Në Evropë, “paketa mbijetese” për 72 orë, në SHBA plani “Fortress America”/ Pentagoni përgatitet për 90 ditë black-out

Baza ushtarake që mund të funksionojnë për tre muaj pa furnizime nga jashtë, burime të pavarura energjie elektrike, mikroreaktorë bërthamorë dhe rezerva gjigante materialesh kritike. Këto janë pjesë e planit të Pentagonit amerikan për të rritur qëndrueshmërinë e instalimeve ushtarake të SHBA-së përballë sulmeve kibernetike, sabotimeve dhe një kolapsi të mundshëm të infrastrukturave jetike.
Në të njëjtën kohë, në shoqërinë amerikane po shfaqet një fenomen tjetër. Frika nga një ndërprerje masive e energjisë elektrike, e nxitur nga teoritë konspirative në rrjetet sociale, por edhe nga problemet e njëpasnjëshme të ditëve të fundit në shërbimet dixhitale, po shtyn gjithnjë e më shumë qytetarë të blejnë ushqime me afat të gjatë përdorimi, gjeneratorë, radio komunikimi dhe pajisje mbijetese. Ky fenomen kujton, në disa raste, udhëzimin e Komisionit Europian për krijimin e një «pakete mbijetese» për 72 orë dhe reagimet që pasuan në Europë.
Kjo tendencë pasqyrohet edhe në të dhënat e tregut. Sipas një artikulli të publikuar nga Axios më 19 nëntor, kompania Survival Frog regjistroi një rritje prej 450% të shitjeve nga 27 tetori deri më 16 nëntor, krahasuar me javët e mëparshme. Shumica e blerësve të fundit ishin klientë të rinj.
Në qendër të vëmendjes është programi FORTRESS America, një nismë reale e Departamentit amerikan të Luftës, e cila në internet është lidhur me pretendime të pakonfirmuara se vendi mund të përballet me një ndërprerje të energjisë elektrike që do të zgjasë disa muaj.
Programi u prezantua zyrtarisht më 30 shtator nga sekretari amerikan i Luftës, Pete Hegseth, gjatë një fjalimi në bazën ushtarake të Marinsave në Quantico të Virxhinias.
Emri FORTRESS vjen nga inicialet e fjalëve Federal Operations for Resilience, Troop Resources, Energy, Supply and Survivability, që përshkruajnë një sistem operacionesh federale për qëndrueshmërinë, burimet ushtarake, energjinë, furnizimin dhe mbijetesën.
Hegseth e prezantoi programin si një formë të sigurisë kombëtare përballë krizave që mund të paralizojnë SHBA-në.
Në thelb të tij qëndron një objektiv kryesor: Forcat e Armatosura amerikane të jenë në gjendje të vijojnë operacionet edhe nëse rrjeti civil i energjisë elektrike ndalon së funksionuari, ndërpriten transportet e karburantit apo dëmtohen infrastruktura e telekomunikacionit.
Më 6 tetor, u publikua një udhëzim i ri nga zëvendësministri i Mbrojtjes përgjegjës për prokurimet dhe mbështetjen, Michael Duffy, përmes të cilit nisi krijimi i zyrës së posaçme për zbatimin e programit. Drejtor i përkohshëm u emërua Richard “Matt” O’Malley, me detyrën për të koordinuar institucionet, për të monitoruar afatet kohore dhe për të hartuar planin e zbatimit.
Programi FORTRESS America është organizuar rreth pesë shtyllave kryesore:
Pavarësia energjetike: Krijimi i burimeve të pavarura të energjisë elektrike për bazat dhe instalimet kryesore ushtarake.
Qëndrueshmëria e zinxhirit të furnizimit: Ulja e varësisë nga vendet e huaja për materialet dhe komponentët kritikë të industrisë së mbrojtjes.
Rezervat strategjike: Sigurimi i burimeve dhe materialeve jetike për vazhdimin e operacioneve ushtarake.
Mbrojtja e instalimeve: Forcimi i sigurisë fizike dhe i mbrojtjes kibernetike përballë sulmeve dhe akteve të sabotimit.
Siguria e komunikimeve: Garantimi i funksionimit të sistemeve satelitore, komunikimeve dhe spektrit elektromagnetik në kushte krize.
Plani për 90 ditë pa mbështetje të jashtme
Pjesa që shkaktoi më shumë diskutime u bë publike më 25 tetor, kur Fox News raportoi, duke iu referuar dokumenteve që kishte shqyrtuar, se Pentagoni synon që bazat e mëdha ushtarake në territorin kontinental të Shteteve të Bashkuara të jenë në gjendje të ruajnë funksionet e tyre kritike për të paktën 90 ditë, pa asnjë mbështetje nga jashtë.
Plani nuk lidhet vetëm me furnizimin me energji elektrike. Ai përfshin garantimin e furnizimit me ujë, karburant, komunikime dhe materiale të nevojshme, në mënyrë që forcat ushtarake të vijojnë operacionet edhe nëse infrastruktura që u shërben pjesës tjetër të popullsisë del jashtë funksionit.
Zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell, shpjegoi se energjia elektrike është tashmë një faktor kyç i fuqisë ushtarake. Ndërsa më 30 tetor, ndihmëssekretari i Mbrojtjes përgjegjës për energjinë, instalimet dhe mjedisin, Dale Marks, konfirmoi filozofinë e autonomisë energjetike, duke deklaruar se bazat duhet të jenë në gjendje të funksionojnë për 30, 60 apo edhe 90 ditë pa furnizim të jashtëm me energji elektrike. /PiranjatNews/
Lexo edhe
BOTA
VIDEO/ Momenti kur i riu transporton në valixhe trupin e 24-vjeçares

Akuzohet se grushtoi këshilltaren e opozitës, kryebashkiaku i Beogradit rrezikon 3 vite burg

Trump reagon pasi dy raketa dhe një dron ranë në Poloni

"Bie" Brexit, Britania afrohet sërish me Bashkimin Europian

Trump flet pas vizitës në Kinë: Duam ta mbyllim kapitullin me Iranin, por në mënyrën tonë





