Bashkohen partitë shqiptare, garojnë së bashku për zgjedhjet në Serbi

Subjektet politike shqiptare nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja do të garojnë me një listë të përbashkët në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të Serbisë, të caktuara për 25 tetor.
Marrëveshja për pjesëmarrje të përbashkët në zgjedhje është bërë e ditur nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas një takimi me përfaqësuesit e subjekteve politike shqiptare të Luginës, të zhvilluar të martën në mbrëmje në Zyrën e Kryeministrit në Prishtinë.
“Sot, në Zyrën e Kryeministrit, përfaqësuesit e subjekteve politike pjesëmarrëse nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja arritën marrëveshjen për listën e përbashkët Koalicioni Shqiptar, për zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit në Serbi”, ka shkruar ai.
Kurti i ka falënderuar përfaqësuesit e subjekteve politike për gatishmërinë për të bashkëpunuar, pavarësisht dallimeve politike.
Megjithatë, ai ka vlerësuar se bashkimi politik përmes “Koalicionit Shqiptar” nuk është i mjaftueshëm, duke iu referuar asaj që e cilëson si asimetri të të drejtave në Serbi.
“Serbët në Kosovë i kanë të garantuara 10 nga 120 ulëset në Kuvendin e Republikës së Kosovës, e me këtë qasje, shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës do të duhej të kishin së paku 5 vende të garantuara në Parlamentin e Serbisë”, ka shkruar ai.
Kurti është zotuar se do të vazhdojë t’u qëndrojë pranë shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, duke theksuar se angazhimi i institucioneve të Kosovës do të vazhdojë për të drejtat, identitetin dhe mirëqenien e qytetarëve të Luginës së Preshevës.
Zyra e Kryeministrit kishte bërë të ditur edhe më herët se në takimet me përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të Luginës është diskutuar për bashkërendimin politik dhe forcimin e përfaqësimit të tyre parlamentar.
Lexo edhe
KOSOVA
Protesta hyn në natën e 14-të, qytetarët kërkojnë veprime nga institucionet e Kosovës

Identitete dhe të dhëna të tjera në shitje, si funksiononte tregu ilegal i dy vëllezërve nga Kosova i hetuar nga FBI

Aktakuza ndaj liderëve të UÇK-së, zbulohen emrat e gjyqtarëve në panelin e Apelit

PDK-ja kërkon ndryshimin e Ligjit për Specialen para 6 tetorit

Zyrtarë të Listës Serbe dyshohen për sulm ndaj rendit kushtetues dhe vepra të tjera penale





