Nga karriera në spitale te konflikti misterioz për apartamentin! Kush ishte mjeku që përgjaku Uashingtonin

Autori i dyshuar i sulmit të armatosur në një palestër në qendër të Uashingtonit, ku një person humbi jetën dhe katër të tjerë mbetën të plagosur, është identifikuar si Matthew Lambert, një mjek 55-vjeçar me më shumë se dy dekada përvojë në mjekësinë e urgjencës. Pas ngjarjes, kanë dalë në dritë detaje mbi karrierën e tij profesionale dhe një konflikt të gjatë ligjor me administratën e ndërtesës ku banonte.
Sipas NBC News, që citon dy burime policore, Lambert është personi që dyshohet se hapi zjarr mëngjesin e së enjtes, 12 nëntor, në ambientet e palestrës Vida Fitness, në lagjen Logan Circle të kryeqytetit amerikan.
Pas sulmit, 55-vjeçari u barrikadua në apartamentin e tij në katin e shtatë të ndërtesës ku ndodhej edhe palestra. Operacioni policor përfundoi me gjetjen e tij të vdekur, si pasojë e një plage të shkaktuar nga një e shtënë që dyshohet se ia kishte drejtuar vetes.
Por ajo që ka tërhequr vëmendjen e hetuesve është e kaluara e tij dhe, veçanërisht, një mosmarrëveshje me shoqatën që administronte kompleksin rezidencial.
Sipas New York Post, në mars të vitit 2025, Lambert kishte ngritur një padi kundër Metropole Condominium Association, duke pretenduar se punimet e riparimit në ndërtesë kishin shkaktuar dëmtime serioze në apartamentin e tij.
Në dokumentet gjyqësore, mjeku pretendonte se vendosja e skelave dhe mbulesave përreth godinës kishte ndikuar në grumbullimin e lagështisë dhe krijimin e mykut brenda banesës.
Ai argumentonte se, pas nisjes së punimeve, apartamenti kishte pësuar depërtim të dyshuar të ujit, grumbullim të konsiderueshëm lagështie dhe dëmtime të tjera.
Konflikti nuk ishte kufizuar vetëm në rrugë gjyqësore. Lambert kishte krijuar edhe një llogari në rrjetet sociale, përmes së cilës dokumentonte problemet që pretendonte se ekzistonin në ndërtesë.
Policia e Uashingtonit ka konfirmuar se autori i dyshuar kishte pasur një konflikt me shoqatën e pronarëve të ndërtesës, por ka theksuar se motivi i sulmit nuk është përcaktuar ende. Për këtë arsye, nuk është e qartë nëse mosmarrëveshja për apartamentin kishte lidhje të drejtpërdrejtë me ngjarjen e rëndë.
Ndërkohë, profili profesional i 55-vjeçarit tregon një karrierë të gjatë në sektorin shëndetësor amerikan.
Në faqen e tij personale, Lambert e prezantonte veten si një mjek të certifikuar të urgjencës, me më shumë se 20 vite përvojë klinike.
Ai kishte përfunduar studimet për mjekësi në vitin 1997 në Universitetin Marshall, në Virxhinian Perëndimore, ndërsa më pas kishte kryer specializimin në mjekësinë e urgjencës në Universitetin e Virxhinias Perëndimore.
Përveç punës si mjek, Lambert deklaronte se kishte qenë i përfshirë në projekte për zbatimin e sistemeve elektronike të të dhënave shëndetësore në institucione të ndryshme të Shteteve të Bashkuara.
Ai pretendonte gjithashtu se kishte mbajtur poste të larta ekzekutive në kompani të sektorit të teknologjisë, duke ndërthurur përvojën mjekësore me drejtimin e projekteve dhe bizneseve.
Lexo edhe
BOTA
Gjykata spanjolle pezullon aktivitetin e organizatës së ekstremit të djathtë “Nucleo Nacional”

Nga miliarderi më i fuqishëm i inteligjencës artificiale te dorëheqja mes skandaleve! Si u rrëzua perandoria e Jensen Huang

Tragjedi në Emiratet e Bashkuara Arabe/ 14 të vdekur dhe 30 të plagosur, kamioni shkakton aksidentin masiv me 23 automjete

“Nuk dua të vdes i virgjër”, rrëfimi i pazakontë i 59-vjeçarit: Prej 20 vitesh i martuar, por nuk ka bërë kurrë s*ks

Skandali me videot e fëm*jëve trondit Spanjën, qeveria kërkon pezullimin e TikTok-ut deri në zhdukjen e materialeve





