori shqiptar.

Pika 5 e vendimit përcakton se, kur verifikimet individuale evidentojnë të dhëna për një person në këtë regjistër, “edhe nëse ndaj personit nuk është vendosur masa e sigurimit për ndalimin e largimit jashtë shtetit, Policia Kufitare ka të drejtën e refuzimit administrativ të daljes”.

Vendimi parashikon gjithashtu që autoritetet shqiptare të njoftojnë shtetet e huaja për personat e regjistruar, edhe kur atyre u lejohet të udhëtojnë.

“Në çdo rast, nëse ndaj personit nuk vendoset refuzimi i daljes, autoritetet kufitare njoftojnë autoritetet e vendit ku do të udhëtojë personi për faktin e referimit të tij për veprat e përmendura në pikën 1, të këtij vendimi”, thuhet në VKM.

Një tjetër dispozitë, pika 6, ngarkon Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit të njoftojë edhe personat fizikë dhe juridikë privatë që administrojnë struktura akomoduese, përfshirë hotelet dhe bujtinat, për personat e përfshirë në regjistër dhe faktin se materialet ndaj tyre janë referuar në prokurori.

Kjo dispozitë zgjeron rrethin e subjekteve që mund të marrin informacion mbi dyshimet penale ndaj qytetarëve, përtej institucioneve të drejtësisë dhe organeve ligjzbatuese.

Sipas vendimit, nevoja për ruajtjen e të dhënave duhet të rishikohet brenda 30 ditëve nga regjistrimi, ndërsa fshirja e emrit parashikohet kur prokuroria njofton zyrtarisht mosfillimin e procedimit penal ose pushimin e çështjes.

Ekspertët kundërshtojnë bazën ligjore

Për të mbështetur kompetencën e Policisë Kufitare për të refuzuar daljen nga vendi pa vendim gjykate, qeveria i është referuar nenit 6 të ligjit nr. 39/2025, “Për kontrollin e kufirit shtetëror”.

Por avokati dhe aktivisti i të drejtave të njeriut, Gentian Serjani, argumenton se qeveria i ka dhënë kësaj dispozite një interpretim që nuk përputhet me qëllimin dhe përmbajtjen e ligjit.

Sipas tij, dispozita i lejon autoritetet kufitare të refuzojnë daljen nga vendi të personave që synojnë t’i shmangen ndjekjes penale, ndalimit, arrestimit ose ekzekutimit të një dënimi me burgim, por jo të çdo qytetari për të cilin policia ka referuar një dyshim penal.

“Mënyra se si është hartuar dhe referuar ligji për kontrollin e kufirit shtetëror nuk qëndron, sepse ligji e përcakton qartazi që flet për ata persona të cilët po i shmangen ndjekjes penale, kanë urdhër për t’u ndaluar, ose ka një vendim gjyqësor për t’u arrestuar”, shpjegoi Serjani.

Ai vuri në pikëpyetje mundësinë që një qytetar të konsiderohet se po i shmanget drejtësisë vetëm sepse udhëton jashtë vendit për arsye familjare apo profesionale, ndërkohë që ndaj tij ekziston vetëm një referim policor lidhur me pjesëmarrjen në një protestë.

“Aq më shumë që kemi të bëjmë me raste që po ndiqen penalisht apo janë mbajtur 72 orë në arrest pa asnjë provë. Kjo i bën ata të ndalohen nga një e drejtë kushtetuese, pa një vendim gjykate dhe pa pasur asnjë provë konkrete individuale që ky apo këta individë u përfshinë në akte dhune”, theksoi Serjani.

Sipas tij, një referim policor nuk mund të shërbejë automatikisht si provë se një person po përpiqet t’i shmanget ndjekjes penale dhe as si bazë e mjaftueshme për t’i kufizuar lirinë e lëvizjes.

Avokati paralajmëroi se vendimi krijon gjithashtu një përplasje mes kompetencave të policisë dhe atyre të gjykatës.

Për shembull, nëse një person i arrestuar gjatë protestave paraqitet para gjykatës dhe ndaj tij vendoset vetëm masa e sigurimit “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, pa iu ndaluar dalja jashtë vendit, Policia Kufitare mund ta refuzojë sërish largimin e tij nga Shqipëria mbi bazën e regjistrit të ri.

