Si po përgatitet bota për një skenar apokaliptik! Nga Parisi në Londër, ja udhëzuesit e emergjencës

Ndërprerje të energjisë elektrike, sulme kibernetike, fenomene ekstreme natyrore, por edhe incidente bërthamore, kriza shëndetësore dhe luftëra që mund të përhapen në të gjithë globin. Përballë një situate ndërkombëtare gjithnjë e më të paqëndrueshme dhe infrastrukturave gjithnjë e më të cenueshme, disa vende kanë nisur t'u kërkojnë qytetarëve të japin kontributin e tyre aktiv.
Qytetarët do të jenë të parët që duhet të garantojnë sigurinë e tyre dhe të të tjerëve, aq sa është e mundur, duke ndjekur një sërë udhëzimesh të përcaktuara në broshura të posaçme.
Në qendër të këtyre udhëzimeve është kit-i i mbijetesës, që përfshin ujë, ushqime me afat të gjatë përdorimi, ilaçe, radio me bateri dhe shumë produkte të tjera të domosdoshme. Qëllimi është të sigurohen kushtet bazë të jetesës për disa ditë deri në një javë, edhe në rast të ngjarjeve katastrofike.
Britania e Madhe, plani “Be Ready”: Si duhet të përgatiten qytetarët
Në Britaninë e Madhe, prej javësh po diskutohet për skenarë të mundshëm katastrofikë. Një shembull është plani i gjerë emergjent “Black Sky” (Qielli i Zi), i hartuar nga BBC-ja për të vijuar funksionimin edhe në rast se interneti ndërpritet plotësisht.
Që prej muajit tetor, qeveria britanike ka nisur fushatën “Be Ready” (Jini të përgatitur). Sipas udhëzimeve, në rast të një skenari hipotetik ku për tre ditë ndërpriten furnizimi me ujë, energji elektrike dhe komunikimet telefonike, qytetarët duhet të kenë paraprakisht rezerva të mjaftueshme.
Konkretisht, rekomandohet të përgatiten:
Ujë: 9 litra për person.
Ushqime që nuk prishen: konserva, fruta të thata dhe produkte që mund të konsumohen pa gatim.
Batanije dhe veshje të trasha.
Radio me bateri.
Elektrik dore me bateri.
Power bank për karikimin e pajisjeve elektronike.
Medikamente dhe produkte bazë për higjienën personale.
Para në cash, në rast të ndërprerjes së sistemeve elektronike të pagesave.
Për të moshuarit dhe personat më të cenueshëm ekziston gjithashtu regjistri Priority Services Register, i cili u mundëson kompanive të energjisë elektrike dhe ujësjellësve të identifikojnë personat që kanë nevojë për ndihmë më të madhe në situata emergjente.
Një tjetër rekomandim është hartimi i një plani të posaçëm brenda çdo familjeje, ku të përcaktohen pikat e takimit dhe detyrat konkrete të secilit anëtar.
Gjithashtu, qytetarëve u këshillohet të mësojnë njohuritë bazë të ndihmës së parë, në mënyrë që të jenë në gjendje të ndihmojnë të tjerët pa qenë të detyruar të presin mbërritjen e ambulancës. Në situata emergjencash me përmasa të mëdha, shërbimet e urgjencës mund të mos jenë në gjendje t'u përgjigjen menjëherë të gjitha thirrjeve.
Franca: “Të gjithë janë përgjegjës”
Edhe për Francën, elementi i parë dhe më i rëndësishëm për t'u përballur me situatat e krizave kombëtare është gatishmëria e të gjithë qytetarëve. Kjo është edhe ideja kryesore e broshurës së shpërndarë që në nëntor 2025, e cila mban titullin “Të gjithë përgjegjës”.
Qytetarëve francezë u kërkohet të kenë paraprakisht në dispozicion:
Ujë: rekomandohen 6 litra për person, për një periudhë 72-orëshe.
Ushqime që nuk prishen.
Radio me bateri.
Elektrik dore me bateri, qirinj dhe çakmakë.
Bateri të jashtme (Power bank).
Medikamente dhe kopje të recetave mjekësore.
Para në cash dhe kopje rezervë të çelësave të banesës.
Këto janë rekomandime të përgjithshme, të cilat në dokument plotësohen me udhëzime specifike në varësi të llojit të emergjencës, duke filluar nga përmbytjet dhe aksidentet industriale, deri te epidemitë dhe sulmet kibernetike.
