Tragjedia që preku gjithë familjen/ Partnerja me vajzën e vogël në krah pa futbollistin të shembej në fushë, babai shpërtheu në lot para televizorit
Detaje rrëqethëse dalin në dritë nga tragjedia që i mori jetën futbollistit spanjoll Jesus de Miguel, vetëm 30 vjeç. Ndërsa partnerja e tij, Maria, ndodhej në tribunat e stadiumit me vajzën e tyre vetëm një vjeç e disa muajshe, ajo u bë dëshmitare e drejtpërdrejtë e momentit kur sulmuesi i Tenerife-s u rrëzua në fushë

Detaje rrëqethëse dalin në dritë nga tragjedia që i mori jetën futbollistit spanjoll Jesus de Miguel, vetëm 30 vjeç. Ndërsa partnerja e tij, Maria, ndodhej në tribunat e stadiumit me vajzën e tyre vetëm një vjeç e disa muajshe, ajo u bë dëshmitare e drejtpërdrejtë e momentit kur sulmuesi i Tenerife-s u rrëzua në fushë pas përplasjes me portierin kundërshtar. De Miguel humbi jetën të martën në mëngjes, disa orë pas incidentit të ndodhur gjatë ndeshjes kundër Andorrës, në kategorinë e dytë të futbollit spanjoll. Gjatë një daljeje nga zona e tij për të larguar topin, portieri Jesus Owono u përplas me sulmuesin, duke e goditur me gju në kraharor. Futbollisti pësoi arrest kardiak dhe mori ndihmën e parë në fushë, përpara se të transportohej me urgjencë në spital. Mjekët arritën fillimisht ta rikthenin në jetë, por gjendja e tij neurologjike u përkeqësua dhe ai ndërroi jetë disa orë më vonë.
Partnerja e priti e vetme në spital, ndërsa vajza e tyre ishte vetëm një vjeçe
Një nga dëshmitë më prekëse vjen nga Fernando Roman, mik i ngushtë i futbollistit, i cili tregoi se Maria kishte kaluar orë të tëra e vetme në spital, duke pritur lajme për gjendjen e partnerit të saj. Roman tha se kishte komunikuar me të gjatë gjithë pasdites dhe natës, duke u përpjekur t’i qëndronte pranë në këto momente të tmerrshme. “Kam folur me partneren e tij dhe mund ta imagjinoni situatën në të cilën ndodhet. Tani duhet të qëndrojmë pranë familjes. Dua t’u dërgoj dashurinë time njerëzve të tij, Marias dhe vajzës së tij, Karla, e cila është vetëm një vjeç e disa muajshe”, u shpreh ai.
Miku i futbollistit zbuloi gjithashtu se vetëm pak kohë më parë kishin diskutuar për të organizuar një udhëtim së bashku në Disneyland, me vajzat e tyre. “Ishte e pabesueshme. Po flisnim për udhëtimin në Disney me vajzat, edhe me vajzën time, dhe shikoni çfarë ndodhi”, tregoi Roman.
Dhimbja ka qenë e madhe edhe për familjen e futbollistit. Babai i De Miguel po ndiqte ndeshjen në një lokal në qytetin e lindjes së të birit, Navahermosa, në provincën e Toledos. Një fqinj i familjes tregoi për televizionin spanjoll Antena 3 se ai e kuptoi menjëherë seriozitetin e situatës sapo pa përplasjen në ekran. “Babai i tij, sapo pa përplasjen, filloi të qante”, rrëfeu fqinji, duke shtuar se më pas familjarët u nisën drejt Tenerife-s për të qenë pranë tij. Ai e përshkroi 30-vjeçarin si një djalë shumë të dashur në vendlindje, ku njihej për karakterin e afrueshëm dhe entuziazmin për jetën.
Policia heton rrethanat e vdekjes
Ndërkohë, policia spanjolle ka nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e vdekjes së futbollistit. Në fokus është edhe mundësia e një vepre penale të vrasjes nga pakujdesia. Hetuesit po shqyrtojnë dinamikën e përplasjes, ndërhyrjen mjekësore në fushë dhe dokumentacionin shëndetësor të futbollistit. Portieri Jesus Owono u ndëshkua me karton të kuq pas incidentit, ndërsa ndeshja u ndërpre në rezultatin 2-2. Sipas raportimeve, nuk përjashtohet që ngjarja të konsiderohet një aksident i ndodhur gjatë lojës, çka do të ndikonte edhe në vlerësimin e përgjegjësisë penale. Owono, i cili është përballur edhe me reagime të ashpra në rrjetet sociale, raportohet se dëshiron të kontaktojë familjen e De Miguel për t’i shprehur ngushëllimet dhe për të kërkuar falje. Klubi i Tenerife-s ka shprehur dhimbjen për humbjen e futbollistit, ndërsa ka kërkuar respektimin e privatësisë së familjes në këtë moment të vështirë.
Lexo edhe
SPORT
“Shikoni kush erdhi…”, Nelson Hysa bëhet me “krah”, vizitë speciale në stërvitje

“Ditët më të vështira të jetës sime”, portieri Owono reagon pas vdekjes tragjike të Jesús de Miguel

Paulo Fonseca braktis Lyonin në mes të sezonit, zbulohet destinacioni i trajnerit portugez

Fabregas frenon euforinë te Como para Interit: Të qëndrojmë me këmbë në tokë

Arsenali dhe City fitojnë në Champions, Napoli pëson disfatë të hidhur