“Edhe nëse kemi rast ku gjykata s’ka vendosur ndalim apo kufizim të lirisë, por kemi vetëm një masë ‘detyrim paraqitje’, ndalimi për të dalë jashtë është në shkelje të ligjit”, tha Serjani.

Ai shtoi se qytetarët e prekur mund ta kundërshtojnë refuzimin e daljes nga vendi në Gjykatën Administrative, por kjo do t’i detyronte të nisin një proces të ri gjyqësor për të ushtruar një të drejtë që nuk u është kufizuar nga gjykata penale.

Anashkalimi i gjykatave dhe efekti frikësues

Avokati Julian Mërtiri e konsideron regjistrin e ri policor një mekanizëm që bie ndesh me parimet e procedurës penale dhe ndarjen e kompetencave mes policisë, prokurorisë dhe gjykatës.

Sipas tij, policia ka të drejtë të identifikojë, ndalojë në kushtet e parashikuara nga ligji dhe referojë në prokurori personat e dyshuar për vepra penale, por nuk mund të krijojë një mekanizëm paralel për kufizimin e lirisë së tyre të lëvizjes.

“Policia, nëse ka një person që dyshohet apo ka kryer një vepër penale, duhet të procedojë si polici gjyqësore për ta ndjekur dhe lokalizuar, sidomos nëse është në kushtet e flagrancës; nëse nuk e ka ndaluar, duhet ta referojë në prokurori. Në asnjë rast tjetër nuk mundet policia të bëjë një veprim të tillë. Krijimin e një regjistri të tillë e shoh të paligjshëm”, tha Mërtiri.

Ai kujtoi se autoritetet kufitare përdorin tashmë sistemin TIMS, i cili funksionon sipas rregullave të përcaktuara për regjistrimin e të dhënave dhe kontrollin e personave që hyjnë ose dalin nga territori shqiptar.

Për këtë arsye, Mërtiri e sheh krijimin e një regjistri të veçantë për protestuesit si një ndërhyrje në kompetencat e institucioneve të drejtësisë.

“Nëse çështja është referuar, autoriteti që kërkon dhe urdhëron masat është prokurori dhe gjykata. Pra, nuk konceptohet krijimi i një regjistri paralel. Kufizimi i lirisë bëhet vetëm me vendim gjyqësor, qofshin masat e sigurimit apo dënimet përfundimtare. Të ndalosh dikë të dalë jashtë shtetit mbi bazën e një regjistri që ka krijuar vetë policia është tej çdo koncepti ligjor të shtetit të së drejtës”, u shpreh ai.

Përtej kundërshtimeve ligjore, Mërtiri e lidh miratimin e vendimit me përpjekjet e qeverisë për të frenuar valën e protestave që ka përfshirë vendin.

“Patjetër që është bërë për të trembur qytetarët dhe për të ulur fuqinë e protestës, dhe mesa shoh i ka dhënë efektet e veta, ndonëse që të gjejë zbatim ligjor është e vështirë”, tha ai.

Avokati paralajmëroi se edhe nëse vendimi kundërshtohet dhe shfuqizohet më vonë nga gjykata, pasojat për personat e përfshirë në regjistër mund të jenë të menjëhershme.

Sipas tij, kufizimi i udhëtimit, njoftimi i autoriteteve të huaja dhe procedurat për kundërshtimin e masave administrative mund t’u shkaktojnë qytetarëve pasoja që nuk zhbëhen lehtësisht nga një vendim gjyqësor i mëvonshëm.

Megjithëse VKM-ja parashikon rishikimin e nevojës për ruajtjen e të dhënave brenda 30 ditëve, Mërtiri paralajmëron se procedurat në prokurori dhe gjykata mund t’i lënë personat e prekur për muaj të tërë nën efektet e regjistrimit.

“Praktikisht kjo do të shkojë në gjykatë dhe do të shfuqizohet, por ndërkohë personat mund të kenë pasoja të dukshme dhe do t’u duhen muaj të tërë derisa ta heqin veten nga lista. Cenohet liria e individit pa vendim gjyqësor, gjë që është e papranueshme”, përfundoi Mërtiri. /Birn/

 

 

Artikuj te sugjeruar

video

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 6

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 6

Me buzëqeshje e revoltë: Gen Z po e dridh pushtetin e Ramës!

