“Po vdes, kujdesu për fëmijën tonë”/ Gruaja 36-vjeçare telefonon burrin pasi u shtyp nga makina

Momentet dramatike që përjetoi kur pa bashkëshorten e tij 36-vjeçare të plagosur rëndë, pasi u përplas nga një makinë në Kamatero, i ka rrëfyer bashkëshorti i saj, duke folur mëngjesin e së dielës (15/11). Gruaja vazhdon të jetë e shtruar në spital në gjendje kritike, ndërsa bashkëshorti ka zbuluar edhe fjalët që ajo i tha pak para se të transportohej në spital.
“Kur shkova atje, të gjithë njerëzit ishin mbledhur rreth saj. Sapo më pa, më njohu menjëherë. Më kapi dorën me dorën tjetër dhe më tha: ‘Kam dhimbje, nuk duroj më, po shuhem. Kujdesu për fëmijën tonë’.
Unë i thashë: ‘Nuk është asgjë, është nga tronditja. Je lënduar. Gjithçka do të shkojë mirë’.
Ajo më tha: ‘Jo, po vdes. Nuk jam mirë’.
Unë i thashë: ‘Bëj durim, po vjen ambulanca. Do të shkojmë në spital dhe do të bëhesh mirë’.
Më pas mbërriti ambulanca. Punonjësit e urgjencës e vendosën brenda dhe u nisëm menjëherë drejt spitalit ‘Kryqi i Kuq’. Shoferi ishte aty dhe dukej mirë. Thoshte vetëm: ‘Çfarë bëra?’, asgjë tjetër”, tregoi ai për televizionin Mega.
Si ndodhi aksidenti
Bashkëshorti i 36-vjeçares foli edhe për rrethanat e aksidentit, duke shpjeguar se gruaja kishte ndaluar për të blerë një kafe përpara se të nisej për në punë.
“Bashkëshortja ime e kishte parkuar makinën normalisht, kishte hapur derën dhe kishte zbritur. Ajo donte të merrte kafen e mëngjesit, përpara se të shkonte në punë, siç bën çdo mëngjes në këtë orar.
Zotëria e përplasi dhe e hodhi në ajër. Ajo bëri katër rrotullime në ajër dhe më pas ra me forcë në asfalt”, tha ai.
Makina që përplasi gruan po lëvizte me shpejtësi të tepërt dhe, pa frenuar, e goditi atë, duke e hedhur në ajër. Më pas, automjeti përfundoi duke u përplasur me disa makina të tjera të parkuara.
72 orët e ardhshme janë vendimtare për 36-vjeçaren
“Gjendja e saj është shumë kritike. 72 orët e para janë jashtëzakonisht të rëndësishme. Ajo ka shumë dëmtime në trup dhe fraktura të shumta. E gjithë ana e majtë e trupit është e shkatërruar.
Është kryer ndërhyrja e parë kirurgjikale në kërcirin e këmbës. Mjekët bënë gjithçka që ishte njerëzisht e mundur për të ndaluar hemorragjitë, por ajo ka dëmtime jashtëzakonisht të rënda.
Nuk e dimë se çfarë komplikacionesh mund të shfaqen gjatë orëve dhe ditëve në vijim”, deklaroi bashkëshorti i saj. Ndërkohë, shoferi 38-vjeçar i automjetit ndodhet i shtruar në spital, nën ruajtjen e policisë. /PiranjatNews/
Lexo edhe
BOTA
Gjermania zgjeron kompetencat e shërbimeve sekrete për t’u përballur me kërcënimet e huaja

Netanyahu i kërkon të bashkojnë forcat pas humbjes, rivali politik Eisenkot e refuzon: Nuk të funksionon me mua

DW: A po zgjeron Kina praninë ushtarake në Azinë Juglindore?

Historia e pazakontë në Spanjë, si ia doli shoferi të kalonte 16 vite pa paguar autostradën

“Të mashtrojmë Zotin”, vajza e Putin planifikon krijimin e vaksinës që “do mposhtë plakjen”





