Operacioni si në filma me helikopterë që qëllojnë nga ajri e mijëra njerëz të tmerruar/ Detaje nga arrestimi i bosit të drogës

Një operacion si në film, me bashkëpunimin e disa njësive speciale meksikane dhe amerikane. Të shtëna nga helikopterët, kamionë në flakë (të ashtuquajturat “narcobllokada”) dhe qindra njerëz që u larguan të tmerruar, ndërsa po përpiqeshin të ndiqnin një ndeshje bejsbolli në stadium.
44-vjeçari Fausto Isidro Meza Flores, i njohur më mirë si “El Chapo Isidro”, u arrestua në një operacion të rrufeshëm në Guasave, një qytet bujqësor në shtetin verior të Sinaloas, në Meksikë.
El Chapo Isidro prej kohësh ishte në listën e 10 personave më të kërkuar në botë nga FBI-ja, e cila kishte vendosur një shpërblim prej 5 milionë dollarësh për informacion që do të çonte në kapjen e tij.
Menjëherë pas arrestimit, në rrugë shpërtheu një luftë e vërtetë urbane, e cila la të paktën 11 persona të vrarë. Katër prej tyre dyshohet se janë ushtarakë.
Kush është El Chapo Isidro
Ai është kreu i grupit “Los Mazatlecos”, rival i Kartelit jashtëzakonisht të fuqishëm të Sinaloas. Sipas hetuesve amerikanë, ai dyshohet se ka kontribuar për vite me radhë në furnizimin masiv të Shteteve të Bashkuara me heroinë, kokainë, fentanil dhe droga të tjera.
Ai e nisi aktivitetin e trafikut të drogës që në moshë të re, fillimisht si shpërndarës në rrugë, ndërkohë që punonte si tregtar i skrapit. Më pas, Fausto Isidro Meza Flores arriti të ngjiste shkallët e hierarkisë kriminale, deri në krye të organizatës së përgjakshme kriminale Beltrán Leyva, një fraksion që u shkëput nga Karteli i Sinaloas.
Më vonë, El Chapo Isidro krijoi grupin e tij, Organizatën Kriminale Meza-Flores, e njohur edhe si “Los Mazatlecos”, e cila konsiderohet përgjegjëse për rrëmbime, zhvatje, tortura dhe vrasje.
Vala e dhunës gjatë dhe pas operacionit
El Chapo Isidro u arrestua së bashku me zëvendësin e tij, Germán N., i njohur me nofkën “Serafín”, dhe financierin e organizatës, José N.
Siç konfirmoi Ministria meksikane e Mbrojtjes, pas identifikimit, të tre u transportuan drejt Mexico City-t me një avion të Forcave Ajrore, për t'u vënë në dispozicion të prokurorisë së specializuar për luftën kundër krimit të organizuar.
Operacioni u krye nga njësi speciale të ushtrisë dhe Gardës Kombëtare. Anëtarët e armatosur të kartelit tentuan t'u kundërpërgjigjeshin forcave të armatosura me armë lufte, mjete të blinduara dhe automjete të djegura.
Një dyqan pranë Spitalit të Përgjithshëm u përfshi nga flakët, më shumë se 100 drejtues automjetesh u strehuan në një pikë karburanti, ndërsa dhjetëra të rinj mbetën të bllokuar në shkolla dhe palestra. /PiranjatNews/
Lexo edhe
BOTA
Tre mjete fluturuese ruse ranë në territorin polak, NATO mblidhet me urgjencë pas incidentit ajror

Fotot në shtrat dhe vrasja e futbollistit/ Si u kthye festa e ditëlindjes në tragjedi

Djali i Milorad Dodik, mandatohet për formimin e qeverisë në Republika Srpska

“Dëgjoje shokun tënd teksa pë*dhunohej”/ Dëshmitë tronditëse të robërve ukrainas për torturat në burgun rus të Pakinos

Estonia mbyll kufirin me Rusinë, turma njerëzish nxitojnë të largohen





