Blushi prezanton 12 amendamentet e Partisë së Lirisë për Buxhetin 2027: 167 milionë euro për bujqësinë, rritje pagash për zjarrfikësit dhe policinë e burgjeve
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka prezantuar 12 amendamentet që kjo forcë politike propozon për Projektbuxhetin e vitit 2027. Propozimet janë ndarë në katër paketa kryesore: “Rinia”, “Made in Albania”, “Emergjencat Civile dhe Siguria” dhe “Sociale”. Në një deklaratë për mediat, Blushi bëri të ditur se amendamentet synojnë rritjen e financimit […]

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka prezantuar 12 amendamentet që kjo forcë politike propozon për Projektbuxhetin e vitit 2027. Propozimet janë ndarë në katër paketa kryesore: “Rinia”, “Made in Albania”, “Emergjencat Civile dhe Siguria” dhe “Sociale”. Në një deklaratë për mediat, Blushi bëri të ditur se amendamentet synojnë rritjen e financimit për arsimin, universitetet, shkencën dhe novacionin, mbështetjen e prodhimit vendas, përmirësimin e pagave të punonjësve të shërbimeve të sigurisë dhe shtimin e fondeve për ndihmën ekonomike dhe shëndetësinë.
Paketa për Rininë përfshin pesë amendamente, mes të cilave shtesa prej 3 miliardë lekësh për arsimin e mesëm, 2 miliardë lekësh për arsimin universitar dhe 2 miliardë lekësh për shkencën dhe novacionin. Ndërsa paketa “Made in Albania” përmban tre amendamente, ku kërkohet rritja e financimit për bujqësinë dhe zhvillimin rural në 167 milionë euro. Sipas Blushit, rreth 73 milionë euro nga kjo shumë do të dedikohen për mbështetjen e prodhimit bujqësor, blegtorisë dhe agroindustrisë, duke propozuar një shtesë fondi prej 78%.
Në këtë paketë përfshihet edhe propozimi për 5.6 milionë euro për Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes së Konsumatorit, me qëllim forcimin e mbrojtjes së qytetarëve nga çmimet abuzive. Një tjetër amendament parashikon mosndryshimin e pragut të aplikimit të TVSH-së për biznesin e vogël gjatë vitit 2027. Për sigurinë dhe emergjencat civile, Partia e Lirisë kërkon rritjen me 35% të pagave për zjarrfikësit dhe punonjësit e Policisë së Burgjeve. Sipas Blushit, rritja duhet të përfshijë edhe shpërblimet, orët shtesë dhe dietat, si dhe angazhimet gjatë fundjavave dhe festave zyrtare për zjarrfikësit.
Ndërsa paketa Sociale përmban dy amendamente: një shtesë prej 7.5 miliardë lekësh për ndihmën ekonomike dhe papunësinë, si dhe 3.5 miliardë lekë shtesë për Spitalin Onkologjik. Gjatë prezantimit, Blushi kritikoi ashpër Projektbuxhetin e vitit 2027, duke e cilësuar atë si një buxhet që, sipas tij, favorizon vjedhjen, lë pas dore prodhimin vendas dhe braktis sektorët jetikë të vendit. Ai ngriti gjithashtu shqetësimin për kursin e këmbimit të përdorur në përllogaritjen e buxhetit, duke argumentuar se referimi me 96 lekë për një euro fryn artificialisht vlerën e tij në rreth 10 miliardë euro. Sipas Blushit, kursi aktual është rreth 89 lekë për euro dhe mbetet për t’u parë se si do të jetë në momentin e nisjes së zbatimit të buxhetit të ri.
DEKLARATA
Grupi Parlamentar i Partisë së Lirisë paraqet sot edhe 5 Amendamente të tjera shtesë ndaj Projekt – Buxhetit të vitit 2027.
Në total kemi përgatitur 12 Amendamente, të ndara përmes katër paketave konkrete.
Paketa “Rinia”, ku janë përfshirë 5 Amendamente dhe konkretisht: Amendamenti i ri është një shtesë fondi prej 3 miliardë lekë për Arsimin e Mesëm, një shtesë fondi 2 miliardë lekë për Arsimin Universitar dhe një shtesë fondi prej 2 miliardë lekësh për Shkencën dhe Novacionin, të cilat do të prezantohen në detaje nga kolegët e nderuar.
