Editorial Emisione Investigime Aktualitet Sociale Politikë Kosova Bota Showbiz Lifestyle Sport
TË FUNDIT
Zhupa: Rama po e kthen trashëgiminë kulturore në skemë biznesi, rrezikohen pronat e banorëve në Berat e Gji... Hungari, arrestohet vëllai i Viktor Orbanit për trafikim qeniesh njerëzore, reagon ish-kryeministri: Objekt... Bardhi letër Peleshit: Zbatoni rekomandimet e Brukselit për funksionimin e Kuvendit Berisha për gabimin ndaj Finlandës: Duhet të vazhdojmë të ndërtojmë lojën nga prapavija Ndalimi i gazetarit holandez në Tiranë, SafeJournalists: Policia të sqarojë nëse i është kopjuar përmbajtja... Mblidhet Komisioni për Reformën Zgjedhore, priten diskutime për rekomandimet nga OSBE ODIHR-i Aksidenti në Fier-Levan/ Autobusi me mbi 15 pasagjerë përplaset pas parakalimit të gabuar Gazment Bardhi: Raporti i Komisionit Europian konfirmon krizën e parlamentarizmit në Shqipëri, mazhoranca p... EMRAT/ Ja sa vite burg kërkoi SPAK-u për Emiljano Shullazin, Lulzim Berishën dhe të tjerët Amoniak dhe mbetje fekale në ujë! Skandali në Vlorë, gjendje skandaloze edhe në depozitat e pallateve Komisioni i Reformës Zgjedhore, Bylykbashi kërkon ndryshime në rendin e ditës Skandali me ujin e pijshëm, shtohen rastet me të vjella dhe diarre në Vlorë
POLITIKE

Zhupa: Rama po e kthen trashëgiminë kulturore në skemë biznesi, rrezikohen pronat e banorëve në Berat e Gjirokastër

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, kundërshton projektligjin e ri për trashëgiminë kulturore, duke paralajmëruar se ndryshimet e propozuara rrezikojnë pronën private, hapin rrugën për...

P
Piranjat 9 November 2026, 11:53 · 9 min lexim
Zhupa: Rama po e kthen trashëgiminë kulturore në skemë

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, kundërshton projektligjin e ri për trashëgiminë kulturore, duke paralajmëruar se ndryshimet e propozuara rrezikojnë pronën private, hapin rrugën për shndërrimin e monumenteve në biznese dhe mund të pengojnë rikthimin e objekteve kulturore të trafikuara ilegalisht.

Sipas saj, veçanërisht të rrezikuar janë banorët e Beratit dhe Gjirokastrës, ku një pjesë e konsiderueshme e trashëgimisë historike është pronë private.

Deputetja e PD-së, Ina Zhupa, ka reaguar kundër projektligjit të ri për trashëgiminë kulturore, të hedhur në konsultim publik nga qeveria, duke e cilësuar atë si një nismë që, në vend që të forcojë mbrojtjen e pasurisë kombëtare, krijon hapësira për interesa ekonomike dhe klienteliste.

Në deklaratën e saj, Zhupa akuzon kryeministrin Edi Rama se po e trajton trashëgiminë kulturore si një mundësi biznesi, duke vënë në rrezik pronën private dhe monumentet historike. Ajo paralajmëron se pasojat mund të jenë veçanërisht të rënda për banorët e Beratit dhe Gjirokastrës, por edhe për pronarët e pasurive të mbrojtura në qytete të tjera të vendit.

Zhupa ndalet fillimisht te neni 30 i projektligjit, i cili, sipas interpretimit të saj, i jep ministrit kompetencën të përcaktojë me urdhër vlerën e shpenzimeve për ndërhyrjet e detyruara në pronën private. Ajo ngre shqetësimin se ky urdhër merr fuqinë e titullit ekzekutiv, duke krijuar një detyrim financiar të ekzekutueshëm ndaj qytetarëve.

Sipas deputetes demokrate, kjo mund të vendosë në vështirësi familjet që zotërojnë banesa monument kulture, por nuk kanë mundësi financiare për të përballuar kostot e restaurimit. Ajo kërkon të sqarohet se si do të mbrohen pronarët nga rreziku që detyrimet financiare të kthehen në një kërcënim për vetë pronën e tyre.

Një tjetër shqetësim i ngritur nga Zhupa lidhet me nenin 26, i cili, sipas saj, hap rrugën për përshtatjen funksionale të monumenteve, ndërhyrjet arkitektonike dhe shtesat e reja në kuadër të projekteve të zhvillimit ekonomik.

Deputetja pyet se cilat do të jenë garancitë që monumentet e kulturës të mos shndërrohen në hotele, restorante apo struktura të tjera turistike, ku interesi ekonomik të mbizotërojë mbi vlerën historike dhe kulturore të tyre.

Kundërshtimi i tretë i Zhupës lidhet me nenin 43, që trajton rikthimin e pasurive kulturore të trafikuara ilegalisht. Sipas saj, afatet trevjeçare, tridhjetëvjeçare dhe shtatëdhjetë e pesëvjeçare, të parashikuara për kategori të ndryshme objektesh dhe koleksionesh, mund të krijojnë pengesa për rikuperimin e thesareve kulturore shqiptare që janë larguar në mënyrë të paligjshme.

Zhupa rikujton edhe kundërshtimin e saj ndaj koncesionit të Butrintit, për të cilin thotë se prej katër vitesh ka kërkuar ndryshime ligjore që të hiqet mundësia e dhënies me koncesion të trashëgimisë kulturore. Ajo përmend gjithashtu protestën 160-ditore kundër këtij modeli dhe akuzon qeverinë se, në vend që të kufizojë mundësitë e koncesionimit, po krijon mekanizma të tjerë që mund ta vendosin trashëgiminë në funksion të interesave private.

