Kurti: Shqiptarët duhet të kenë të paktën pesë vende të garantuara në Kuvendin e Serbisë

Përfaqësuesit e partive shqiptare nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci në jug të Serbisë, kanë arritur pajtueshmëri në prani të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, për të marrë pjesë së bashku në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi, më 25 tetor. Në listën e përbashkët, e quajtur “Koalicioni Shqiptar”, do të marrin pjesë tetë parti që kanë këshilltarë komunalë në këto tri komuna me shumicë shqiptare në jug të Serbisë.
“Është koha që të kemi fuqi më të madhe politike, pasi që në realitet e kemi atë, të jemi të përfaqësuar me një numër më të madh deputetësh në Kuvend, në mënyrë që të përpiqemi t’i zgjidhim problemet tona”, tha për Radion Evropa e Lirë Shaip Kamberi, lider i Partisë për Veprim Demokratik.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se shqiptarët në Serbi duhet t’i kenë “të paktën 5 vende të garantuara” në Kuvendin e Serbisë. Kamberi ishte përfaqësuesi i vetëm i komunitetit shqiptar në legjislaturën e kaluar të Kuvendit të Serbisë. I pyetur se çfarë do të jetë baza e pjesëmarrjes së tyre, Kamberi tha se ajo do të jetë respektimi i marrëveshjeve të nënshkruara ndërmjet përfaqësuesve të shqiptarëve dhe Qeverisë së Serbisë.
“Jemi dakorduar që baza e kërkesave tona të jetë plani me shtatë pika, të cilin Qeveria e Serbisë e miratoi në qershor të vitit 2013, duke iu referuar marrëveshjeve të mëhershme, të cilat, me ndërmjetësimin e OSBE-së, janë nënshkruar ndërmjet përfaqësuesve të shqiptarëve dhe Qeverisë së Serbisë”, tha ai.
Plani me shtatë pika parasheh përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore, rimëkëmbjen ekonomike të komunave të Luginës së Preshevës, përdorimin zyrtar të gjuhës, shkrimit dhe simboleve kombëtare shqiptare.
Ai parasheh gjithashtu decentralizimin në sistemin e drejtësisë, sigurinë dhe masat për ndërtimin e besimit, si dhe çështjet që lidhen me arsimin, mediat, kulturën, shëndetësinë dhe mbrojtjen sociale.
Listës “Koalicionit Shqiptar” do t’i prijë Shaip Kamberi. Bartësi i dytë do të jetë nga Alternativa për Ndryshim, ndërsa i treti nga Partia Demokratike.
Sipas Kamberit, është arritur marrëveshje edhe për veprimin e përbashkët pas zgjedhjeve.
“Deputetët do të qëndrojnë së bashku dhe do të përpiqen që, me disa parti të tjera me të cilat na lidh veprimi i përbashkët, të formojnë grup parlamentar”, shtoi ai.
Çfarë tha Kurti?
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vlerësoi në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës më 30 shtator se pjesëmarrja e përbashkët në listën “Koalicioni Shqiptar” mund të jetë një hap i rëndësishëm dhe historik për shqiptarët e Luginës së Preshevës në luftën “kundër diskriminimit dhe përjashtimit, si dhe kundër spastrimit etnik administrativ [në Serbi]”.
Kurti përsëriti qëndrimin se pjesëtarët e komunitetit shqiptar në Serbi duhet të kenë të njëjtat të drejta si pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë, përfshirë edhe vendet e rezervuara për pakicat në Kuvend.
“Serbëve në Kosovë u garantohen 10 nga gjithsej 120 vendet e deputetëve në Kuvendin e Kosovës, ndërsa sipas kësaj qasjeje, shqiptarët nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci duhet të kenë së paku pesë vende të garantuara në Kuvendin e Serbisë, i cili ka 250 vende deputetësh”, tha Kurti.
Lexo edhe
KOSOVA
Ish-prokurorja e EULEX: Katër ish-krerët e UÇK-së mund të falen me dekret, këtë ka bërë edhe Trump

Bekim Sejdiu u tërhoq nga gara për president, Kurti i prerë: Mbetet kandidatura jonë

Çështja e Presidentit në Kosovë/ Kurti: Situatë urgjente për veprim

Bashkohen partitë shqiptare, garojnë së bashku për zgjedhjet në Serbi

Protesta hyn në natën e 14-të, qytetarët kërkojnë veprime nga institucionet e Kosovës





