S’ka trena, por ka tendera: 1.9 milionë euro për mirëmbajtjen e linjave që s’ekzistojnë

Shqipëria vijon të mbetet pa një transport funksional hekurudhor për pasagjerët, ndërsa projektet për rikthimin e trenave shoqërohen me vonesa të njëpasnjëshme, ndryshime kontratash dhe shpenzime të reja. Në një kohë kur linjat hekurudhore ende nuk janë përfunduar, Hekurudha Shqiptare ka hapur një procedurë prokurimi me vlerë 1.9 milionë euro pa TVSH për blerjen e makinerive dhe pajisjeve të mirëmbajtjes.
Mes pajisjeve të parashikuara janë eskavatorë për hekurudha, ganxha ngritëse, pajisje për shtrëngimin dhe lirimin e bulonave, krikë mekanikë dhe instrumente për matjen e temperaturës dhe konsumit të shinave.
Por pikëpyetja që ngrihet është se përse këto pajisje kërkohen që tani, kur projektet kryesore hekurudhore parashikohet të përfundojnë pas disa vitesh. Linja Tiranë-Durrës, me degëzim drejt aeroportit të Rinasit, e cila u premtua se do të ishte gati në vitin 2023, ka pësuar disa ndryshime dhe shtyrje afatesh.
Sipas planifikimit të investimeve publike, ndërtimi i tetë stacioneve dhe ndalesave parashikohet të përfundojë në fund të vitit 2027, ndërsa elektrifikimi i linjës pritet të përfundojë pas vitit 2029.
Ndërkohë, një tjetër projekt i rëndësishëm, linja Vorë-Hani i Hotit, që do të lidhë Shqipërinë me Malin e Zi, pritet të nisë ndërtimin vitin e ardhshëm dhe të përfundojë në vitin 2030.
Një tjetër pikëpyetje lidhet me mënyrën e prokurimit. Hekurudha Shqiptare ka zgjedhur një marrëveshje kuadër, e cila nuk e detyron institucionin të blejë të gjitha pajisjet menjëherë, por i jep mundësinë të përcaktojë gjatë periudhës së zbatimit sasinë dhe momentin e porosive, sipas nevojave që lindin.
Megjithatë, ndërhyrja në linjat që janë ende në ndërtim nuk është përgjegjësi e Hekurudhës Shqiptare.
Deri në marrjen në dorëzim të veprës, mirëmbajtja dhe përgjegjësia për defektet i takojnë kompanisë private që po kryen punimet, sipas përcaktimeve kontraktuale.Përtej investimeve dhe projekteve të shtyra në kohë, problem mbetet edhe gjendja financiare e vetë Hekurudhës Shqiptare. Shoqëria publike vijon të regjistrojë humbje prej vitesh, ndërsa aktiviteti i saj mbështetet kryesisht te subvencionet e buxhetit të shtetit.
Sipas bilancit financiar për vitin 2025, Hekurudha Shqiptare ka regjistruar një humbje prej rreth 2.2 milionë eurosh. Të ardhurat nga transporti i pasagjerëve kanë qenë vetëm 4.5 mijë euro gjatë gjithë vitit, ndërsa nga transporti i mallrave janë arkëtuar rreth 290 mijë euro.
Këto të ardhura janë shumë larg kostove të shoqërisë, pasi vetëm pagat dhe sigurimet shoqërore të punonjësve arrijnë në rreth 5.3 milionë euro në vit. Me fjalë të tjera, të ardhurat nga transporti i pasagjerëve dhe mallrave nuk mbulojnë as një pjesë të vogël të shpenzimeve për personelin.
Pavarësisht rezultateve financiare, edhe gjatë vitit 2025 janë shpërndarë rreth 350 mijë euro shpërblime për punonjësit.
Kështu, ndërsa Shqipëria pret rikthimin e trenave dhe projektet hekurudhore vazhdojnë të shtyhen, Hekurudha Shqiptare kërkon miliona euro për pajisje mirëmbajtjeje, ndërkohë që vetë shoqëria mbetet e varur nga paratë e taksapaguesve. Një institucion që ende nuk arrin të sigurojë transportin e pasagjerëve, por që vazhdon të prodhojë humbje dhe shpenzime për buxhetin e shtetit./piranjat news
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Piranjat.al sipas ligjit Nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi pa autorizimin e Piranjat.al në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi.
Lexo edhe
INVESTIGIME
Ky 28 Nëntor, si asnjë tjetër!

Kush guxon të prishë ritin e pastores Alketa? Reagimi i ashpër i dishepujve të saj!

Zbulohet skema e certifikatave të falsifikuara të gjuhës gjermane: 1000 euro për B1 “pa test”

Shembja e banesave me banorët brenda/ Bashkia Rrogozhinë zgjohet pas ndërhyrjes së Piranjave

“Bëhu e imja vetëm një herë”/ Një miqësi që u kthye në përndjekje dhe shantazh





