Editorial Emisione Investigime Aktualitet Sociale Politikë Kosova Bota Showbiz Lifestyle Sport
TË FUNDIT
Rama ndryshon rregullat para protestës kombëtare, faturën e dëmeve do ta paguajnë edhe organizatorët VIDEO/ Prokuroria jep detaje për sekuestrimin e 136 kg drogë që u trafikua nga Shqipëria. Zbulohet destinac... Banorët e lagjes "18 Shtatori" në Gjirokastër denoncojnë zhurmën nga lokalet: Kërkojnë ndërhyrjen e policis... 28 Nëntori hyn në kalendarin zyrtar të New York-ut! Dita e Pavarësisë së Shqipërisë do të përkujtohet çdo v... Reshjet e shiut përmbytin disa zona në Elbasan, nën ujë toka bujqësore dhe fusha e futbollit në Librazhd E rëndë në Shijak! 21-vjeçari gjendet i pajetë në një poligon, dyshohet se… Takimet e kreut të PD/ Foltorja e Ripërtëritjes sot në Kamëz Miliona euro nga UEFA! Konfirmohet shifra e plotë që Egnatia ka arkëtuar deri tani, ia kalon Skënderbeut VIDEO/ Telefonata për Ditën e Falenderimeve, moment i sikletshëm i Trump dhe Melanias me ushtarët jashtë ve... Depozita 5-tonëshe bie nga tarraca e pallatit 8-katësh në Fier! Shpëtojnë kalimtarët “Të japim noj lek ta heqim nga SPAK-u”/ Rrëmbimi dhe vrasja e Jan Prengës, zbardhen bisedat në Sky ECC, GJK... “Është targa e makinës së kushëririt tonë, kryeministrit”, Saimir Tahiri publikon përgjimet: Sa mirë më nji...
POLITIKE

Rama ndryshon rregullat para protestës kombëtare, faturën e dëmeve do ta paguajnë edhe organizatorët

P
Piranjat27 November 2026, 18:31 · 20 min lexim
Rama ndryshon rregullat para protestës kombëtare, faturën e

Këshilli i Ministrave ka miratuar aktin normativ për kompensimin dhe rikuperimin e dëmeve të shkaktuara ndaj pronës nga aktet e dhunës gjatë tubimeve në vende publike. Akti Normativ u miratua në mbledhjen e Qeverisë, një ditë para zhvillimit të protestës kombëtare të 28 nëntorit.

Me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit dhe të ministrit të Drejtësisë, qeveria ka përcaktuar në 16 nene rregullat për kompensimin e pronarëve të dëmtuar, përgjegjësinë civile të autorëve dhe procedurat për rikuperimin e shumave që shteti paguan nga buxheti.

Akti normativ përfshin tubimet në vende publike ose të hapura për publikun, pavarësisht nëse organizatorët i kanë njoftuar ato, autoritetet i kanë ndaluar apo kanë karakter spontan. Dispozitat përfshijnë edhe tubimet gjatë veprimtarive sportive, kulturore dhe festive.

Kompensimi i dëmeve nga buxheti i shtetit

Sipas nenit 6, shteti mund të kompensojë plotësisht ose pjesërisht dëmet që aktet e dhunës u shkaktojnë pronave të personave fizikë dhe subjekteve juridike me aktivitet tregtar nën 14 milionë lekë në vit.

Shteti do të kompensojë vetëm dëmet që nuk mbulojnë kontratat e sigurimit. Në rastet kur shoqëritë e sigurimit mbulojnë vetëm një pjesë të dëmit, shteti mund të kompensojë pjesën e mbetur.

Identifikimi i autorit të dëmit nuk përbën kusht për dhënien e kompensimit.

Këshilli i Ministrave do të përcaktojë rast pas rasti kriteret, kushtet, procedurën, masën e kompensimit dhe institucionin që do të administrojë procesin.

Për marrjen e këtij vendimi, qeveria do të marrë në konsideratë gjendjen dhe nevojat buxhetore, shkallën e dëmeve gjatë tubimit konkret dhe pasojat për pronarët e dëmtuar.

Organizatorët përgjigjen solidarisht me autorët e dëmeve

Në nenin 9, qeveria përcakton përgjegjësinë financiare edhe për organizatat dhe individët që kanë organizuar, zhvilluar apo drejtuar tubimet.

