Piranjat investigojnë skemën e paligjshme, arrestohen dy 22-vjeçarët që falsifikonin dokumente të BE-së

Investigimi i emisionit “Piranjat” ka çuar në zbulimin e një aktiviteti të paligjshëm të falsifikimit dhe shitjes së dokumenteve të huaja në Tiranë.
Në kuadër të investigimit, gazetarët e “Piranjat” dërgonin fotografitë, të dhënat personale dhe informacionet e nevojshme, ndërsa personat e përfshirë në këtë skemë realizonin prodhimin e dokumenteve false.
Dokumentet e falsifikuara nuk shërbenin vetëm për kalimin e pikave kufitare, por edhe për t'u përdorur në ndërveprime dhe procedura të ndryshme brenda shteteve të Bashkimit Evropian.
Gjatë komunikimeve të zhvilluara nga gazetarët e “Piranjat”, personat e përfshirë përdornin vazhdimisht numra të huaj. Ndërkohë, personi që dyshohet se drejtonte të gjithë skemën nuk ndodhej në Shqipëri, por jashtë vendit.
Investigimi i “Piranjat” dhe provat e mbledhura gjatë tij u bënë pjesë e bashkëpunimit me Policinë, e cila finalizoi operacionin e koduar “Imitimi”. Në kuadër të tij u arrestuan në flagrancë dy 22-vjeçarë, të dyshuar për prodhimin dhe shitjen e dokumenteve false të vendeve të Bashkimit Evropian.
Si rezultat i këtij operacioni, u sekuestruan një pasaportë dhe një leje drejtimi polake, një kartë identiteti dhe një leje drejtimi austriake, të dyshuara të falsifikuara, si dhe 1700 euro. Investigimi i “Piranjat” nxori në pah mënyrën e funksionimit të skemës, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.
Njoftimi i policisë
Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Imitimi”.
Arrestohen në flagrancë 2 shtetas që falsifikonin dokumente të shteteve të BE-së, me qëllim shitjen.
Sekuestrohen dokumente polake dhe austriake, të dyshuara të falsifikuara, 1700 euro, 2 mjete dhe celularët e të arrestuarve.
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare dhe të Sektorit të Forcës së Posaçme Operacionale, si rezultat i përdorimit të metodave hetimore speciale dhe bashkëpunimit me gazetarët e emisionit “Piranjat”, finalizuan operacionin e koduar “Imitimi”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit H. B., 22 vjeç dhe B. M., 22 vjeç.
Nga veprimet hetimore rezultoi se këta shtetas prodhonin dhe shitnin dokumente false të shteteve të BE-së.
Me cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 pasaportë dhe 1 leje drejtimi polake, 1 kartë identiteti dhe 1 leje drejtimi austriake, të gjitha të dyshuara të falsifikuara, si dhe 1700 euro të dyshuara të përfituara nga shitja e dokumenteve false, 1 automjet, 1 motomjet dhe 2 celularë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, dhe në drejtimin e saj, Policia e Tiranës vijon hetimin për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Policia e Tiranës falënderon gazetarët e emisionit “Piranjat”, për bashkëpunimin, dhe shpreh gatishmërinë për të bashkëpunuar konform detyrave funksionale, për çdo rast të paraqitur nga media.
Lexo edhe
AKTUALITET
DETAJE/ Nga plagosja në Vlorë te trafiku i drogës/ Kush është Luka Beqiraj, shqiptari i ekzekutuar në Spanjë?

Drejtori i ri i Portit të Durrësit, Andrea Shllaku u kap me shkelje nga KLSH, do të menaxhojë 30 mln Euro në vit!

Shqipëria ndër tregjet më të shtrenjta të energjisë në rajon, çmimi 14% më i lartë se në Greqi

Kërkojnë uljen e kostove dhe kufizimin e licencave, taksistët dalin në protestë

HUFFINGTON POST: Mafia shqiptare e drogës po ‘pushton’ Romën edhe ekonomikisht





