"Më dha një puthje para se të largohej", 17 vjet nga vdekja e ish-portierit gjerman, bashkëshortja e Robert Enkes rrëfen ditën tragjike

Shtatëmbëdhjetë vjet pas vdekjes së Robert Enkes, bashkëshortja e tij, Teresa, ka rrëfyer momentet e fundit që kaluan së bashku dhe dhimbjen që familja përjetoi pas humbjes së vajzës së tyre, Lara.
Portieri i kombëtares gjermane dhe kapiteni i Hannoverit vdiq nga vetëvrasja më 10 nëntor 2009, në moshën 32-vjeçare. Ai vuante prej kohësh nga depresioni, të cilin e kishte mbajtur larg vëmendjes së publikut.
Në një bisedë me futbollistin Robin Gosens, në podkastin e tij, Teresa kujtoi se mbrëmja para vdekjes së bashkëshortit kishte kaluar në dukje normalisht. Çifti kishte qëndruar së bashku në divan dhe, para se të flinin, Roberti e kishte përqafuar, puthur dhe i kishte thënë se e donte. Ajo kishte menduar se gjendja e tij po përmirësohej.
Të nesërmen, Enke ishte pushim nga stërvitja, por i tha bashkëshortes se do të shkonte në qendrën sportive të klubit për një seancë rikuperimi. Para se të dilte nga shtëpia, u kthye dhe e puthi.
“Pastaj nuk pata më lajme prej tij”, kujton Teresa.
Shqetësimi nisi në mbrëmje, kur portieri nuk ishte kthyer në shtëpi dhe jashtë dëgjoheshin sirena. Teresa telefonoi agjentin e tij, Jörg Neblung, i cili gjithashtu nuk kishte pasur kontakt me të gjatë ditës. Më pas, trajneri i portierëve të Hannoverit i tha se atë ditë nuk ishte zhvilluar asnjë stërvitje.
Me sugjerimin e agjentit, ajo kërkoi në shtëpi dhe gjeti një letër lamtumire në dhomën e gjumit.
Gjatë rrëfimit, Teresa foli edhe për humbjen e vajzës së tyre, Lara, e cila kishte lindur me një keqformim të rëndë të zemrës dhe vdiq në shtator 2006, vetëm dy vjeçe. Në maj 2009, çifti kishte birësuar vajzën Leila, por, sipas Teresës, Roberti vazhdonte të përjetonte thellë dhimbjen për Larën.
Ajo tregoi se bashkëshorti kishte lënë edhe një mesazh në varrin e vajzës. Teresa e sheh këtë si një shenjë të dhimbjes që ai mbartte ende nga humbja e saj.
Duke reflektuar mbi atë periudhë, ajo tha se do të kishte dashur të kërkonin mbështetje psikologjike për përballimin e zisë. Sipas saj, futbolli i ofronte Robertit një mënyrë për t’u çliruar përkohësisht, por problemet e shëndetit mendor vazhdonin.
Një ditë pas vdekjes së tij, Teresa doli përpara gazetarëve për të folur hapur për depresionin e bashkëshortit.
“Dua të flas. Ia kam borxh”, tha ajo atëherë, duke shpjeguar se dëshironte të tregonte të vërtetën për gjendjen e tij.
Pas humbjes së portierit, Teresa themeloi Fondacionin Robert Enke, i cili punon për ndërgjegjësimin mbi depresionin dhe mbështetjen e personave që përballen me të.
Lexo edhe
BOTA
Grabitje si në filma/ Katër persona me kallashnikovë vjedhin diamante 1 milion euro brenda tre minutash
Vdekjet misterioze të politikanëve rusë

Nga karriera në spitale te konflikti misterioz për apartamentin! Kush ishte mjeku që përgjaku Uashingtonin

Gjykata spanjolle pezullon aktivitetin e organizatës së ekstremit të djathtë “Nucleo Nacional”

Nga miliarderi më i fuqishëm i inteligjencës artificiale te dorëheqja mes skandaleve! Si u rrëzua perandoria e Jensen Huang