Këta do të përgjigjen solidarisht me autorët e dëmeve, me përjashtim të rasteve kur provojnë se nuk kanë nxitur veprimet e dhunshme dhe se nuk kanë pasur mundësi t'i parandalojnë ato.

Akti normativ përcakton gjithashtu se askush nuk mban përgjegjësi vetëm për shkak të pjesëmarrjes në një tubim.

Përgjegjësia lind nga veprimet ose mosveprimet e personit apo organizatës, përfshirë organizimin, nxitjen dhe kryerjen e akteve të dhunës.

Kur autorët e dëmeve janë të mitur ose persona të pazotë për të vepruar, autoritetet do të zbatojnë nenet 613 dhe 614 të Kodit Civil.

Afat 30-ditor për pagesën e dëmeve

Pas kompensimit të pronarëve, shteti fiton të drejtën të kërkojë nga personat përgjegjës kthimin e shumave që ka paguar.

Policia e Shtetit dhe institucioni që kryen kompensimin do t'i dorëzojnë Avokaturës së Shtetit dokumentacionin për dëmet, pagesat dhe identifikimin e autorëve.

Avokatura e Shtetit do t'u kërkojë personave përgjegjës që të shlyejnë vullnetarisht detyrimin financiar brenda 30 ditëve nga marrja e njoftimit.

Nëse personat nuk paguajnë brenda këtij afati dhe nuk lidhin marrëveshje restauruese, Avokatura e Shtetit mund të ngrejë padi për rikuperimin e shumave.

Për dëmet ndaj pronës shtetërore dhe publike, akti normativ ngarkon Avokaturën e Shtetit që në çdo rast të kërkojë shpërblimin e dëmit në emër dhe për llogari të institucioneve të dëmtuara.

Shlyerja e detyrimeve me punë në interes publik

Qeveria parashikon edhe mundësinë që personat përgjegjës të shlyejnë plotësisht ose pjesërisht detyrimet financiare nëpërmjet punës në interes publik.

Avokatura e Shtetit mund të lidhë marrëveshje restauruese me debitorin, ku palët përcaktojnë llojin e punës, kohëzgjatjen, vlerën dhe kushtet e përmbushjes së detyrimit.

Marrëveshja kërkon pëlqimin e lirë dhe të shprehur të debitorit. Nëse ai refuzon, Avokatura e Shtetit vijon procedurat ligjore për kërkimin e detyrimit civil.

Për të miturit, marrëveshja kërkon pëlqimin e prindërve dhe dëgjimin e njësisë për mbrojtjen e fëmijës. Puna duhet të përshtatet me moshën e të miturit dhe të mos pengojë shkollimin.

Vlera e punës në interes publik nuk mund të tejkalojë shumën e detyrimit financiar.

Procedimet penale dhe përjashtimet nga sekuestrimi

Në rastet kur organet e drejtësisë zhvillojnë procedim penal për të njëjtat fakte, Avokatura e Shtetit mund të ngrejë padinë civile brenda procesit penal.

Kur gjykata shpall me vendim të formës së prerë pafajësinë e personit ose organet e drejtësisë vendosin mosfillimin apo pushimin e procedimit për shkak se personi nuk e ka kryer veprën, Avokatura e Shtetit heq dorë nga gjykimi i padisë.

Akti normativ përjashton nga sekuestrimi pagesat e asistencës sociale dhe ato të aftësisë së kufizuar.

Ministri i Drejtësisë do t'i paraqesë çdo vit Kuvendit një raport për zbatimin e aktit normativ, përfshirë ndikimin e tij në ushtrimin e lirisë së tubimit.

Qeveria ka përcaktuar një afat tremujor për miratimin e aktit nënligjor që do të rregullojë marrëveshjet restauruese dhe shlyerjen e detyrimeve me punë në interes publik.