Në përfundim, deputetja e PD-së thekson se Berati dhe Gjirokastra nuk mund të trajtohen si pasuri në dispozicion të qeverisë dhe se monumentet historike nuk duhet të kthehen në instrumente biznesi.

Ajo u bën thirrje qytetarëve të reagojnë kundër projektligjit, duke e cilësuar protestën qytetare si një mënyrë për të kundërshtuar atë që e konsideron rrezik për pronën private dhe trashëgiminë kombëtare.

DEKLARATA E PLOTE

Qeveria ka hedhur në konsultim publik një projektligj të ri për trashëgiminë kulturore, ku, në vend që të forcojë mbrojtjen e trashëgimisë sonë kombëtare, Edi Rama po propozon një ligj që krijon mekanizma të rinj ndërhyrjeje mbi pronën private, hapësira për biznes dhe ndërtim mbi monumentet dhe kufizime për rikthimin e objekteve kulturore të trafikuara.

Rama nuk mjaftohet me betonizimin e bregdetit dhe zonave të mbrojtura, tani rrezikon të kthejë edhe trashëgiminë historike në një mundësi biznesi, duke vënë në rrezik pronën e qytetarëve dhe vetë pasurinë kombëtare.

Ndërkohë që nga viti 2022, me koncesionin e Butrintit, përpiqem të ndryshojmë ligjin e trashëgimisë për të hequr mundësinë e koncesionit, kërkesë së cilës iu bashkua edhe protesta 160-ditore. Këta bëjnë të kundërtën, lënë në sirtar ndryshimet ligjore për heqjen e koncesioneve dhe shtojnë ndryshime të tjera për ta kthyer trashëgiminë kulturore në instrument të interesave ekonomike dhe klienteliste të qeverisë.

Së pari, pronarët e banesave monument kulture dhe të pasurive të mbrojtura në të gjithë Shqipërinë, Durrës, Elbasan dhe veçanërisht në qytete si Berati dhe Gjirokastra, ku një pjesë e madhe e trashëgimisë historike është edhe pronë private do të përballen me një mekanizëm që i kthen detyrimet e restaurimit në rrezik për pronën e tyre.

Me nenin 30 të projektligjit, ministri merr kompetencën të përcaktojë me urdhër vlerën e shpenzimeve të ndërhyrjeve të detyruara në pronën private. Ky urdhër merr fuqinë e titullit ekzekutiv. Pra, një vendimmarrje administrative e ministrit mund të kthehet në detyrim financiar të ekzekutueshëm ndaj qytetarit.

A e kupton qeveria se çfarë do të thotë kjo për një familje që ka trashëguar një banesë në Gjirokastër apo Berat, por nuk ka mundësi financiare të përballojë kostot e restaurimit? A do të jetë mbrojtja e trashëgimisë një barrë që përfundon duke rrezikuar vetë pronën e qytetarëve?

Së dyti, me nenin 26, qeveria hap rrugën për transformimin e monumenteve në funksion të projekteve të zhvillimit ekonomik. Projektligji lejon përshtatje funksionale, ndërhyrje arkitektonike dhe shtesa të reja në pasuritë kulturore, duke parashikuar edhe integrimin e tyre në projekte zhvillimi.

Kush do ta garantojë që nesër një monument kulture të mos shndërrohet në një biznes hotelerie, restoranti apo strukture turistike, ku interesi ekonomik të mbizotërojë mbi vlerën historike? Kush e përcakton kufirin mes restaurimit dhe tjetërsimit të monumentit?

Shqipëria nuk ka nevojë për një tjetër ligj që e trajton trashëgiminë kulturore si pronë për t’u shfrytëzuar nga interesat e biznesit.

Së treti, me nenin 43, vendosen kufizime kohore që mund të pengojnë rikthimin e pasurive kulturore të trafikuara ilegalisht. Projektligji parashikon afate 3-vjeçare dhe 30-vjeçare për kërkesat e kthimit të objekteve të larguara në mënyrë të paligjshme, si dhe një afat 75-vjeçar për kategori të caktuara koleksionesh publike dhe fetare.

Pse duhet t’i vendosim pengesa shtetit shqiptar për të rikthyer thesaret e grabitura të kulturës sonë? Pse duhet të krijojmë kufizime që mund të vështirësojnë rikuperimin e objekteve që janë trafikuar dhe identifikohen shumë vite më vonë?

Për katër vjet kam kundërshtuar ligjin e Butrintit dhe kam denoncuar përdorimin e trashëgimisë kulturore si instrument koncesionesh dhe interesash private. Tani kemi përpara një tjetër projektligj ku Edi Rama përdor trashëgiminë kulturore si skemë biznesi ky kryesisht banorët e Beratit dhe Gjirokastrës në rrezik të humbin pronat.

Berati dhe Gjirokastra nuk janë pronë e Edi Ramës. Monumentet shqiptare nuk janë pasuri e qeverisë për t’i futur në projekte biznesi. Dhe thesaret e grabitura të Shqipërisë nuk janë pronë e atyre që i kanë përvetësuar.

Vetëm protesta qytetare dhe revolta studentore mund ta ndalin këtë babëzi të pashembullt të qeverisë Rama, që nuk kursen as trashëgiminë kulturore. Trashëgimia kulturore është kujtesa dhe identiteti i një kombi. Nuk është as pronë për t’u marrë nga qytetarët, as monument për t’u tjetërsuar dhe as biznes për klientët e pushtetit.

SHPËRNDAJE

Lexo edhe

POLITIKE

Me rëndësi

Ndiqni Piranjat kudo.

Investigime, denoncime dhe satirë — zëri që nuk hesht.