11 muaj pas denoncimit të Piranjave, dentistja pa licencë kapet sërish mat në Tiranë!

Kush nuk e kujton dentisten Gentën, për të cilën vitin e kaluar ju kemi folur në disa emisione me radhë?Ishte muaji dhjetor i vitit 2025 dhe asokohe pseudomjekja ishte sistemuar në një klinikë në qytetin e Shijakut, larg syrit të institucioneve dhe personave që e kërkonin gjithandej për t’i kërkuar paratë mbrapsht.
Në kushtet kur, përveç cilësisë skandaloze të denoncuar nga disa paciente, Shaholli nuk dispononte as dokumentet e duhura për të ushtruar profesionin e mjekes, Inspektoriati Shëndetësor vendosi mbylljen e klinikës së saj dentare deri në plotësimin e dokumentacionit përkatës.
Por çfarë kishte ndodhur gjatë këtyre 11 muajve pas ndërhyrjes sonë?
Mjeshtrja ishte kthyer në aktivitet. Dhe jo më në periferi, por në një zonë tepër të populluar të Tiranës.
Zonja e re, me shpresën se dhimbjet do të pakësoheshin, bënte çdo gjë që dentistja i thoshte. Por dukej se gjendja sa vinte e rëndohej.Një seri eksperimentesh në gojën e pacientes, pa u merakosur aspak për gjendjen e saj shëndetësore. Dhe kur zonja i ankohej. Në kushtet kur gjithçka ishte bërë në mënyrë aspak profesionale, zonja i kërkon dentistes 740 mijë lekët që i kishte dhënë për punën e pabërë.
Ky që dëgjuat është denoncimi i fundit për nga radha, por mos harrojmë që disa dhjetëra pacientë të kësaj pseudomjekeje nuk kanë pranuar të flasin.
Ndaj, një pyetje na vjen natyrshëm: si është e mundur që kjo zonjë vazhdon të hapë klinika thuajse çdo vit pa u pajisur ende me licencë, siç e vërteton edhe ky dokument?
Për këtë situatë vendosim në dijeni Inspektoratin Shtetëror Shëndetësor, i cili, me një shkresë zyrtare, na sqaron se: “Urdhri i Stomatologut, më datë 8 shtator 2026, ka kërkuar ndërhyrjen e strukturave inspektuese për verifikimin e dyshimeve se znj. Genta Elezi ushtronte profesionin e mjekes stomatologe pranë subjektit DENTROOM pa qenë e pajisur me lejen e ushtrimit të profesionit. Inspektorët kanë konstatuar këtë shkelje dhe i kanë lënë masën administrative ‘paralajmërim’, duke i lënë afatin 8-ditor për paraqitjen e prapësimeve ndaj rezultateve të inspektimit.”
Po ashtu, më datë 28.09.2026 u krye një riinspektim për verifikimin e përmbushjes së detyrave të lëna përgjatë inspektimit të mëparshëm, nga ku rezultoi se G. E. vijonte të mos ishte e pajisur me lejen e ushtrimit të profesionit. Ndaj, në këto kushte, u vendos masa administrative prej 500 mijë lekësh të vjetra, si dhe detyrimi që të mos e ushtrojë profesionin e stomatologes deri në pajisjen me lejen përkatëse të ushtrimit të profesionit.”
Por, pavarësisht këtyre masave që cituam, pseudomjekja vijonte punën e qetë, pa e prishur aspak terezinë.
Ndaj, në këto kushte, vendosim t’i bëjmë një vizitë pranë klinikës së saj të re.
Zonja Genta ka justifikimin se mospajisja me lejen e ushtrimit të profesionit lidhet me faktin se, sipas saj, i janë kërkuar disa favore seksuale nga Nikollë Deda, i cili sot jo vetëm nuk është më president i Urdhrit të Stomatologut, por madje është i akuzuar penalisht për abuzim me fondet e këtij urdhri.
Troc me thënë, donte favore seksuale ai zotëri. Kam bërë edhe denoncim te komisariati nr. 2 dhe nuk u vu uji në zjarr, dhe nuk pata guxim të shkel më në atë institucion.Sakaq, akuza të forta zonja Genta bën edhe në adresë të presidentit aktual, Almiro Gurakuqi. Këtë të fundit e akuzon për dhënie parash si këmbim për t’u pajisur me licencë.
Piranjat kontaktuan me të dy zotërinjtë, ku zoti Nikolla mohoi çdo pretendim të hedhur ndaj tij, ndërsa zoti Gurakuqi u ndal tek arsyet e mospajisjes me licencë.
Sipas rregullores për licencim, kërkohen një sërë dokumentacionesh plotësuese për aplikantët për herë të parë, ndërsa për stomatologët që riaplikojnë, në nenin 6, pikat c dhe j, thuhet:
Pika c: Dokumentin e lëshuar nga organi kompetent që vërteton plotësimin e krediteve të edukimit në vazhdim të nevojshme për ushtrimin e profesionit dhe rilicencimit.
Pika j: Dëshminë e penalitetit dhe vërtetim nga Prokuroria.
Mos harrojmë diçka tepër të rëndësishme. Genta Shaholli është nën hetim pas dy procedimeve penale të regjistruara më datë 4.12.2025 dhe 9.9.2025.
Dhe tani të vijmë pak tek thelbi i problemit, sepse fundja dentist nuk të bën vetëm diploma apo licenca në mur, por eksperienca dhe cilësia e shërbimit ndaj pacientëve.
Është tërësisht e kotë të diskutohet me këtë individ që, me paaftësinë e saj, ka shkaktuar rregullisht dëme tek pacientët. Ndaj, në kushtet kur është përsëritëse për të disatën herë në shkeljet e saj, marrim kontakt me Inspektoratin e Punës, i cili vendos mbylljen e klinikës së saj dentare deri në plotësimin e dokumentacionit./ Piranjat news
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Piranjat.al sipas ligjit Nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi pa autorizimin e Piranjat.al në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi.
Lexo edhe
INVESTIGIME
S’ka trena, por ka tendera: 1.9 milionë euro për mirëmbajtjen e linjave që s’ekzistojnë

Ky 28 Nëntor, si asnjë tjetër!

Kush guxon të prishë ritin e pastores Alketa? Reagimi i ashpër i dishepujve të saj!

Zbulohet skema e certifikatave të falsifikuara të gjuhës gjermane: 1000 euro për B1 “pa test”

Shembja e banesave me banorët brenda/ Bashkia Rrogozhinë zgjohet pas ndërhyrjes së Piranjave





