Editorial Emisione Investigime Aktualitet Sociale Politikë Kosova Bota Showbiz Lifestyle Sport
TË FUNDIT
Lobimet e politikës, Zvërneci e Kushner/ Kongresi do të hetojë çështjet që tronditën Shqipërinë As investimet e NATO-s nuk janë të sigurta në Shqipëri, intrigat e gjobës që njollosi bazën e Kuçovës Aksident zinxhir te mbikalimi i Selitës, përfshihen 5 automjete dhe paralizohet trafiku Rama ndryshon rregullat para protestës kombëtare, faturën e dëmeve do ta paguajnë edhe organizatorët VIDEO/ Prokuroria jep detaje për sekuestrimin e 136 kg drogë që u trafikua nga Shqipëria. Zbulohet destinac... Banorët e lagjes "18 Shtatori" në Gjirokastër denoncojnë zhurmën nga lokalet: Kërkojnë ndërhyrjen e policis... 28 Nëntori hyn në kalendarin zyrtar të New York-ut! Dita e Pavarësisë së Shqipërisë do të përkujtohet çdo v... Reshjet e shiut përmbytin disa zona në Elbasan, nën ujë toka bujqësore dhe fusha e futbollit në Librazhd E rëndë në Shijak! 21-vjeçari gjendet i pajetë në një poligon, dyshohet se… Takimet e kreut të PD/ Foltorja e Ripërtëritjes sot në Kamëz Miliona euro nga UEFA! Konfirmohet shifra e plotë që Egnatia ka arkëtuar deri tani, ia kalon Skënderbeut VIDEO/ Telefonata për Ditën e Falenderimeve, moment i sikletshëm i Trump dhe Melanias me ushtarët jashtë ve...
POLITIKE

Lobimet e politikës, Zvërneci e Kushner/ Kongresi do të hetojë çështjet që tronditën Shqipërinë

P
Piranjat27 November 2026, 20:14 · 11 min lexim
Lobimet e politikës, Zvërneci e Kushner/ Kongresi do të

Ndryshimi i balancave politike në Shtetet e Bashkuara pritet të sjellë një tjetër klimë për marrëdhëniet me Shqipërinë. Pas fitores së demokratëve në të dyja dhomat e Kongresit amerikan, vëmendja mund të zhvendoset nga marrëdhëniet e lobimit dhe afrimiteti politik drejt kërkesave për dokumente, hetimeve dhe llogaridhënies për çështje që prekin drejtpërdrejt qeverinë shqiptare.

Në qendër të kësaj vëmendjeje është projekti i resortit luksoz të Jared Kushnerit në Zvërnec, një investim që ka nxitur protesta të vazhdueshme në Shqipëri dhe ka ngritur pikëpyetje mbi pronësinë e tokës, procedurat e ndjekura dhe përfshirjen e institucioneve shtetërore.

Në një analizë të publikuar më 27 nëntor në median amerikane “The Fulcrum”, Enio Jaço, ish-president i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri, paralajmëron se politika shqiptare mund të përballet me atë që ai e quan “Uashingtoni i dytë”, një strukturë që nuk funksionon përmes marrëdhënieve personale dhe kontratave të lobimit, por përmes dokumenteve, kërkesave zyrtare dhe kompetencave hetimore të Kongresit.

Dy letra nga Uashingtoni dhe kërkesat për Kushnerin e Ballukun

Jaço e mbështet analizën e tij te dy ndërhyrje të rëndësishme të ligjvënësve amerikanë, të cilat, sipas tij, qeveria shqiptare i ka trajtuar pa u dhënë rëndësinë e duhur.

E para është letra e demokratit Jamie Raskin, i cili i kërkoi Jared Kushnerit të dorëzonte dokumentet dhe komunikimet me zyrtarët shqiptarë dhe amerikanë, si dhe çdo material që lidhet me miratimin e projektit të resortit në Zvërnec. Kërkesa synonte të shqyrtonte nëse marrëveshjet dhe përfitimet e mundshme të lidhura me projektin mund të ngrinin çështje sipas legjislacionit amerikan kundër praktikave korruptive jashtë vendit.

