“Mali i Zi shumë pranë BE-së”, Von der Leyen vlerëson Shqipërinë, Costa zbulon arsyen e mungesës së Serbisë në samit

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, dhe presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për mediat në përfundim të Samitit BE-Ballkani Perëndimor, ku në fokus ishte procesi i zgjerimit të Bashkimit Europian, reformat në vendet e rajonit dhe perspektiva e integrimit.
Von der Leyen vlerësoi përparimin e Shqipërisë dhe Malit të Zi në rrugën drejt anëtarësimit, ndërsa u ndal edhe te mbështetja financiare e BE-së për rajonin. Nga ana tjetër, Costa sqaroi edhe arsyen e mungesës së Serbisë në samit.
Duke folur për procesin e integrimit, Von der Leyen theksoi se Mali i Zi është shumë pranë anëtarësimit në Bashkimin Europian, ndërsa Shqipëria po ecën përpara me ritme pozitive. Ajo nënvizoi se zgjerimi duhet të ecë paralelisht me reformat që vendet kandidate duhet të zbatojnë, pasi sipas saj, rezultatet ekonomike janë të lidhura drejtpërdrejt me përmbushjen e tyre.
“Mali i Zi është pranë integrimit në Bashkimin Europian. Shqipëria po ecën përpara. Integrimi duhet të shkojë paralelisht me reformat që duhet të ndërmarrin”, deklaroi presidentja e Komisionit Europian.
Ajo shtoi se rajoni po shënon rritje ekonomike dhe se Bashkimi Europian do të vijojë ta mbështesë përmes Planit të Rritjes, duke vlerësuar gjithashtu marrëveshjen për roaming, si një dëshmi të afrimit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Von der Leyen u shpreh optimiste për të ardhmen e procesit të zgjerimit, duke theksuar se Brukseli është i gatshëm të përmbushë detyrimet e tij dhe ta kthejë këtë proces në një rezultat konkret.
“Rajoni po ecën në drejtimin e duhur. Ne duam të sjellim besim te e ardhmja e përbashkët. Bashkimi Europian është gati të bëjë punën e tij dhe jam e bindur se do ta kthejmë në një proces domethënës. Po shohim progres inkurajues”, tha ajo.
E pyetur edhe për kërkesën e Kosovës për të marrë statusin e vendit kandidat, presidentja e Komisionit Europian bëri të ditur se puna për zgjerimin po vijon intensivisht, ndërsa përmendi angazhimin e komisioneres për Zgjerimin, Marta Kos, e cila po zhvillon takime të shpeshta për të nxitur këtë proces.
Ndërkohë, presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, u ndal te mungesa e Serbisë në Samit, duke sqaruar se kishte komunikuar me presidentin në detyrë, Aleksandar Çupiç, i cili e kishte njoftuar se nuk mund të merrte pjesë, për shkak të angazhimeve në Parlamentin serb.
“Unë kam pasur kënaqësinë të bisedoj me presidentin në detyrë Çupiç. Ai më ka shpjeguar se nuk mund të merrte pjesë në këtë samit, pasi kishte punë intensive në Parlamentin serb”, deklaroi Costa, duke dhënë kështu shpjegimin zyrtar për mungesën e përfaqësuesit serb në takimin e nivelit të lartë mes Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Lexo edhe
POLITIKEParti të re politike? Marjana Koçeku: Asnjë bashkëpunim me Elisa Spiropalin apo Erion Veliajn

Protestuesit marshim në Tiranë: Më 28 nëntor do dalim, Shqipërinë ne nuk e falim

Tryeza për “narko-euron”/ Berisha: Rënia e monedhës europiane, një taksë e tmerrshme mbi eksportet dhe prodhimin shqiptar

Këtë 28 Nëntor, flamurin duhet ta ngremë mbi gërmadhat e ‘aleancës së qelbësirave’ të piktorit!

‘Mbreti është lakuriq’, Tela: Spiropali po thotë publikisht atë që shumë në PS e dinin





