Vajza e vogël piu qumësht me kokainë dhe vdes, burgosen prindërit

Një ngjarje tragjike ka tronditur Britaninë e Madhe, ku një vajzë vetëm 2-vjeçare humbi jetën pasi konsumoi qumësht të kontaminuar me një sasi kokaine që mund të ishte fatale edhe për një të rritur.
Jodie Hatch, 22 vjeçe, dhe partneri i saj, Dale Mathie, 30 vjeç, i cili merrej me shitjen e drogës, janë dënuar me burg për vdekjen e vogëlushes Laylah Ann. Mathie u dënua me 13 vite e 9 muaj burg, ndërsa nëna e vajzës me 5 vite e 4 muaj.
Shërbimet e emergjencës mbërritën me urgjencë në apartamentin e Mathie në Billingham, Teesside, në prill të vitit 2024, pasi Laylah ishte gjetur pa ndjenja në shtrat. Në gjykatë u bë e ditur se fillimisht ambulanca ishte njoftuar se vogëlushja ishte mbytur nga të vjellat e saj, përpara se të ndërronte jetë në spital.
Gjatë kontrollit të banesës, efektivët e Njësisë së Hetimit të Vrasjeve dhe Krimeve të Rënda të Policisë së Cleveland zbuluan një sasi të konsiderueshme kokaine dhe kanabisi, të lëna në vende ku fëmija mund t'i arrinte.
Analizat toksikologjike zbuluan një sasi vdekjeprurëse kokaine në biberonin e qumështit të Laylah. Gjurmë të së njëjtës lëndë narkotike u gjetën edhe në gjakun, përmbajtjen e stomakut dhe flokët e saj.
Ekzaminimet e mëtejshme treguan se vogëlushja kishte qenë e ekspozuar në mënyrë të përsëritur ndaj kokainës, kanabisit dhe ekstazisë. Megjithatë, prokuroria nuk arriti të provonte se si kishte përfunduar konkretisht kokaina në biberonin e saj apo nëse ishte përzier qëllimisht me qumështin.
Pas vdekjes së vajzës, më 10 prill 2024, Hatch publikoi një mesazh prekës në Facebook, ku e përshkruante Laylah si “vajzën time të vogël, shoqen time më të mirë dhe hijen time të vogël”.
Vetëm pak ditë përpara tragjedisë, vogëlushja kishte konsumuar një karamele me kanabis, e cila e kishte lënë pa ndjenja për 17 orë.
Hetuesit sekuestruan edhe një telefon gjatë hetimeve, ku zbuluan pamje shqetësuese që tregonin vogëlushen nën efektin e lëndëve narkotike.
Fillimisht, Hatch dhe Mathie mohuan dy akuzat për keqtrajtim të fëmijëve, që lidheshin me Laylah dhe një fëmijë tjetër. Megjithatë, ditën e tretë të gjyqit, të dy ndryshuan qëndrim dhe pranuan fajësinë.
Ata pranuan gjithashtu akuzat për posedim të drogave të kategorisë A me qëllim shpërndarjen. Hatch pranoi edhe përfshirjen në shpërndarjen e kanabisit, një drogë e kategorisë B.
Dënimi i Mathie përfshinte edhe një sulm të dhunshëm ndaj dy 18-vjeçarëve në Billingham, në shtator të vitit 2025. /PiranjatNews/
Lexo edhe
BOTA
Joe Biden kritikon Zelenskyy-n në librin e tij: I vështirë për të punuar me të dhe jo aq mirënjohës sa prisja

Sulm me armë kimike në Uashington? Reagon Araghchi: Na kurseni nga propaganda e stilit të luftës në Irak

Kuvendi i Serbisë nis punën me përfaqësimin e ri, Vuçiç përplaset me lëvizjen studentore: Terror institucional!

Parandalimi i sulmit terrorist në Greqi, zbulohet shënjestra e katër shqiptarëve

Rastësi apo diçka më shumë? Nga Microsoft te NSA dhe gjigantët e medias, bota në alarm nga kaosi teknologjik brenda një jave