Kushner nuk iu përgjigj kërkesës brenda afatit të 7 shtatorit. Në atë kohë, Raskin ishte pjesë e pakicës në Kongres dhe nuk kishte fuqinë e nevojshme për ta detyruar atë të dorëzonte dokumentacionin.

Ndërkohë, një tjetër letër erdhi nga republikanët Joe Wilson dhe Keith Self, të cilët i kërkuan sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, të shqyrtonte vendosjen e kufizimeve të vizave për zyrtarët shqiptarë të përfshirë në korrupsion.

Në këtë kërkesë përmendej edhe ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, ndaj së cilës SPAK ka ngritur akuza lidhur me manipulimin e tenderëve publikë dhe korrupsionin.

“Korrupsioni dhe trafiku i narkotikëve të lidhur me qeverinë Rama duhet të luftohen”, citohet të ketë deklaruar kongresmeni Wilson.

Për Jaçon, fakti që kritikat dhe kërkesat vijnë nga të dyja partitë amerikane e bën më të vështirë që ato të konsiderohen thjesht si përplasje politike.

Rama dhe Berisha investuan te lobimi amerikan

Një tjetër element i analizës lidhet me mënyrën se si politika shqiptare ka ndërtuar marrëdhëniet me Uashingtonin gjatë viteve të fundit.

Si mazhoranca, ashtu edhe opozita kanë ndjekur të njëjtën strategji: sigurimin e aksesit përmes kompanive lobuese dhe lidhjeve me figura të rëndësishme të politikës amerikane.

Partia Socialiste e Edi Ramës ka angazhuar në të kaluarën kompaninë Ballard Partners, ndërsa lidhjet më të rëndësishme të qeverisë me rrethin e Donald Trump kanë kaluar përmes Jared Kushnerit dhe Richard Grenellit.

Nga ana tjetër, Partia Demokratike e Sali Berishës ka kontraktuar Continental Strategy dhe Chris LaCivita për të forcuar pozitat e saj në SHBA.

Jaço kujton edhe heqjen në qershor të kufizimit të hyrjes në SHBA ndaj Berishës, i cili ishte shpallur non grata në vitin 2021 për korrupsion. Departamenti Amerikan i Shtetit e justifikoi vendimin me argumentin e një “interesi kombëtar bindës”.

Sipas autorit, pavarësisht përplasjeve të tyre të vazhdueshme në politikën shqiptare, Rama dhe Berisha kanë pasur një bindje të përbashkët: se marrëdhëniet me Uashingtonin mund të menaxhohen përmes miqësive dhe lobimit.

Kongresi fiton fuqinë për të kërkuar llogari

Nga janari, demokratët pritet të marrin drejtimin e komisioneve të rëndësishme në Dhomën e Përfaqësuesve. Jamie Raskin pritet të drejtojë Komisionin Juridik, ndërsa Robert Garcia Komisionin e Mbikëqyrjes.

Ky ndryshim është i rëndësishëm, pasi demokratët do të kenë mundësi të përdorin kompetencat e Kongresit për të kërkuar dokumente dhe për të thirrur persona për të dëshmuar.

Garcia e paralajmëroi këtë qëndrim që ditën e zgjedhjeve, kur deklaroi se demokratët do të përdorin fuqinë e thirrjes së dëshmitarëve. Më 18 nëntor, ai i dërgoi një letër Kushnerit dhe personave të tjerë pranë presidentit amerikan, duke u kërkuar të ruanin dokumentet dhe komunikimet që mund të lidhen me çështjet nën shqyrtim.

Në artikull, ky është një sinjal se çështja e Zvërnecit mund të rikthehet në vëmendjen e institucioneve amerikane me mjete më të forta sesa ato të përdorura deri tani.

Revolucioni Flamingo e çoi çështjen përtej kufijve të Shqipërisë

Autori vlerëson se reagimi ndaj projektit të Kushnerit nuk është kufizuar vetëm në institucionet ndërkombëtare, por ka ardhur edhe nga qytetarët shqiptarë.