Kemi paketën “ Made in Albania” që përfshin 3 Amendamente dhe konkretisht rritjen e financimit për bujqësinë dhe zhvillimin rural me 167 milionë euro, pra duke shtuar rreth 73 milionë euro vetëm të dedikuara për mbështetjen e prodhimit bujqësor, blegtorisë dhe agro – industrisë, në total me një shtesë fondi prej 78%.
Propozojmë gjithashtu 5.6 milionë euro për agjensinë Kombëtare të Mbrojtjes së Konsumatorit për të forcuar pikërisht mbrojtjen e qytetarëve nga çmimet abuzive të tregut.
Amendamenti tjetër i kësaj pakete për mosndryshimin e pragut të aplikimit të TVSH-së për të ardhurat gjatë vitit 2027, me orientim të qartë për të mos rënduar më tej situatën ekonomike për biznesin e vogël.
Gjithashtu është paketa e Emergjencave Civile dhe Sigurisë që përfshin dy amendamente, respektivisht rritjen me 35% të pagave për heronjtë e shërbimit zjarrfikës, rritje e cila duhet të përfshijë edhe shpërblimet, orët shtesë si dhe angazhimet e tyre vecanërisht gjatë festave zyrtare, fundjavave, por edhe dietat.
Si dhe rritjen me 35% të pagave për punonjësit e policisë së burgjeve, rritje me 35% që duhet të përfshijë gjithashtu edhe shpërblimet, orët shtesë si dhe dietat.
Paketa e fundit është paketa Sociale që përmban dy amendamente.
Konkretisht një shtesë prej 7.5 miliardë lekë për ndihmën ekonomike, për papunësinë si dhe një shtesë prej 3.5 miliardë lekë për spitalin Onkologjik.
Dua t’ju sjell në vëmendje faktin se Projekt Buxheti i vitit të ardhshëm i Edi Ramës, nuk është asgjë tjetër vecse buxheti më i madh dhe historik i mashtrimit, i vjedhjes, i pikiatës së ekonomisë dhe i braktisjes sociale.
Një buxhet që u vjedh qytetarëve mundësinë për një jetë më të mirë, u mohon të rinjve prespektivën, nuk ka asnjë reflektim ndaj kërkesave të tyre legjitime.
Një buxhet që e le prodhimin vendas në mëshirë të importit dhe konkurrencës së pandershme dhe një buxhet që braktis sektorët jetikë të vendit.
Sepse i gjithë ky buxhet është orientuar, e theksoj, vetëm tek vjedhja dhe të mashtrimi.
Dhe te mashtrimi në fakt ky buxhet nis që në krye të herës duke përdorur kursin prej 96 lekë për 1 euro thjesht dhe vetëm për të fryrë qëllimisht gjoja këtë buxhet me shifrën prej 10 miliardë euro kur dihet në fakt, se kursi i euros vijon pikiatën e pandalshme dhe sot ka arritur në nivelet prej 89 lekë dhe në fakt është me interes të shihet se sa do të jetë kursi i këmbimit duke filluar nga 1 Janari i vitit të ardhshëm kur dhe nis zbatimi i buxhetit të ri të shtetit, i cili në fakt zbatohet në lek.
Kjo alternativë, pra 12 Amendamentet e Partisë së Lirisë, të ndara në katër paketa, është një alternativë konkrete përballë këtij buxheti, përballë kësaj politike thellësisht anti – sociale, anti – rini dhe anti – prodhim.
Pra këto amendamente orientohen drejt shqiptarëve për fuqizimin e ekonomisë së tyre familjare, por edhe fuqizimin e ekonomisë kombëtare, sepse në fakt kështu duhet të jetë i gjithë ky buxhet, një buxhet i cili duhet ti kthejë paratë e shqiptarëve te shqiptarët dhe jo të financojë xhepat e Edi Ramës dhe klientelës së tij.
Lexo edhe
POLITIKE
Kallëzimi për Irena Gjokën, Malltezi: Të gjithë institucionet e shtetit u vendosen për të mbrojtur një delinkuente

Identifikimi elektronik në zgjedhje/ Logu: U përdorën si platforma patronazhimi dhe manipulimi nga PS

Mbahet sot Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel, Serbia bojkoton takimin

BIRN: Korrupsioni dhe kostoja e jetesës ushqejnë protestat kundër qeverisë në Shqipëri

Nazarko: Opozita të bashkohet për zgjedhjet vendore në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë





