UNICEF jep të dhënat dramatike: 114 fëmijë të vrarë dhe mbi 1 mijë të plagosur në Ukrainë gjatë këtij viti
Të paktën 114 fëmijë janë vrarë dhe 1,030 të tjerë janë plagosur në Ukrainë nga janari deri në tetor të këtij viti, duke shënuar numrin më të lartë të viktimave mes fëmijëve në gati katër vjet, bëri të ditur Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF). Sipas organizatës, shifrat përfaqësojnë një mesatare prej më […]

Të paktën 114 fëmijë janë vrarë dhe 1,030 të tjerë janë plagosur në Ukrainë nga janari deri në tetor të këtij viti, duke shënuar numrin më të lartë të viktimave mes fëmijëve në gati katër vjet, bëri të ditur Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF).
Sipas organizatës, shifrat përfaqësojnë një mesatare prej më shumë se tre fëmijësh të vrarë ose të plagosur çdo ditë. Të dhënat janë verifikuar nga Misioni i Monitorimit të të Drejtave të Njeriut i OKB-së në Ukrainë.
“Jeta e këtyre fëmijëve është ndërprerë ose shkatërruar përgjithmonë”, deklaroi Louise Waterridge, përfaqësuese e UNICEF-it në Ukrainë, gjatë një komunikimi me gazetarët në Gjenevë, nga Kievi.
Ajo theksoi se numri i fëmijëve të vrarë këtë vit është më shumë se 20 për qind më i lartë krahasuar me totalin e vitit 2025, ndërsa numri i të plagosurve është rritur me afro 60 për qind. Vetëm gjatë muajit të fundit, të paktën 146 fëmijë u vranë ose u plagosën në Ukrainë, një rritje prej 150 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
UNICEF e cilësoi këtë zhvillim si një përshkallëzim shqetësues të dhunës ndaj fëmijëve, duke paralajmëruar se sulmet me raketa dhe dronë vazhdojnë të rrezikojnë jetën e tyre në banesa, shkolla dhe komunitete, përfshirë zonat larg vijës së frontit. Në Ditën Universale të Fëmijëve, zëdhënësja e UNICEF-it, Anne-Claire Dufey, tha se ndërsa kjo ditë duhet t’u kushtohet të drejtave të fëmijëve, në Ukrainë shumë prej tyre vazhdojnë të jetojnë mes frikës dhe pasigurisë, edhe në vendet ku duhet të ndihen të mbrojtur.
Sulmet ndaj civilëve kanë vijuar edhe gjatë nëntorit. Sipas UNICEF-it, më 2 nëntor, një sulm ndaj një kompleksi shkollor në juglindje të Ukrainës, ku ishte ngritur një strehë nëntokësore dhe po shpërndahej ndihmë humanitare, la 72 persona të vrarë, ndërsa katër të tjerë rezultojnë ende të zhdukur.
Ndërkohë, më 13 nëntor, një 17-vjeçar u vra dhe tetë fëmijë të tjerë u plagosën nga sulmet që goditën qytetin e Zaporizhias. UNICEF bëri gjithashtu të ditur se sulmet e verifikuara ndaj infrastrukturës energjetike që prej janarit kanë arritur nivelin më të lartë që nga nisja e pushtimit rus në shkurt të vitit 2022.
Lexo edhe
BOTA
Përmbytje masive në Francë/ Evakuohen 450 persona, mbyllen 130 shkolla

VIDEO/ Avioni rrëzohet në autostradë në Meksikë dhe përfshihet nga flakët

Alarm në Poloni pas sulmeve ruse në Ukrainë, dyshohet për shkelje të hapësirës ajrore nga objekte të paidentifikuara

Eisenkot tenton të rrëzojë Netanyahun, në tryezë edhe mundësia e një qeverie minoritare me mbështetjen e partive arabe

Alarm për dronë në Itali, pezullohen fluturimet në aeroportin e Genovës