Protestat e nisura në maj kundër ndërtimit të resortit në zonën e mbrojtur të Zvërnecit, të njohura si Revolucioni Flamingo, u shndërruan në një lëvizje më të gjerë kundër qeverisë Rama.

Lëvizja tërhoqi edhe vëmendjen e politikanëve amerikanë. Senatori demokrat Jon Ossoff ngriti publikisht pikëpyetje mbi përfshirjen e Kushnerit në projektin shqiptar, ndërsa republikani Joe Wilson reagoi ndaj përdorimit të gazit lotsjellës dhe raportimeve për përdorimin e plumbave të gomës ndaj protestuesve në tetor.

Të rinjtë që dolën në rrugë dhe mbanin njëkohësisht flamujt shqiptarë, amerikanë dhe të Bashkimit Evropian e kuptuan më herët se politika se çështja e Zvërnecit nuk ishte thjesht një debat për një investim privat.

Ai kritikon gjithashtu mungesën e transparencës së qeverisë, duke vënë në dukje se portali “Pasqyra e Flamingos” nuk ka publikuar ende dokumentet kryesore që lidhen me projektin, ndërsa një pjesë e tyre vijojnë të shënohen si “në pritje”.

Nga 5.5 milionë në 122 milionë euro: pikëpyetjet mbi tokën në Zvërnec

Një nga pjesët më të rëndësishme të analizës lidhet me hetimet e SPAK dhe transaksionet e tokës ku planifikohet ndërtimi i resortit.

Jaço përmend sekuestrimin e rreth 110 milionë eurove nga shitja e pronave në Zvërnec, si dhe hetimet ndaj Artur Shehut, shitësit të tokës, i cili dyshohet për trafik droge dhe pastrim parash.

Në një çështje tjetër gjyqësore, më 18 nëntor, një gjykatë në Vlorë dënoi me shtatë vite burg një përfaqësues të tij për falsifikim dokumentesh dhe pastrim parash. Vendimi është i apelueshëm, ndërsa Shehu i mohon akuzat.

Megjithatë, një nga pikëpyetjet që mbetet pa përgjigje lidhet me vlerën e shitjes së tokës.

Sipas të dhënave të përmendura në analizë, në nëntor 2025 prona ishte premtuar të shitej për 5.5 milionë euro, ndërsa në prill 2026 i njëjti transaksion u përmbyll për 122 milionë euro.

Pra, në vetëm pesë muaj, vlera e tokës u rrit më shumë se 22 herë. SPAK ka sqaruar se hetimi i tij nuk përfshin kompani të lidhura me Kushnerin. Megjithatë, sipas tij, kjo nuk i jep fund nevojës për të shpjeguar të gjithë zinxhirin e shitblerjes, pronësinë dhe procedurat që paraprinë këtë investim.

Paralajmërimi për qeverinë: Dosja e plotë të publikohet deri në janar

Në përfundim të analizës, Jaço e përshkruan situatën si një garë mes drejtësisë shqiptare dhe Kongresit amerikan për të zbardhur çështjen e Zvërnecit.

Ai shprehet se preferon që përgjigjet të vijnë nga SPAK dhe institucionet shqiptare, pasi një hetim amerikan mund të zbulojë se çfarë ka ndodhur, por vetëm institucionet vendase mund të garantojnë që raste të tilla të mos përsëriten.

Mesazhi i tij për qeverinë Rama është që të mos presë ndërhyrjen e Kongresit amerikan, por të publikojë vetë dosjen e plotë të projektit deri në janar.

Dokumentacioni, sipas Jaços, duhet të përfshijë lejet, vlerësimin mjedisor dhe të gjithë zinxhirin e shitjeve të tokës, bashkë me çmimet përkatëse.

“Përgjigjja më e lirë ndaj një fletëthirrjeje nga Uashingtoni është një dokument i publikuar në Tiranë”, është mesazhi me të cilin autori mbyll analizën e tij./ The Fulcrum, Enio Jaço

SHPËRNDAJE

Lexo edhe

POLITIKE

Me rëndësi

Ndiqni Piranjat kudo.

Investigime, denoncime dhe satirë — zëri që nuk hesht.