Gjobë rekord/ Italia kërkon 800 mln euro nga Facebook
Autoritetet italiane kanë gjobitur me 805 milionë euro kompaninë Meta, mëmë e Facebook-ut, për përdorimin e fotografive dhe videove nga telefonat Android pa pëlqimin e posaçëm të përdoruesve, njoftoi Autoriteti Italian për Mbrojtjen e të Dhënave Personale në një deklaratë

Autoritetet italiane kanë gjobitur me 805 milionë euro kompaninë Meta, mëmë e Facebook-ut, për përdorimin e fotografive dhe videove nga telefonat Android pa pëlqimin e posaçëm të përdoruesve, njoftoi Autoriteti Italian për Mbrojtjen e të Dhënave Personale në një deklaratë.
Gjobitja lidhet me funksionin “Sugjerimet nga galeria e kamerës gjatë shfletimit në Facebook”, i cili u sugjeron përdoruesve fotografi dhe video nga galeria e telefonit për t’i shtuar në postimet e tyre, shkruan Politico.
Sipas autoritetit, ky funksion shkel ligjin italian që zbaton direktivën e BE-së për privatësinë në komunikimet elektronike (ePrivacy). Kjo është, me diferencë, gjoba më e madhe e vendosur ndonjëherë nga rregullatori italian.
Hetimi, i nisur në vitin 2025, konstatoi se aplikacioni kërkon qasje në galerinë e fotografive të përdoruesit përmes një autorizimi të vetëm, i cili mbulon të gjithë aplikacionin, megjithëse funksionet e ndryshme të tij kanë nevoja të ndryshme. Sipas autoritetit, kërkesa për autorizim paraprihej nga një njoftim i përgjithshëm, i cili nuk u mundësonte përdoruesve të kuptonin se po autorizonin sugjerimin e fotografive dhe videove.
“Nëse jepet plotësisht, ky lloj autorizimi i lejon aplikacionit të lexojë të gjithë arkivin e fotografive të pajisjes, zakonisht në mënyrë të përhershme, pa pasur mundësi përdoruesi apo autoritetet të verifikojnë se cilat të dhëna po përdoren konkretisht”, thuhet në deklaratë.
Autoriteti tha gjithashtu se “hodhi poshtë kundërshtimin e kompanisë për mungesë juridiksioni, sipas të cilit çështja duhej të trajtohej nga autoriteti irlandez, pasi rregullorja ePrivacy nuk parashikon mekanizmin e ‘sportelit të vetëm’ (one-stop-shop)”.
Sipas autoritetit, Meta ka 60 ditë kohë për të marrë pëlqimin e përdoruesve veçmas dhe në mënyrë të posaçme për këtë funksion, si dhe për të shpjeguar qartë se si funksionon dhe si mund të çaktivizohet. Funksioni duhet gjithashtu të jetë i çaktivizuar si parazgjedhje, edhe për përdoruesit që e kanë autorizuar më parë.
Meta nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment. Kompania ka të drejtë ta apelojë vendimin.
Lexo edhe
BOTA
E rëndë në Greqi! Burri aksidenton për vdekje me kamion gruan e tij 50 vjeçe

Dronët godasin tre anije tregtare pranë Rumanisë! Bukureshti kërkon ndihmën e NATO-s

Kremlini: Nëse nuk do të ketë marrëveshje me Evropën, do të përdorim forcën! BE: Ndalohet anija e flotës fantazmë ruse në Mesdhe

Ish-ministri fshehu 20 mln dollarë në pyll. Ekspertëve iu deshën 8 orë për t’i numëruar

VIDEO/ Përplasje të dhunshme në protestën e të rinjve në Berlin, policia godet protestuesit brenda metrosë