Akti normativ mban emrin e kryeministrit Edi Rama dhe nënshkrimin e zëvendëskryeministres Albana Koçiu, në mungesë dhe me porosi të kryeministrit. Sipas nenit 16, akti hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare. /Pamfleti

Vendimi i plotë

Për kompensimin dhe rikuperimin e dëmeve të shkaktuara ndaj pronës nga aktet e dhunës gjatë tubimeve

Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit dhe të ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

Vendosi:

Neni 1
Objekti

Ky akt normativ përcakton rregullat për kompensimin e dëmeve të shkaktuara ndaj pronës nga aktet e dhunës gjatë tubimeve në vende publike ose të hapura për publikun, përgjegjësinë civile të personave që kanë shkaktuar këto dëme, si dhe procedurat për rikuperimin e shumave të paguara nga shteti.

Neni 2
Qëllimi

Qëllimi i këtij akti normativ është:

a) të sigurojë kompensimin efektiv të dëmeve të shkaktuara ndaj pronës nga aktet e dhunës gjatë tubimeve;
b) të garantojë që barra financiare e dëmeve të shkaktuara të përballohet nga personat përgjegjës për shkaktimin e tyre, nëpërmjet mekanizmave të rikuperimit të shumave të paguara nga shteti.

Zbatimi i këtij akti normativ nuk cenon lirinë e tubimit paqësor, sipas nenit 47 të Kushtetutës dhe nenit 11 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si dhe përgjegjësinë e shtetit për dëmet e shkaktuara nga organet e tij, kur ka të tilla, sipas legjislacionit në fuqi.

Neni 3
Fusha e zbatimit

Ky akt normativ zbatohet për tubimet në vende publike ose të hapura për publikun, pavarësisht nëse janë të njoftuara, të ndaluara apo spontane, përfshirë tubimet me rastin e veprimtarive sportive, kulturore ose festive.

Neni 4
Përkufizime

Në këtë akt normativ, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:

a) “Tubim”, i njëjti kuptim i përcaktuar në ligjin nr.8773, datë 23.4.2001, “Për tubimet”, të ndryshuar;
b) “I dëmtuar”, çdo person fizik ose juridik, publik ose privat, të cilit i është shkaktuar dëm pasuror;
c) “Autor i dëmit”, personi që ka kryer drejtpërdrejt aktin e dhunës ose të dëmtimit të pronës, ose personat që e kanë kryer bashkërisht.

Neni 5
Parimi i përgjegjësisë vetjake

1. Askush nuk përgjigjet sipas këtij akti normativ vetëm për shkak të pjesëmarrjes në një tubim.

2. Përgjegjësia sipas këtij akti normativ lind vetëm nga veprimet ose mosveprimet e personit ose të organizatës, ku përfshihen edhe organizimi dhe nxitja e akteve të dhunës, përveç ekzekutimit të këtyre akteve.

3. Ky akt normativ interpretohet e zbatohet në mënyrën që ndërhyn sa më pak në lirinë e tubimit paqësor dhe lirinë e shprehjes.

Neni 6
Kompensimi paraprak nga shteti

1. Në bazë të këtij akti normativ, shteti mund të kompensojë paraprakisht, në masë të plotë ose të pjesshme, dëmet e pronës së të dëmtuarve persona fizikë,  si dhe të personave juridikë me aktivitet tregtar nën 14 000,000 lekë në vit, të shkaktuara nga aktet e dhunës gjatë tubimeve.

2. Kompensimi, sipas këtij akti normativ, jepet vetëm për pasuritë që nuk janë të siguruara. Kur pasuria e dëmtuar është e siguruar, dëmi shpërblehet nga shoqëria e sigurimit, sipas kontratës së sigurimit, e cila, pas pagesës, ushtron të drejtën e regresit ndaj shkaktuesit të dëmit, sipas legjislacionit në fuqi. Kur kontrata e sigurimit nuk e mbulon rrezikun e dëmtimit nga trazirat, tubimet ose aktet e dhunshme, pasuria konsiderohet e pasiguruar, për qëllim të këtij akti normativ. Në rast se kontrata e sigurimit nuk e mbulon plotësisht vlerën e dëmit të shkaktuar, pjesa e pambuluar kompensohet sipas rregullave të këtij akti normativ.

3. Nëse vendoset kompensimi sipas këtij neni, për dëmet që konstatohen si të kryera nga aktet e dhunës gjatë tubimit, ky kompensim realizohet, pavarësisht faktit nëse është arritur të identifikohet autori i dëmit.