Pa numër identifikimi e me shpërblim në xhep: Policët fshihen nga kamera e Piranjave!

Krah për krah për humanizëm: Aktivistët shpëtojnë jetë e mjekojnë uniformat blu!

Studentët kanë të drejtë!

Arroganca e pushtetit përballë krizës: Studentët i thonë "JO" Edi Ramës!

Pedagogët braktisin auditoret e bashkohen me studentët: Ultimatumi për grevë urie!

Trupi i fëmijës është i shenjtë.

Shoqërime masive e presion në shesh: Ish-policët denoncojnë skandalin e uniformave blu!

"Po t'i thyhej këmba fëmijës tuaj?": Piranjat "gozhdojnë" deputetët!

20-vjeçari rrëfen tmerrin që ndodh pas atyre dyerve.

Hiqe atë gur nga dora!

Si parashikoi Rama 13 vite më parë atë që po bën sot?

Gen Z/ Zëri i revoltës që po dridh pushtetin.

Ju lutem kujdes me veprimet, mos e provokoni policinë! ????

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 5

3 vite pa licencë: Si u punësua psikologia në Vorë dhe kush mban përgjegjësi?

Flet i dyshuari i Masakrës së Beratit: Çfarë zbulon Kudret Zhuka?

Ne jemi me ju, gjatë gjithë vitit!

Zëri ynë për çdo grua që lufton sot!

Konflikti familjar në Klos që përfundoi në dhunë: Çfarë ndodhi mes Fluturës dhe të afërmve?

Kalvari i Anxhelës: Si u kthye një histori dashurie në një makth të vërtetë?

"Doktor Shkencash": Çfarë fshihet pas titullit akademik të Ulsi Manjës?

Unë e njoh atë djalin e shtrirë përtokë.

4 ditë revolte, gjenerata e re flet ndryshe.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 4

Vendimi që ngre dyshime: Çfarë e detyroi gjyqtaren e Shkodrës të vendosë për 42-vjeçarin?

Nga t*rturat te ekzekutimi barbar: Masakra e ’97-ës që nuk u zbardh kurrë.

I pastrehu kërkon ndihmë, Bashkia e Korçës i “ofron” një rrenoje.

Paguaj që të punosh: Zbërthehet skema e mashtrimit me "punën nga shtëpia"

Skandali me tunelin e Skërficës: Pas dështimit 23-milionësh, ARRSH thërret policinë për "Piranjat"

Ermal Pashaj: "Jam këtu kundër mediokërve, kriminelëve dhe dështimit 13-vjeçar të kësaj politike"

Manastirliu, kandidatja për Bashkinë e Tiranës, plagjiatura e radhës.

Patronazhistët e Ogerta Manastirliut gjatë Pranisë Besnike

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 3

Shantazh në emër të dashurisë, 40-vjeçari terrorizon gruan e martuar.

Faturat e avokatit. Si u zhdukën mijëra euro pa bërë asnjë punë?

Nga tritoli te kërcënimet me jetë: Çfarë po ndodh me policin Altin Preka?

Saranda e fëmijërisë sime, sot mes plumbave

Nga mësuese filloreje në drejtoreshë gjimnazi. Historia që na vjen nga Ishmi i Durrësit.

Rilindësit me plagjiaturë / Piranjat kapin ish-ministren e Arsimit. Si do të justifikohet ajo?

Prania besnike, një strategji djallëzore për të eliminuar praktikat institucionale.

Fshije videon! Mos shkatërro një jetë.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 2

Nga burgu në arrest shtëpie: Eduard Limaj rikthehet te përndjekja e grave!

Haris Vongli: Dua të kthehem në Shqipëri për Davidin, tim bir.

Fyerje ndaj nxënësve, ngacmime e shkelje rregulloreje: Kush është nëndrejtori problematik?

Institucionet në shërbim të krimit: Pse hesht kryeministri për skandalet?

Nga tritoli te kërcënimet me jetë: Çfarë po ndodh me policin Altin Preka?

Porti i Durrësit po mbyllet, investimet në infrastrukturë vazhdojnë. Cili është justifikimi i APD?