Në përgjithësi, qytetarëve u kërkohet të mos përdorin telefonin pa nevojë, për të shmangur mbingarkimin e linjave të komunikimit, si dhe të mos shkojnë të marrin fëmijët në shkollë, pasi institucionet arsimore kanë tashmë plane të përcaktuara evakuimi.
Një tjetër udhëzim është që qytetarët të ndjekin vetëm njoftimet dhe udhëzimet zyrtare të prefektëve, të cilët koordinojnë operacionet e shpëtimit dhe ndihmën civile.
Suedia dhe Holanda, vëmendje te paratë cash dhe lufta psikologjike
Edhe Suedia dhe Holanda kanë publikuar gjatë muajve të fundit dokumente të posaçme për të informuar dhe përgatitur popullsinë për situata emergjente. Ato mbajnë përkatësisht titujt “Në rast krize ose lufte” dhe “Mendo për të ardhmen”.
Udhëzimet bazë janë pothuajse të njëjta me ato të Britanisë së Madhe dhe Francës: rezerva uji, ushqime që ruhen për një kohë të gjatë, veshje të trasha, bateri të jashtme dhe produkte të tjera të domosdoshme.
Megjithatë, në këto dy vende kërkohet që qytetarët të jenë në gjendje të përballojnë vetë nevojat e tyre për një periudhë deri në shtatë ditë, me një vëmendje të veçantë ndaj sistemeve të pagesave.
Stokholmi rekomandon që çdo i rritur të mbajë 1000 korona suedeze në para fizike (rreth 90 euro) dhe të identifikojë paraprakisht strehimet më të afërta me banesën e tij.
Ndërsa Amsterdami këshillon që çdo i rritur të ketë 70 euro cash, ndërsa për çdo fëmijë rekomandohen 30 euro.
Veçanërisht interesant është fakti se të dyja vendet paralajmërojnë shprehimisht qytetarët për rrezikun e “sulmeve psikologjike dhe dezinformimit”.
Këshilla kryesore është që qytetarët t'u besojnë vetëm burimeve zyrtare, të verifikojnë çdo lajm përmes disa burimeve dhe të mos shpërndajnë kurrë informacione të dyshimta, duke mos u besuar verbërisht përmbajtjeve që qarkullojnë në rrjetet sociale.
Suedia i kushton gjithashtu një pjesë të veçantë sigurisë kibernetike, duke u kërkuar qytetarëve të përdorin fjalëkalime të forta dhe të kryejnë rregullisht kopje rezervë të të gjitha të dhënave të rëndësishme.
Vendi nordik rikujton gjithashtu se: “Të gjithë personat nga mosha 16 deri në 70 vjeç mund të thirren për të kontribuar në mbrojtjen kombëtare”. Ky detyrim nuk lidhet vetëm me shtetasit suedezë, por përfshin edhe personat që banojnë në territorin e vendit.
SHBA, plani për të mbajtur funksionale bazat ushtarake edhe në rast të një ndërprerjeje totale të energjisë
Jashtë Evropës, edhe Shtetet e Bashkuara kanë hartuar disa plane emergjente për t'u përballur me skenarë të mundshëm krizash.
Në veçanti, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka punuar për programin “Fortress America”, i cili synon të garantojë vazhdimësinë e funksionimit të bazave ushtarake edhe në rast se një sulm kibernetik apo një akt sabotazhi do të nxirrte jashtë funksionit rrjetin elektrik.
Për realizimin e këtij objektivi, plani parashikon disa masa kryesore:
Pavarësi energjetike, për të garantuar furnizimin me energji edhe në rast të ndërprerjes së rrjetit kombëtar.
Sigurinë e zinxhirëve industrialë dhe të furnizimeve, për të shmangur ndërprerjet e materialeve dhe pajisjeve të nevojshme.
Rezerva strategjike të karburantit, municioneve dhe medikamenteve.
Mbrojtjen fizike dhe kibernetike të instalimeve ushtarake.
Sigurinë e komunikimeve satelitore dhe sistemeve të tjera të komunikimit.
/PiranjatNews/
Lexo edhe
BOTA
VIDEO- Sherri për lekët/ Pr*stituta vret babanë e futbollistit të njohur. Reagon edhe Neymar

VIDEO/ Avioni përplaset me një makinë, dy të moshuar plagosen rëndë

VIDEO/ Kaos në seancën e parë të Parlamentit të ri në Izrael

Oficeri i lartë amerikan arrestohet në Britani për spiunazh

Aferë dashurie, spiunë dhe miliarda/ A do çojë drama e jetës së drejtorit të Nvidia në divorcin më të shtrenjtë në histori?