4. I dëmtuari, që pranon shumën e kompensimit, konsiderohet i shpërblyer deri në masën e shumës së paguar dhe nuk mund ta kërkojë sërish këtë shumë nga autori i dëmit. I dëmtuari ruan të drejtën, që, sipas Kodit Civil, të kërkojë pjesët dhe llojet e tjera të dëmit, që nuk i përfiton sipas këtij akti normativ, ndaj autorit të dëmit.

5. Kriteret, kushtet, procedura, masa e kompensimit dhe organi që vendos për kompensimin përcaktohen rast pas rasti me vendimin e Këshillit të Ministrave, nëpërmjet të cilit vendoset të ndërmerret nisma e kompensimit për dëmet e shkaktuara gjatë tubimit. Vlerësimi, nëse shteti do të angazhohet për kompensimin sipas këtij neni, kryhet duke marrë në konsideratë gjendjen buxhetore dhe nevojat buxhetore në kohën e dhënë, shkallën e dëmit të shkaktuar gjatë tubimit konkret, si dhe shkallën e pasojave për të dëmtuarit.

Neni 7
Regresi

1. Me kryerjen e pagesës së kompensimit, shteti hyn, në masën e shumës së paguar, në të drejtat e të dëmtuarit kundrejt personave përgjegjës për shkaktimin e dëmit, përfshirë subjektet që përgjigjen solidarisht, sipas nenit 9 të këtij akti normativ.

2. Institucioni që ka kryer kompensimin dhe Policia e Shtetit vendosin në dispozicion të Avokaturës së Shtetit të dhënat e dokumentacionin për kompensimin e dhënë dhe për identifikimin e autorëve të dëmit.

3. Avokatura e Shtetit fton subjektin e identifikuar si përgjegjës për shkaktimin e dëmit që të kthejë vullnetarisht shumën e kompensimit. Nëse subjekti nuk e shlyen shumën brenda 30 ditëve nga data e marrjes së ftesës dhe nuk ushtron të drejtën e tij për të lidhur marrëveshje restauruese, sipas nenit 10 të këtij akti normativ, Avokatura e Shtetit është e autorizuar, në bazë të këtij akti normativ, të ngrejë padinë e regresit ndaj autorëve të dëmit, në masën e kompensimit të dhënë ndaj të dëmtuarit.

Neni 8
Rikuperimi i dëmeve të shkaktuara ndaj pasurisë shtetërore dhe publike

1. Pavarësisht nëse vendoset kompensimi paraprak, sipas këtij akti normativ ose jo, në rastet kur të dëmtuarit nga aktet e dhunës janë institucione publike, Avokatura e Shtetit, në çdo rast, kërkon shpërblimin e dëmit në emër dhe për llogari të tyre. Avokatura e Shtetit ushtron kompetencat e përfaqësimit në përputhje me legjislacionin, që rregullon organizimin dhe funksionimin e saj.

2. Policia e Shtetit dhe institucionet e dëmtuara i vënë në dispozicion Avokaturës së Shtetit të dhënat për identifikimin e autorëve, që kanë shkaktuar dëmet, të dhënat për dëmtimet dhe vlerësimin financiar të tyre, për dëmet e shkaktuara ndaj pasurisë shtetërore dhe publike. Avokatura e Shtetit kërkon pagesën vullnetare të dëmit brenda afatit të përcaktuar në pikën 3 të këtij neni.

3. Nëse subjekti nuk e shlyen shumën brenda 30 ditëve nga data e marrjes së kërkesës për pagesë vullnetare dhe nuk ushtron të drejtën e tij për të lidhur marrëveshje restauruese, sipas nenit 10 të këtij akti normativ, Avokatura e Shtetit ngre padinë për shpërblimin e dëmit, në përputhje me dispozitat e Kodit Civil.

Neni 9
Përgjegjësia solidare dhe ajo për të miturit

1. Organizata ose individët që kanë zhvilluar, drejtuar dhe organizuar tubimin, nëse ka të tillë, përgjigjen solidarisht me autorët për dëmin, me përjashtim të rastit kur provohet se veprimet e dhunshme nuk janë nxitur prej tyre dhe se nuk kanë pasur mundësinë që t’i parandalojnë ato.

2. Kur subjektet, që kanë shkaktuar dëmin, janë të mitur, ose persona të pazotë për të vepruar, zbatohen parashikimet e neneve 613 dhe 614 të Kodit Civil.

Neni 10
Marrëveshja restauruese

1. Avokatura e Shtetit mund të lidhë marrëveshje me debitorin që detyrimi i tij të shlyhet tërësisht ose pjesërisht me punë në interes publik.

2. Marrëveshja restauruese lidhet vetëm me pëlqimin e lirë e të shprehur të debitorit dhe përcakton llojin e punës, kohëzgjatjen, mënyrën e vlerësimit të saj dhe kushtet e përmbushjes së detyrimit. Refuzimi i lidhjes së marrëveshjes nuk sjell pasoja të tjera përveç vijimit të procedurave ligjore për kërkimin e detyrimit civil.

3. Për të miturin, marrëveshja lidhet me pëlqimin e prindërve, pasi dëgjohet njësia për mbrojtjen e fëmijës, duke respektuar legjislacionin për mbrojtjen e fëmijëve dhe kufizimet ligjore për punën e tyre. Puna duhet të jetë e përshtatshme për moshën e të mos pengojë shkollimin.

4. Vlera e punës nuk mund të kalojë shumën e detyrimit. Kur detyrimi solidar shlyhet nga disa debitorë, vlera e përgjithshme e punës nuk mund të kalojë shumën e detyrimit.

5. Mënyrat e zbatimit të këtij neni përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 11
Marrëdhënia me përgjegjësinë e autorëve

1. Ky akt normativ nuk cenon përgjegjësinë e plotë të autorëve të dëmit, sipas Kodit Civil, dhe as të drejtën e të dëmtuarit për shpërblim të plotë prej tyre.

2. Kufizimi i kompensimit shtetëror vetëm për dëmet ndaj pronës nuk cenon të drejtën e personave të dëmtuar për të kërkuar, sipas dispozitave të Kodit Civil, shpërblimin e dëmeve të tjera, përfshirë dëmet jopasurore, nga personat përgjegjës.

3. I dëmtuari nuk mund të marrë në total më shumë se dëmi i shkaktuar.

Neni 12
Rastet kur zhvillohet edhe procedim penal

1. Kur për të njëjtat fakte zhvillohet procedim penal, Avokatura e Shtetit, në rastin kur kërkon regresin, ose shpërblimin e dëmit, mund të ngrejë padinë civile në procesin penal, sipas përcaktimeve të Kodit të Procedurës Penale.

2. Nëse ndaj personit është marrë vendim gjyqësor i formës së prerë për pafajësinë ose vendim për mosfillimin ose pushimin e procedimit penal, ose për pushimin e çështjes, për shkak se ka rezultuar se nuk e ka kryer ai veprën, Avokatura e Shtetit heq dorë nga gjykimi i padisë. Vendimet e tjera të pushimit nuk përjashtojnë automatikisht përgjegjësinë civile, e cila përcaktohet sipas legjislacionit në fuqi.

Neni 13
Përjashtim nga ekzekutimi

Pagesat e asistencës sociale dhe të aftësisë së kufizuar nuk mund të sekuestrohen për detyrimet, sipas këtij akti normativ.

Neni 14
Raportimi

1. Avokatura e Shtetit mban të dhëna për paditë, vendimet dhe shumat e arkëtuara, sipas këtij akti normativ, si dhe për marrëveshjet restauruese.

2. Ministri përgjegjës për drejtësinë i paraqet Kuvendit çdo vit një raport për zbatimin e këtij akti normativ, përfshirë ndikimin e tij në ushtrimin e lirisë së tubimit.

Neni 15
Aktet nënligjore

Ngarkohet Këshilli i Ministrave që, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij akti normativ, të nxjerrë aktin nënligjor, në zbatim të pikës 5, të nenit 10, të këtij akti normativ. Vendimet e Këshillit të Ministrave, sipas pikës 5, të nenit 6, të këtij akti normativ, miratohen rast pas rasti.

Neni 16
Hyrja në fuqi

Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

SHPËRNDAJE

Lexo edhe

POLITIKE

Me rëndësi

Ndiqni Piranjat kudo.

Investigime, denoncime dhe satirë — zëri që nuk hesht.